Protagonisti i ngjarjes është 37-vjeçari Ioane Teitiota, një qytetar nga Kiribati, një shtet i vogël në Paqësor me pak më shumë se 100.000 banorë, ishujt koralorë të të cilit kanë lartësi prej pak metrash mbi nivelin e detit dhe janë të kërcënuara nga ngritja e nivelit të ujit dhe efekte të tjera të ndryshimeve klimatike, si ndotja e ujit të pijshëm, shkatërrimi i të lashtave dhe përmbytja e shtëpive.
Teitiota u largua nga Kiribati me bashkëshorten e tij gjashtë vjet më parë për një perspektivë më të mirë në Zelandën e Re, ku lindën dhe tre fëmijët e tyre.
Gjykata e Emigracionit e refuzoi dy herë kërkesën sipas së cilës ngritja e nivelit të detit mund ta rrezikojë së tepërmi kthimin e familjes në Kiribati. Si pasojë, Teitiota iu drejtua Gjykatës së Lartë të vendit për zgjidhjen e çështjes.
“Konventa e refugjatëve që hyri në fuqi në fund të Luftës së Dytë Botërore duhe të ndryshohet, duke përfshirë edhe personat që u largohen katastrofave klimatike dhe ajo që po ndodh në ishujt e vegjël të Paqësorit është e tillë”, u shpreh avokati i çështjes, Michael Kidd.
Ndërkohë, qeveria në Kiribati ka blerë toka të reja në ishujt Figi për kultivim ushqimi dhe ndërtimin e banesave për qytetarët e transferuar si pasojë e ngritjes së nivelit të detit.