Kryeministri Hashim Thaçi, i pyetur se a do të ketë shpërndarje të Kuvendit këtë javë, ka thënë se më parë duhet të kalohen çështje të rëndësishme për shtetin e Kosovës.
“Gjithë spektri politik kosovar është në një zhvillim të debateve të brendshme, që do të çojnë drejt vendimmarrjeve të rëndësishme në veçanti për formimin e Forcave të Armatosura të Kosovës -ushtrisë së Kosovës, për ligjin e ri zgjedhor, gjithashtu edhe të votimit të Gjykatës Speciale dhe pastaj do të shohim hapat e përbashkët që do të ndërmarrë skena politike kosovare. Pra, duhet të kalohen këto çështje, të cilat janë të rëndësishme, jetike, për shtetin dhe shoqërinë kosovare”, është përgjigjur kryeministri Thaçi.
Ndërsa, i pyetur lidhur me votimin për themelimin e Gjykatës Speciale, kreu i qeverisë kosovare është përgjigjur se “qëndrimi ynë është se kjo çështje është e padrejtë, është një proces komplet politik, është edhe një fyerje për Kosovën. Por, si rezultat i bashkëpunimit tonë të ngushtë dhe besimit të plotë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Bashkimin Evropian dhe NATO-n, qëndrimi jonë është që të votohet në Kuvendin e Kosovës”.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, u është përgjigjur kështu interesimeve të medias, pasi dje pasdite ka bërë përurimin e Fabrikës së djathit të dhisë, në fshatin Kijevë të komunës së Malishevës.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka deklaruar për median se ende s’ka ardhur asnjë kërkesë zyrtare për shpërbërjen e Parlamentit. Ai i ka quajtur joserioze deklarimet se Parlamenti do të shpërbëhet brenda javës.