Greqi, borrxhi kap ‘majat’

47

euroBorxhi grek ka tejkaluar shifrën 321 miliardë euro.

Shifrat publikohen në shtypin vendas, ku thuhet se borxhi është shtuar në 6 mujorin e parë të vitit me 16 miliardë euro.

Sipas gazetës “To Vima”, borxhi është 18 miliardë euro më i lartë nga muaji qershor i vitit 2012, kur qëndronte në 303 mld euro, madje ka shënuar rritje edhe krahasuar me vitin 2009, koha kur shpërtheu kriza greke.

Shuma e huamarrjes, me të dhënat aktuale, korrespondon me 180% të GDP-së, dhe pavarësisht arritjes së një tepricë primare, ka ngritur shqetësimin në ekipin ekonomik të qeverisë greke, i cili është në kërkim të mënyrave për t’u marrë me të.

Analistët janë të ndarë lidhur me faktin nëse borxhi publik grek, në këtë masë, mund të trajtohet në mënyrë efektive, pa një “prerje” të re.

Ndërkaq, në frymën e diskutimeve për një paketë të tretë ndihme për Greqinë, ministri i Financave ka deklaruar se “nëse Greqisë i duhet një paketë e re stimuluese nuk do të ketë shkurtime dhe masa të reja” dhe se “një mbështetje e mëtejshme në Greqi do të jetë afërsisht 10 miliardë euro, pra një shumë mjaft e vogël në krahasim me memorandumet e mëparshme. Sipas tij, “nuk po flasim për memorandum të ri, por për një paketë financiare mbështetjeje pa kushte të reja mbi objektivat e caktuara”.

Rreth perspektivës së borxhit grek, Sturnaras sqaron, se nuk ekziston mundësia e prerjes së tij. “Nuk ka asnjë ulje të borxhit. Por ekziston baza ligjore e vendimit të Eurogrupit të nëntorit 2012, për zgjatjen e afatit të shlyerjes së tij dhe për reduktimin e normës së huadhënies”.

Duke iu përgjigjur pyetjes, se kur do të jetë e mundur që vendi të marrë hua nga tregjet, Sturnaras deklaron se kjo varet nga dy faktorë: “Së pari, nga teprica primare dhe, së dyti nga rritja pozitive e PBB për dy tremujorë radhazi”, dhe konsideron se këto dy objektiva do të arrihen në vitin 2014. “Në fund të 2013 do të përcaktohet nëse do të ketë përfundimisht një tepricë primare këtë vit. Bazuar në rezultatet e 2013 do të merren dhe vendimet nga Bashkimi Evropian mbi shumën e fondeve të reja, zgjatjen e afatit të shlyerjes së borxhit dhe për reduktimin e normave të huamarrjes”, përfundon ministri.