Indi, sërish përdhunim në grup

64

violenza(1)Pesë persona kanë përdhunuar një fotografe në kryeqytetin Mumbai ka njoftuar policia e këtij vendi të premten.

Ky incident rikthen në vëmendje një sulm të njëjtë që ndodhi tetë muaj më parë në Nju Delhi që nxiti protesta masive në këtë shtet.

Incidenti i fundit ndodhi një ditë më parë në një zonë të izoluar të Mumbait ku vajza 23-vjeçare ishte duke e realizuar një reportazh për një revistë në lidhje me ndërtesat e vjetra në këtë zonë së bashku me një koleg të saj, mashkull.

Lajmi i është konfirmuar AFP-së nga një oficer policor indian.

“Dhunuesit fillimisht e kanë rrahur djalin, e kanë lidhur atë dhe më pas e kanë përdhunuar femrën në një zonë të mbyllur në Shakti Mills”, ka thënë polici në kushte anonimiteti.

Vajza është duke u trajtuar në një spital të qytetit ndërsa ka arritur të identifikojë emrat e dy nga pesë dhunuesit pasi ajo i ka dëgjuar ata ta thërrasin njëri-tjetrin derisa e përdhunonin.

Në dhjetor, një vajzë tjetër 23-vjeçare ishte lënduar jashtëzakonisht rëndë kur u sulmua dhe u dhunua seksualisht nga pesë persona brenda një autobusi në lëvizje në Nju Delhi.

Vajza vdiq më vonë për shkak të plagëve të marra, ndërsa djali që ishte së bashku me të, ishte rrahur.

Incidenti i djeshëm i ka shokuar të gjithë në Mumbai pasi qyteti kryesor financiar në këtë shtet konsiderohet si më i sigurti për femrat në Indi.