Nxjerrja e këtij ligji, ka ardhur si nevojë e sanksionimit të pjesëmarrjes së qytetarëve të Kosovës në konfliktet jashtë territorit, pas rasteve të evidentuara tashmë të pjesëmarrjes së dhjetëra personave në luftën e Sirisë.
Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, ka thënë se ky projektligj ka ardhur për qëllim mbrojtjen e interesit shtetëror dhe sigurisë kombëtare. Sipas tij, është vërejtur një trend i rritjes së numrit të individëve të cilët me rritjen e vatrave të krizës në botë e me qëllim të realizimit të përfitimit të sferave të tyre të interesit po u bashkohen në formë të organizuar apo të pavarur kryengritjeve apo konflikteve të ndryshme jashtë vendit.
Edhe pse ky projektligj u miratua në parim, Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia e Drejtësisë, janë shprehur kundër votimit, duke thënë se nëse dëshirojnë ta bëjnë parandalimin e qytetarëve të Kosovës në organizatat terroriste apo grupet terroriste, atëherë kjo gjë duhet të rregullohet me një ligj kundër terrorizmit.
Marrë nga ‘Kosovapress’