Linjat urbane paralizojnë Kryeqytetin, grevë për marrjen e pagave

59

autobusKryeqyteti është gdhirë i paralizuar sot, pasi linjat e autobusëve, që transportojnë përditë mijëra udhëtarë, kanë hyrë në grevë. Greva raportohet të ketë nisur në orën 05:30 të mëngjesit dhe do të mbyllet rreth orës 08:30 të mbrëmjes.

Ndërsa çdo autobus është i pozicionuar në ndalesën përkatëse, njoftimi i vendosur në të lajmëron fillimin dhe mbarimin e kësaj greve:  “Njoftohen qytetarët se ditën e hënë, datë 16.12.2013, transporti i shërbimit urban në Tiranë do të fillojë në orën 08:30. Nga ora 5:30 deri në orën 8:30, Shoqata e Punonjësve ka shpallur grevë”.

Kreu i Sindikatës së Punonjësve të Transportit Urban, Zija Hasanaj, ka sqaruar për mediat, se shkak për nisjen e grevës është mosmarrja e pagave të shoferëve dhe fatorinove prej disa muajsh. Ndërkaq, kërkesa e sindikatës drejtuar Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Ekonomisë, konsiston në vendosjen e çmimeve dhe tarifave të tjera të biletës, si dhe ribursimin e biletave të studentëve dhe personave në nevojë.

Hasanaj ka paralajmëruar, se nëse qeveria nuk merr asnjë masë për kërkesat e tyre, ditën e hënë të javës së ardhshme do të zhvillohet grevë 24-orëshe.

Ndërkohë prej kohësh, Shoqata e Transportit Urban Qytetas ka ngritur shqetësimin për situatën e vështirë ekonomike në të cilën ndodhen kompanitë. Kjo për shkak të çmimit të rritur të karburantit, investimeve me mjete të reja dhe mossubvencionimit nga qeveria, për grupet që udhëtojnë pa pagesë.