Greqia sot presidente e BE, Samaras: Do nxisim rritjen ekonomike

55

samaras1Greqia merr sot presidencën e radhës të BE-së për herë të pestë. Ekspertët mendojnë se megjithë krizën Greqia do të kujdeset për një presidencë të mirë dhe të orientuar nga rezultatet. Greqia e merr presidencën e radhës të BE-së për herë të pestë. Më parë ajo ishte presidente në vitet 1983, 1988, 1994 dhe 2003. Si thuajse asnjë vend tjetër i BE-së Greqia donte ta përdorte në të kaluarën këtë funksion për një Evropë sociale.

Por sukseset e saj ishin modeste. Në vitin 1988, kryeministri i atëhershëm grek Andreas Papandreu nguli këmbë për një Kartë Sociale Evropiane, por kjo u arrit një vit më vonë nën presidencën franceze. Në vitin 1994 në rend të ditës dolën negociatat mbi zgjerimin e BE-së në pjesën veriore, kurse në vitin 2003 përpjekjet e Athinës për një Evropë sociale u zbehën plotësisht nga kriza në Irak.

Në krye të përpjekjeve të Greqisë si presidente e radhës 2014 do të jenë sidomos programet për punësimin e të rinjve dhe financimi i tyre. Sylvana Rapti beson se këtë vit Greqia do t’ia dalë me përpjekjet e saj, sepse thirrjet për një Evropë më sociale po bëhen gjithnjë e më të larta. Eurodeputetja Rapti beson se jo vetëm në Greqi, por edhe në Gjermani, Francë apo Britaninë e Madhe njerëzit ëndërrojnë për një Evropë sociale.
Greqia e ka të qartë se pas reformës së Lisbonës në vitin 2009 shteti që ka presidencën e radhës nuk ka më rëndësinë e dikurshme.Këtë e tha në një intervistë me revistën ekonomike greke Naftemporiki edhe ministri i Jashtëm grek Evangelos Venizelos.

Profesor Ioakeimidis mendon megjithatë se edhe pas Marrëveshjes së Lisbonës, shteti që ka presidencën e radhës ka mundësi që të ndikojë në politikën evropiane si një ndërmjetës i ndershëm dhe pikë lidhëse mes institucioneve të Evropës, Komisionit, Parlamentit dhe qeverive të vendeve anëtare, në mënyrë që këto të bien në qëndrime të përbashkëta.
Greqia nuk do të abuzojë me presidencën e radhës për të zgjidhur problemet e saj, siguron profesori për Politikën Evropiane. Natyrisht që gjatë presidencës do të diskutohet edhe për regullimin e borxheve greke, por kjo nuk ka të bëjë me gjërat e tjera: “Presidenca e BE-së do të jetë evropiane,dhe jo një presidencë greke,” shpjegon Ioakeimidis.

Eksperti i Evropës Panajotis Ioakeimidis thotë se një ndër pikërëndesat e presidencës greke të BE-së do të jetë edhe politika e refugjatëve dhe e emigrimit. Në këtë fushë ka tensione mes interesave të çdo vendi dhe politikës së përbashkët evropiane. Panajotis Ioakeimidis nuk beson se Greqia do të verë në rend të ditës ndryshimin e Marrëveshjes së Dublinit për politikën ndaj refugjatëve, por mendon se në këtë marrëveshje ka gjëra që mund të përmirsohen. Në rend të ditës do të jetë tema të tilla si agjencia për mbrojtjen e kufijve FRONTEX apo konsultime të grupit të punës për Mesdheun.

Megjithatë Greqia vazhdon të jetë në një krizë të thellë ekonomike. Papunësia është 27% duke shënuar një rekord negativ. Taksat po rriten. Shpenzimet në sektorin publik po bien. Qindra miliarda euro janë ngrirë në borxhe. Gjenda po përmirësohet shumë ngadalë, një situatë kjo që deputeti grek Konstantinos Karagkounis e konsideron si “katastrofë humanitare”.

Karagkounis, që i pëket partisë konservatore të kryeministrit Antonis Samaras, gjatë një vizite në Berlin tha, se ndonëse treguesit janë në ngjitje, situata e grekëve të zakonshëm është dramatike. “Ne duhet t’i bëjmë ballë kësaj situate të vështirë. Presidenca greke në BE duhet të menaxhojë sfida të mëdha.” Greqia më 1 janar 2014 merr për gjashtë muaj drejtimin e presidencës së radhës në BE. Qeverisë greke i duhet të drejtojë qindra mbledhje, të organizojë negociata komplekse dhe 13 senca të Këshillit të Ministrave në Athinë.

Shumë grekë e konsiderojnë kontrollin e buxhetit nga e ashtuquajtura trojka e përbërë nga Komisioni i BE-së, Banka Qendrore Evropiane dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar si një pushtim të huaj. Trojka në konsultimet për buxhetin i ka premtuar qeverisë greke 50 milionë euro për presidencën e BE-së. Por vetëm 50 milionë euro, sipas eurodeputetit liberal Jorgo Chatzimarkakis nuk mjaftojnë: “Grekët gjashtë muajt e ardhshëm duhet t’ia dalin me një buxhet që është rreth 40% më i ulët se ai i presidencës aktuale të Këshillit të BE-së.” Gjatë menaxhimit dhe duke marrë parasysh numrin e lartë të veprimtarive duhet kursyer fort, thotë Chatzimarkakis.

“Por ndërkohë grekët janë ambjentuar me kursimet dhe besoj, se ata mund të vendosin edhe norma në këtë aspekt se si mund të menaxhohet në të ardhmen presidenca e BE-së në mënyrë efikase duke mos përdorur shumë para nga taksat.” Ministri grek për Europën, Dimitris Kourkoulas, deklaroi madje, se ai do që t’i bëjë ballë presidencës edhe me më pak para nga sa është miratuar për buxhetin. “Ujë mineral dhe verë spumante si në Spartë”, u shpreh një punonjës i ambasadës greke në BE.

Kryeministri grek Antonis Samaras dha gjatë një takimi me Presidentin e Komisionit Evropian Hoze Manuel Barroso në Bruksel një pasqyrë të prioriteteve kryesore të Greqisë si presidente e radhës e BE-së. Athina do të nxisë rritjen ekonomike dhe kohezionin social të Evropës dhe do të kujdeset për politikën e refugjatëve në BE. Po ashtu Samaras do t’i japë përparësi edhe përsosjes së Unioni Bankar.

Në lidhje me rritjen ekonomike qeveria greke e koalicionit mes konservatorëve dhe socialistëve do të japë shembullin e saj dhe ta surprizojë BE-në pozitivisht: Greqia do që në vitin 2014 t’i lërë pas ndihmat ndërkombëtare dhe të kthehet në rrugën e zhvillimit. Por aktualisht këtë gjë e besojnë vetëm pak vetë në Evropë. Madje ka edhe nga ata që tërheqin vëmendjen, se ndoshta grekët mund të mbingarkohen me presidencën e BE-së, duke pasur parasysh gjendjen e vështirë ekonomike të vendit.

Megjithë krizën Greqia do të kujdeset për një presidencë të mirë dhe të orientuar nga rezultatet beson Panajotis Ioakeimidis, profesor për Politikën Europiane në Universitetin e Athinës. Tek e fundit grekët duan që përmes një kryesimi të suksesshëm të BE-së të përmirësojnë imazhin e vendit dhe të rivendosur besueshmin. “Dhe kjo do të ketë sukses, unë jam i bindur,” thotë profesori nga Athina.

Kështu beson edhe eurodeputetja socialiste Sylvana Rapti, e cila konsiderohet si mike e ngushtë e ministrit të Jashtëm grek Evangelos Venizelos. Rapti thotë se dyshimeve në lidhje me aftësinë e Greqisë për të përballuar me presidencën “bëhen nga ligësia” dhe shton “për krahasim edhe presidenca belge në vitin 2010 u shoqërua me shqetësime, sepse belgët në atë kohë nuk kishin as qeveri, por ata bënë një presidencë të mirë, dhe kriza e brendshme nuk e preku veprimtarinë evropiane”.