Arrestimi është kryer me urdhrin e prokurorit të Gjykatës Supreme, i cili ka lëshuar plot 36 urdhërarreste, nga të cilat janë zbatuar 14.
Mësohet se është arrestuar deputeti neonazist Janis Lagos, ndërsa janë vetëdorëzuar deputetët Ilia Panajotaras dhe Jorgos Gjermeni. Në pranga është vënë edhe Jorgos Patelis, kreu i organizatës lokale të Agimit të Artë në Nisë si dhe kryetari i degës së parties, në zonën ku u vra këngëtari Pavlos Fissas.
Prokurori i Gjykatës së Lartë, që ka marrë përsipër cështjen e Agimit të Artë, disponon regjistrime telefonike dhe të tjera dëshmi, që provojnë se deputetët dhe të arrestuarit e tjerë ishin të përfshirë në veprimtari kriminale. Të dhënat që dalin nga bisedat e kryera, flasin për 10 vrasje dhe tentativa për vrasje, duke përfshirë edhe vrasjen e këngëtarit Pavlos Fissas.
Vepra penale, për të cilën po hetohen dhe akuzohen, mbështetet në nenin 187 të Kodit Penal, i cili lejon arrestimin e deputetëve, pa e hequr imunitetin e tyre, ndërkohë që sipas Kushtetutës të arrestuarit kanë të drejtë ta mbajnë imunitetin derisa drejtësia t’i nxjerrë fajtorë për akuzën që mbajnë.
Mes të arrestuarve edhe 2 oficerë të policisë greke.
Nësohet se gjatë kontrolleve, në shtëpinë e kreut të partisë, Nikos Mhaloliakos, janë gjetur armë të paligjshme.
Ndërkohë janë në kërkim deputetët e Agimit të Artë, Kristos Papas dhe Nikos Mihos.
Deputeti Kristos Papas foli në në radio Real FM, ku ka deklaruar se është i lirë. “Po lëviz lirisht dhe nuk shoh askënd”, tha Papas i cili shtoi se akuzat e qeverisë kundër deputetëve, janë të pashembullta. “Qeveria është organizatë kriminale, që në bashkëpunim me Trojkën po shkatërron Atdheun”, tha deputeti neonazist duke shtuar se “Samaras po përpiqet ta zhytë vendin në luftë civile, por kjo nuk do të lejohet”.