Liçaj: Do të ngre kallëzim penal ndaj Palokës

50
lici
Foto A1 Report

Specialisti i antidrogës në Policinë e Vlorës, Adrian Liçaj, ka reaguar sot në lidhje me akuzat e bëra nga Partia Demokratike.  Një ditë më parë kreu i grupit parlamentar të PD-së, Edi Paloka ka akuzuar dje qeverinë se ka vendosur në policinë e Vlorës një nga “ushtarët” e bandës së Zani Çaushit. Sipas Palokës lufta kundër drogës në vendin tonë tashmë është lënë në duart e ushtarit të Zanit. Ai ka bërë të ditur se do të kallëzojë penalisht kryetarin e grupit të PD-së, Edi Paloka, për dëmtim moral dhe përbaltje të Policisë së Shtetit.

“Në momentin që dukesha në video kam qenë në krye të detyrës si pjesë e policisë kriminale. Zoti Paloka ta nxjerrë të plotë atë video! Makina që dukej aty ishte makinë me gazetarë dhe filmimet janë bërë prej tyre”, ka thënë specialist i policisë së Vlorës, Liçaj.

Ai ka shtuar se, “akuzat e Palokës janë për motive politike, ndoshta edhe personale, se i janë cënuar interesat e ndonjë individi mbështetës të tij”, ka vijuar më tej Liçaj, duke sqaruar se, “unë jam efektiv i hershëm i Policisë së Shtetit.”

Ai ka theksuar se ka qenë në atë makinë “për të mbrojtur shtetin e dështuar të Edi Palokës” dhe se “do ta ndjek çështjen penalisht”.

Një ditë më parë, Partia Demokratike akuzoi qeverinë se në radhët e policisë së shtetit ka punësuar ish- anëtarin e bandës kriminale të Zani Çaushit e cila vepronte në Vlorë gjatë trazirave të vitit 1997.