Prindërve tashmë u njihet e drejta për ta lënë pa plotësuar sektorin e gjinisë në certifikatat e lindjes. Sipas vendimit, ky hap krijon automatikisht një kategori të re në certifikatat e lindjes kategorinë X, e “gjinisë së papërcaktuar”.
Vendimi synon që të heqë presionet ndaj prindërve për të përcaktuar gjininë e fëmijëve në certifikatën e lindjes, menjëherë pas lindjes.
Të paktën 1 në 2 mijë të sapolindur në Gjermani ka karakteristikat e të dyja gjinive. Kjo kategoria njihet ndryshe edhe si “interseks” për shkak se të lindurit kanë një miksim kromozomesh femërore dhe mashkullore njëkohësisht.
Vështirësia më e madhe qëndron te prindërit, të cilët duhet të përcaktojnë me patjetër gjininë e fëmijës së tyre për t’u regjistruar tek autoritetet. Por zgjedhjet shpesh kanë rezultuar të gabuara. Shpesh të lindur të kësaj kategoria që janë regjistruar në certifikatën e lindjes si meshkuj apo femra, gjatë kalimit të viteve u janë nënshtruar operacioneve për të kaluar në anën tjetër, duke shkaktuar pështjellim në dokumentet identifikuese.
Në disa raste të lindurit e kësaj kategorie, me mirëkuptimin e prindërve u nënshtrohen operacioneve të mjekëve për t’u përcaktuar përfundimisht ose mashkull ose femër. Por jo gjithmonë këto operacione janë të suksesshme.
Dëshmia e një të linduri shumë vite më parë më të tillë “anomali” se ai/ajo nuk ishte as mashkull dhe as femër, por një “krijesë e ndërmjetme, falë operacionit të mjekëve” ngjalli protesta dhe vuri në lëvizje autoritetet për korrigjimin e dokumentacionit.
Certifikatës tradicionale të lindjes në Gjermani në pjesën e përcaktimit të gjinisë M për meshkujt dhe F për femrat, do t’i shtohet edhe X që nënkupton kategorinë e ndërmjetme, gjininë e papërcaktuar apo asnjanëse.