Artan Fuga: Pushteti, vepër e të pafuqishmit

85

artan-fuga-veper-480x330Bisedoi Reldar Dedaj

Nëse ndokush do të ndalet krejt rastësisht në këtë bisedë, jam shumë i sigurtë se nuk do të ketë mundësinë të dëgjojë asgjë. Kjo, jo se ne po pipëzamë gjatë këtij dialogu, por se mbi të gjitha, si ashtu krejt pa kuptuar, vendosem të respektojmë si asnjëherë tjetër heshtjen. Ju garantoj se kjo nuk është aspak filozofi, përkundrazi; unë nuk jam i aftë, të ndjek në të njëjtën gjatësi vale profesor Artan Fugën. Megjithatë, si çdo gjë tjetër në këtë botë, si pa e kuptuar, i lamë edhe ne një shteg të vogël kësaj bisede; për ta dëgjuar edhe ndonjë kureshtar këmbëngulës. Në rreshtat që vijojnë, vendosem që turbullirat e ndryshme nuk do t’i trajtojmë si ca dosje të shkëputura, e as në mënyrë sistematike. Por, ecuria jonë do të jetë më tepër si ecuria e dy vegjeluesve nate në një kopsht, të nesërmen e stuhisë, ndërkohë që paralajmërohet një stuhi tjetër. Të pajisur me fener, porsi një Santa Claus, vazhduam të ecim me një hap të kujdesshëm në disa terrene shumë të vështira, e drejtuam tufën e rrezeve në pjesën e errët të qenies, pastaj nga një tjetër, pastaj kontrolluam disi realitetin, u kthyem mbrapsht, u përkulëm mbi një kujtim të braktisur; më pas filluam të marrim për nga një kep i lartë në det, e shuam fenerin, dhe u përpjekëm të rrokim me të gjitha shqisat pamjen e ofruar.  Ky njeri, s’është as shtinak, as dogmatik, as nuk ka dalë për të kërkuar ithtarë dhe në këtë realitet nuk i përket asgjë drejtpërdrejt. Por aij atje banon. Ndoshta kjo i mjafton, sa për t’u kujtuar se çdo gjë që mund të prekë këtë tokë, i takon drejtpërsëdrejti.

1-“Një intervistë me Artan Fugën? Më së fundi do të kuptojmë diçka!”. Kështu më kanë thënë disa kur i kam lajmëruar se do të bëja këtë bisedë me ju. Tregojnë që tekstet tuaja janë të vështira, në kufirin e lexueshmërisë. Ka zëra se disa lexues janë larguar qysh më parë prej këtij nami. Si e jetoni këtë? Është diçka që e keni kërkuar vetë apo përkundrazi, e vuani?

Mua më shqetëson sinqerisht e kundërta e kësaj. Pra që nuk kam mundësi t’i drejtohem lexuesit shqiptar me një nivel abstraksioni më të lartë dhe me një terminologji më të përpunuar teknikisht. Kjo më frustron, censuron, më çstrukturon mendimin. Një pjesë e studimeve të mia shkruar në frëngjisht kanë mbetur pa u përkthyer pikërisht sepse terminologjia e tyre nuk është për botimin masiv. Kohët tona janë të shoqërive të masave, por filozofia nuk është e masave, as shkencat sociale në aspektin e tyre teorik. Kurse, ka një mentalitet që edhe mendimin shkencor ta vendosim nën diktaturën e masave. Te ne kjo vjen edhe nga fakti se universitete kioska, sa publike aq edhe private kanë thirrur në arenën e dijes aftagjatë teorike dhe shtresa që nuk e kanë kapacitetin për këtë dhe as dëshirën. Ndërkohë, perversiteti që te ne ka më shumë tirazh shtypi i përditshëm politik sesa revistat, revistat sesa romanet, romanet sesa librat shkencorë, tregon se në cfarë gejndje jemi. T’i nënshtrohem masës në gjykime? As mos e kërko nga unë. Ndërkaq, unë kam edhe aspektin popullarizues në punën time, mijëra e dhjetra mijëra miq në facebook që më lexojnë për ditë, qindra studentë, mijëra blerës të librave të mi. Pra, indikatorët më tregojnë se aq sa duhet impakti masiv është jo keq. Se mos ata miqtë tuaj më lexojnë para gjumit…?!

2-Për t´ju lexuar, duhet të kesh nocione jo vetëm të filozofisë, por gjithashtu të psikoanalizës, të letërsisë, të historisë, të gjuhësisë si dhe të filozofisë së komunikimit…?

Unë nuk i ndaj këto nga njëra-tjetra, normale, është njësoj si të thuash që për të vajtur në Petrelë duhet të kalosh nga Sauku, Farka, etj. Janë ndarje artificiale dhe institucionale. Nuk kanë të bëjnë me ligjet e arësyes.

3-Për t´ju lexuar, duhet të kesh lexuar Artan Fugën…?

Pasi të kesh lexuar Artanin nuk besoj se ja vlen të më lexosh më mua.

4-Shpëtimi tek veçimi, a s´është njëlloj si të shpëtosh prej fatit? Prej fatit tuaj të filozofit, p.sh?

Sot çështja është si të shpëtosh prej turmës, masës së manipuluar dhe çetave të servilëve, jo si të shpëtosh nga vetja. Unë nuk dua t’i shpëtoj vetes, dua ta gjej. Nuk i besoj fare fatit. Fatin e kam ndërtuar vetë në jetë dhe për çdo ditë e kam shpikur jetën time. Sidomos karriera njëzetvjeçare në Francë më ka mësuar si të mbështetem vetëm te vetja, ta ndërtoj jetën çdo ditë, në një mjedis të huaj, derisa bëhesh me miq që në dallim nga familja nuk t’a jep fati, por i zgjedh e krijon vetë.  Kurse fatin e filozofit nuk i shpëtoj, por i nënshtrohem. Fati i filozofit është ai i Sokratit, edhe po s’e helmuan me helm në çast, i helmojnë jetën me mijra goditje, me moskuptime, keqkuptime, mospëlqime. Krishti u tha dishepujve : Si kujtoni ju, se duke qenë ndjekësit e mi, do të keni jetë më me pak mundime sesa unë? Edhe Sokrati kështu na tha kur u ndamë atë ditë në qelinë e tij, kur na refuzoi ndihmën tonë të arratisej, dhe piu helmin.

5-Keni kujtime prej frikës?

I kam harruar nga frika

6-Po cili duhet të jetë qëndrimi i një intelektuali në marrëdhëniet me veprimin politik?

Kundërshtar i politikës. Për politikën? Intelektuali nuk e kupton politikën. Kjo është taktika më e mirë e intelektualit për të bërë politikë. Midis politikës dhe arsyetimit shkencor ka një papajtueshmëri të plotë. Politika vepron si bardh e zi, midis po-së dhe jo-së, për të lajkuar masat elektorale. Kurse shkenca vepron me analiza përtej poleve konceptuale përjashtuese, me as po as jo, edhe po edhe jo, pra nuk përjashton, nuk premton asgjë, tregon të vërtetën e hidhur, nuk lajkaton, dhe mbi të gjitha nuk kërkon ndjekës.

7-Jeni një nga filozofët e rrallë që interesohen për psikoanalizën, që i jepni një vend në vepër, jo vetëm si një referencë e thjeshtë, por si një levarashmëri e vazhdueshme. A ka në të arsye filozofike, sipas interesit tuaj?

Thjesht, përtej çdo gjëje që thuhet apo ndodh, ka diçka të pathënë që e shpjegon, kurse ato që thuhen apo vethuhen janë sipërfaqësore, sigurisht jo rrena. Psikanalizë quhet kjo?. Nuk e di… Heshtja për mua është koncepti filozofik më i rëndësishëm, asgjëja është më e rëndësishme sesa qenia. Histori e gjatë. Unë qesh, shkrihem gazit, me ata gjojahistorianë që bëjnë historinë nisur nga dokumentat e gjetura. Harxhojnë mushkritë në pluhur bibliotekash kot. Historia e bazuar në dokumenta është histori e ngritur mbi pjesën e dukshme të ajzbergut, kurse pjesa e padukshme, ajo më e rëndësishmja, është e pathënë në dokumente. E njejta gjë në gazetari, politikë, ekonomi, etj. Pjesa që nuk shprehet është më e rëndësishmja. Miqtë tuaj që duan të kuptojnë ndonjë gjë nga kjo intervistë, duhet të lexojnë mirë heshtjen.

8-Atëherë, cila është lidhja mes përvojës suaj në psikoanalizë dhe shfrytëzimit të saj si humus ndërtues për librat tuaj. Kam parasysh librat; Rrota e mundimit, Brirët e Dhisë, Ikja nga Kompleksi i Rozafës, Shtigje drejt guvës së gjarpërit, Shoqëria periferike dhe ndoshta se fundi edhe romanin tuaj të parë që pritet të dalë shumë shpejt në treg me titull “Murgu”?

Histori e gjatë… Si mund t’i përmbledh në një frazë? Psh te libri Monolog (ju e keni harruar) unë argumentoj se ideologjia është shprehje e mentaliteteve kolektive popullore të pashprehura që pasi “lahen” nga ndërgjegjja dalin në formë sindromesh të zhvendosura në strukturat e veprimit ideologjik. Por, te ne psikanaliza në format e saj të ndryshme pothuajse njihet keq. Ose gabim.

9-Cilët janë filozofët apo mendimtarë të tjerë jashtë fushës së filozofisë që ju vozisni më shpesh në jetën tuaj?

Unë kam poshtë krevatit gjithmonë nja dhjet a njëzet libra të hedhura rrëmujthi. Kur shtrihem të fle kap qorrazi atë që më del përpara dhe e hap rastësisht duke lexuar ndonjë faqe atje ku më del. Këta vozis…! Kohët e fundit vozis shumë Jozef Stiglitz, një libër i trashë, i nobelistit financiar, i cili tregon sesa idiot është liberalizmi ekstrem dhe cilat janë reformat e vërteta politike dhe ekonomike që duhet të bëjnë vendet që nuk kanë më parà për të dalë nga para apokalipsit financiar sa nuk është vonë. E lexoj dhe … fle.

10-Çfarë ndodh me Artan Fugën në momentin kur kthehet në Qenan K?

Qenan K. do të bëhet si unë, jo e kundërta.

11-Në shumë autorë ekziston ideja se shpeshherë ata i kap një lloj “krize” në lidhje me librat e tyre, ju personalisht, jeni gjendur në të tillë ndjesie dhe kjo aksh gjë, mos ju ka bërë të ktheheni kundër vetë materialit tuaj dhe të urreni librin që keni bërë. A ka gjithmonë ndonjë krizë për çdo libër?

Gënjejnë për t’u bërë interesantë. Duhet të pyesësh ata për veten e tyre dhe jo mua për ata. Mua s’më ka kapur asnjë krizë për librat që bëj. Aq më shumë edhe kur nuk e dua një njeri nuk e urrej, vetëm e shmang me shumë mirësjellje, sepse urrejtja e madhe është një formë dashurie e pakuptuar. Një njeri që s’e do është vërtet humbje kohe edhe ta urresh. Mjafton injorimi… Unë i ndaj librat e mi në dy pjesë kohe, para 90, kur isha një studjues i ri, i formuar në shkollën marksiste, kur veç anëve që i quaj arritje për kohën ka edhe mbizotërim të ideologjisë marksiste të dogmatizuar nga rusët, dhe pas viteve 90, në vitet 2000, kur procesi krijues brenda meje u çlirua gradualisht. Ky është transformimi i brezit tim që në fakt inicioi dhe kreu edhe transformimin e shkollës shqiptare. Askush nuk na e njeh këtë veprim madhor, pra emancipimin e shkollës shqiptare nga dogmat e dikurshme, por s’ka problem.

12-Mos po kërkonit luftë kur shkruat librin “Rënia e qytetit”?

Unë nuk sulmoj gjërat që bien… Kujt i shpall luftë mjeku kur thotë : I sëmuri po mbaron…

13-Heroi juaj duhet të jetë gjithmonë i zemëruar, i mbytur me probleme, apo duke u ankuar?

Gjithsesi nuk është njeriu që del në punë vullnetare në orarin e punës ku nuk bën gjënë për të cilën paguhet. Por, është e vërtetë, unë nuk kam asnjë interes profesional për njeriun e lumtur. E lë në lumturinë e tij. Mua më intereson hallexhiu, qenia njerëzore në situata ekstreme, ai që po shkon të ekzekutohet, ai që e kanë vjedhur, i braktisuri nga të gjithë, i mashtruari, ndejk këshillën kristjane : Qendro me ata që janë më keq se ty sepse mjeku nuk rri me të shëndoshin, çfarë i duhet?

14-A ndjeheni ju i fuqishëm në Shqipëri?

Ata që ndihen të fuqishëm, ndodh sepse nuk e dinë sesa fragjile është qenia njerëzore. Unë jam fare i pafuqishëm dhe ky kusht ekzistence më jep forcë të paparë. Shteti si koncept, koncepti si universal, drejtësia, janë vepër e të pafuqishmëve. Cfarë e do pushtetin dhe shtetin një i fuqishëm? Cfarë e do ligjin një i fuqishëm? Shteti? Drejtësia, ligji, e pengojnë të fuqishmin. Duke qenë i pafuqishëm ndihem shumë i fuqishëm sepse nuk ma pengon arsyetimin asnjë interes. Për të arritur maja në krijimtarinë time do të doja të isha edhe akoma më shumë i pafuqishëm sesa jam. Ne do të ndërtojmë demokraci atëhere kur të kemi shtetarë të pafuqishëm. Unë mezi po pres tash gjashtë muaj që të përmbushet premtimi elektoral që ministrat t’i përzënë nga Kuvendi, mos jenë deputetë. Shihni sesa po zgjat kjo punë, pra sa vështirë është të kesh pushtetarë të pafuqishëm, ose të fuqishëm aq sa duhet. Unë kam idhull Françeskun, të shenjtin, që babai i pasur nuk e linte të ndihmonte të varfërit. I thoshte i jati, fabrikant pëlhurash, unë kam investuar te ti! Dhe Françesku i shenjtë për të shlyer çdo borxh u zhvesh, ja hodhi rrobat në oborr, lau të gjitha borxhet, dhe ashtu lakuriq iku tutje i zhveshur nga çdo interes drejt thirrjes së shpirtit të tij.

15-Ju nuk jeni shkrimtar, të paktën për disa kohë, por në librat tuaj ka heronj, që janë gjithmonë në transformim. Ju si jeni në krahasim me këta. Si mund ta përshkruani vetveten?

Çdo sekondë jam tjetër njeri. Si të gjithë. Por, disa nuk e kuptojnë që ndryshojnë…!