Hetimi, reagon Gjika: Jam i shokuar

58

gjikaKryebashkiaku i Vlorës, Shpëtim Gjika, ka reaguar menjëherë pas deklaratës së prokurorisë për marrjen e tij si person i pandehur ,nën akuzën e falsifikimit të lejeve të ndërtimit.

Në një prononcim për “Ora News”  nëpërmjet telefonit, Gjika është shprehur se do të marrë kohën e mjaftueshme për të reaguar në lidhje me akuzat.

 “Jam i shokuar nga deklarata e prokurorisë. Deklarata u bë në një ditë të diele, kur prokuroria është pushim. Do të  marr kohën e mjaftueshme për të reaguar”, -mësohet të ketë thënë Gjika.

Kryetari i Bashkisë së Vlorës është akuzuar sot nga Prokuroria e Përgjithshme se në cilësinë e Kryetarit të KRRT-së së Bashkisë Vlorë, në bashkëpunim më të pandehurën Eleni Dardhaj, në cilësinë e punonjëses në Drejtorinë e Planifikimit të Territorit pranë Bashkisë Vlorë, kanë falsifikuar përmbajtjen e dy proces verbaleve të mbledhjes së KRRT-së së Bashkisë Vlorë, përkatësisht të datës 24.03.2010 dhe 15.07.2010.

“Dy lejet e ndërtimit që përmenden në këto dokumente sikur janë marrë në shqyrtim dhe janë miratuar nga KRRT-ja e Bashkisë Vlorë, në të vërtetë nuk janë shqyrtuar dhe nuk janë miratuar nga KRRT-ja e Bashkisë Vlorë.  Sa më sipër, të pandehurit Shpëtim Gjika dhe Eleni Dardhaj janë akuzuar për kryerjen e veprës penale “falsifikim i dokumenteve”, të kryer në bashkëpunim, dy herë”, -ka thënë Fjorida Ballauri, drejtoresha e kabinetit të Prokurorisë së Përgjithshme, në deklaratën për shtyp.