Kuqezinjtë e trajnerit Skënder Gega, kanë vijuar të mos paraqesin një fytyrë shpresëdhënëse në këto kualifikuese, duke mbetur vetëm në kuadrin e disa veprimeve individuale të lojtarëve. I tillë ka qenë edhe goli i nderit për tanët, shënuar në fundin e pjesës së parë, me autor Fabio Hoxhën.
Loja ka nisur e shpejtë dhe tepër këmbëngulëse për boshnjakët, që tregojnë qartë ambiciet dhe superioritetin e tyre kualitativ. Kuqezinjtë tanë detyrohen të ngjeshen në mbrojtje pa dalë dot në gjysmëfushën e kundërshtarit. Vetëm 17 minuta lojë rezistojnë tanët, pasi vendasit bëjnë golin e parë më anë të Mesanoviç, që zhbllokon shifrat dhe vë në shinat e duhura suksesin e të tijve. Në minutën e 29-të, Kajiç do të realizonte golin e dytë në portën e Menkës. Në dhjetë minutat e fundit të pjesës së parë ka njëfarë zgjimi të tanëve, duke e hedhur disi vështrimin nga porta boshnjake. Goli i shpresës, që mund të hapte ndeshjen, erdhi pas një veprimi të bukur individual të Fabio Hoxhës në minutat shtesë të pjesës së parë. Skuadrat shkojnë në dhomat e zhveshjeve me rezultatin 2-1, por pjesa e dytë do të jetë një ferr i vërtetë. Në minutën e 67-të, Mesanoviç shënon golin e dytë personal dhe të tretin për skuadrën e tij. Minuata në vijim kombëtarja jonë e shpresave mundohet të reagojë, por pëson një tjetër gol në minutat shtesë, duke e mbyllur gjithëçka me pokerin 4-1.
Kuqezinjtë tanë mbeten në kuotën e zero pikëve në grupin 4 pas dy ndeshjeve, ndërsa Bosnja merr tri pikët e para, aq sa ka edhe Hungaria, me nga një ndeshje të luajtur deri më tani. Dy skuadrat e tjera të grupit tonë, Austria dhe Spanja nuk kanë luajtur ende asnjë kualifikuese.