Siç raporton Panorama, Dendias është takuar me punonjësit e policisë, të cilët arrestuan 3 të dënuarit shqiptarë, ku i ka përgëzuar për punën e bërë.
Gjatë takimit, duke parë edhe problemet që dolën gjatë këtij aksioni, ministri tha se do të pajisë menjëherë me automjete komisariatin, kamera termike dhe mjete të tjera ndihme.
“Unë do të doja që në emër të kryeministrit Antonis Samaras dhe në emër të qeverisë të uroj punonjësit e policisë që u përfshinë në një aksion të rrezikshëm për kapjen të arratisurve shqiptarë. Unë mendoj se policët kanë treguar në mënyrë të qartë se çfarë ofron dhe përfaqëson policia greke, në përpjekjen e saj për të mbrojtur jetën, pronën, dinjitetin e qytetarëve greke”, tha Dendias.
Ndërkohë pas kapjes së shqiptarëve në Kostur, Agimi i Artë i kërkon qeverisë greke bllokimin e kufirit me Shqipërinë, duke kërkuar ngritjen e kampeve, dëbimin e shqiptarëve, kthimin e ushtrisë në kufi etj.
Sipas Shqiptarja.com, në kërkesën e tyre, partia e Agimit të Artë shkon deri aty sa të kërkojë edhe vënien e minave anti-njeri në kufirin Shqipëri-Greqi.