Një gjykatë franceze ka urdhëruar të enjten Le Pen t’i nënshtrohet testeve psikiatrike, si pjesë e një hetimi mbi imazhet me përmbajtje dhune të fortë që Le Pen ka publikuar në rrjetet sociale, në lidhje me krimet e grupeve të Shtetit Islamik.
Menjëherë pas vendimit të gjykatës, Presidentja e Frontit Nacional ka reaguar ashpër, duke deklaruar se po i cënohet e drejta e lirisë së shprehjes.
“Është për t’u shokuar, tashmë jetojmë në një regjim që ka nisur të na fusë frikën! Mendoja se kisha të drejtën e lirisë së shprehjes, por jo! Drejtësia do të më nënshtrojë në teste psikiatrie, sepse në postimet e mia në Twitter kam denoncuar horroret e ISIS-it”.
“Sigurisht nuk do të shkoj,” shtoi ajo në korridoret e Asamblesë Kombëtare.
Akuza
Më 16 dhjetor të vitit 2015, Le Pen kishte postuar në Twitter foto ekzekutimesh makabër të kryera nga islamistë të ISIS. Kjo, vetëm për t’iu përgjigjur gazetarit Jean-Jacques Bourdin, i akuzuar nga Le Pen për paralelizmin që bën gazetari mes fondamentalizmit të ISIS-it dhe Frontit Nacional.
Asokohe, gjykata e Nanterre menjëherë hapi një kërkesë me akuzën e shpërndarjeve të imazheve të dhunshme nga Le Pen.
Rast i përsëritur
Në mars të vitit 2018, Marine “Marion” Le Pen u akuzua për “shpërndarjen e mesazheve të dhunshme, pornografike ose në kundërshtim me dinjitetin që mund të shihet apo perceptohet nga një i mitur “, një vepër e dënueshme me tre vjet burg dhe një gjobë prej 75,000 euro.