Avokati i Popullit: Alternativa për të miturit, burgu të eleminohet

44

Igli-Totozani-Deklarate-NOANë konferencën “Mbrojtja dhe promovimi i të drejtave të fëmijëve”, Avokati i Popullit Igli Totozani ka theksuar nevojën e gjetjes së zgjidhjeve alternative për fëmijët e mitur që thyejnë ligjin, në mënyrë që ata të mos mbyllen në qeli.

Gjatë fjalës së tij, Avokati i Popullit tha se një numër i madh fëmijësh në vendin tonë shfrytëzohen në punë, madje edhe shumë të rënda për moshën, duke rekomanduar hartimin e një plani kombëtar për eliminimin e punës së fëmijëve.

“Të gjithë të hartojmë planin kombëtar të eliminimit të punës së fëmijëve, si një detyrim ligjor e moral. Konsolidim e përmirësim të sistemit të përkujdesjes shoqërore të fëmijëve në nevojë”,- tha Totozani.

Avokati i Popullit shtoi me tej se mungesa e dispozitave ligjore për rehabilitimin e fëmijëve që kanë qenë viktima të dhunës, dëshmitarë të saj apo të abuzuar seksualisht e vështirëson punën, duke kërkuar ndërhyrje edhe në këtë pikë.

“Fëmijët e ngujuar janë tjetër çështje e nxehtë e mosrespektimit të të drejtave themelore të fëmijëve. Identifikimin e fëmijëve të ngujuar që janë jashtë sistemit arsimor. Duhet ligj për ngritjen e këshillit koordinues për luftën kundër gjakmarrjes, pasi në këtë fenomen viktimat kryesore janë fëmijët. Nuk duhet të trajtojmë vetëm pasojat e këtij fenomeni, por ta luftojmë në zemër atë”, – u shpreh ndër të tjera Avokati i Popullit.