Basha: Qeveria është në dijeni të trafikut të drogës

64

Hipoteka-per-5-mije-banesaKryetari i Partisë Demokratike gjatë mbledhjes së grupit u shpreh, se qeveria ka të njëjtat informacione nga rrugë zyrtare siç i ka edhe opozita në lidhje me implikimin e Forcave të Armatosura në trafikun e drogës.

“Ata kanë akuzuar opozitën se po shpifte. Nuk është hera e parë dhe as e fundit, që kjo qeveri është në armiqësi me transparencën dhe mirëqeverisjen. Informimi është një e drejtë e qytetarëve. Për këtë arsye deputetët tanë kanë kërkuar një seancë dëgjimore me ministren e Mbrojtjes. Kryeministri ngado që sillet dhe ngado që të përdridhet nuk i ikën dot detyrimit për t’u përgjigjur se, çfarë ka bërë me informacion që të ngre mornicat, me informacionet e policisë, me atë të partnerëve tanë”, nënvizoi gjatë fjalës së tij, kreu i PD-së, Basha.

“Nuk tërhiqemi për asnjë arsye nga kërkesa për transparencë në Kuvend. Kjo është një çështje që ka të bëjë me kapjen apo jo të qeverisë nga krimi i organizuar. Janë informacione zyrtare që posedojmë ne dhe qeveria. Ne s’kemi akuzuar dhe nuk kërkojmë përgjigje nga FA, dinjitetin e të cilëve e kemi ngritur me anëtarësimin në NATO. Nuk po vëmë njolla, por po duam të heqim njollat që kanë lënë trafikantët, sipas informacioneve që kemi të dyja palët”, tha kreu opozitës.

Ai e ka cilësuar qesharake kërkesën e mazhorancës për ngritjen e një komisioni hetimor në lidhje me akuzat për përfshirje të Forcave të Armatosura në trafikun e drogës. Basha theksoi se, mazhoranca po mban qëndrimin e dikujt “që e ka mizën nën kësulë”.

“Të enjten e kaluar u munduan të silleshin si gaztorë, këtë të enjte kanë paralajmëruar të sillen si të shkalluar. Duan të hetojnë pse e tha ai që e pa, pse nuk mbyllën sytë specialistët në ushtri apo Policinë e Shtetit, pse e panë. Duan t’i japin mësimin e heshtjes këtyre punonjësve dhe përmes tyre edhe drejtësisë”,- deklaroi Basha.

Dy ditë më parë, maxhoranca zyrtarizoi kërkesën për ngritjen e një komisioni i cili kërkon “zbardhjen e plotë të motiveve dhe arsyeve, verifikimin e plotë të fakteve dhe të provave që provojnë ose përgënjeshtrojnë akuzat e artikuluar publikisht nga përfaqësues të lartë politikë kundrejt Forcave të Armatosura për vënien në dispozicion të infrastrukturës së ushtrisë për veprimtari kriminale: transport i lëndëve narkotike”.