Bashkë me këtë ndryshim, që u kundërshtua nga opozita si sulm politik ndaj Presidentit, kaluan edhe disa ndryshime të tjera që synojnë forcimin e rolit të ILDKP-së për kontrollin e pasurisë së zyrtarëve.
“Si ta forcojmë ILDKP-në ta kthejmë në një antivirus për këtë fenomen sistematik. Problemi i deklarimit të pasurisë është një nga problemet më të manipuluara në Shqipëri”, tha Pandeli Majko, deputet i PS-së.
“Unë do të thoja që nuk është antivirus sepse nuk po injektojmë gjë në shoqëri në këtë mënyrë. Ne po përpiqemi në një farë mënyre të kemi një dac që të mbajë larg minjtë, ka 11 vjet që daci shkon jashtëzakonisht mirë me minjtë” tha Gent Strazimiri, deputet i PD-së.
Mazhoranca beson se ndryshimet në ligjin për kontrollin e zyrtarëve do të përmirësojnë punën e këtij institucioni, ndërsa opozita shfaqi shqetësimin e marrjes së të gjitha pushteteve nga shumica. Duke e konsideruar një cenim të rëndë të kompetencave të Presidentit heqjen e të drejtës për të propozuar kreun e ILDKP-së, opozita u largua nga Komisioni i Ligjeve, ndërsa mazhoranca miratoi ndryshimet dhe sqaroi se tek vullneti i deputetëve të mazhorancës nuk ka ndikim Kryeministri Rama.