Korrupsioni, TI: Shqipëria e fundit në rajon, në “zonën e kuqe”

49

korrupsioniOrganizata “Transparency International” ka publikuar Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2013, duke renditur 177 vende në bazë të niveleve të tyre të korrupsionit në sektorin publik.

Shqipëria këtë vit ka pësuar rënie në renditjen e “Transparency International”, në krahasim me vitin e kaluar, duke zënë vendin e 116-të, ndërsa një vit më parë mbante vendin e 113-të. Në vitin 2013 Shqipëria është vlerësuar me 31 pikë nga 100 pikët e mundshme, së bashku me Nepalin dhe Vietnamin. Krahasuar me vendet e rajonit Shqipëria renditet e fundit.

Kosova këtë vit radhitet përpara Shqipërisë, në vendin e 111-të (së bashku me Tanzaninë dhe Etiopinë). Krahasuar me vendet e tjera të rajonit, Kosova mban pozitë më të avancuar vetëm ndaj Shqipërisë, e cila renditet në vendin e 116-të. Në fakt, janë vetëm Kosova dhe Shqipëria dy vendet që janë radhitur në “zonën e kuqe” të korrupsionit. Mali i Zi është renditur në vendin e 67-të, duke rënë nga vendi i 75-të ku ishte radhitur vitin e kaluar.

Përmirësime në krahasim me vitin e kaluar kanë shënuar edhe Kroacia me vendin e 57-të nga vendi 62, pastaj Serbia me vendin e 72-të nga 80, kurse Maqedonia është radhitur në vendin e 67-të, ndryshe nga pozita e 69-të vitin e kaluar.

Në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2013, Danimarka dhe Zelanda e Re zënë vendin e parë, kurse vendin e fundit me numër 177 e ndajnë Afganistani, Koreja Veriore dhe Somalia.