“Marrëveshja me Italinë është mbyllur”, kështu është shprehur ministri i Brendshëm gjerman, Horst Seehofer (CSU) në Bundestag të mërkurën. Mungojnë vetëm dy nënshkrime, ajo e tij dhe e ministrit të Brendshëm italian, Matteo Salvini. “Por, për të kursyer kostot e udhëtimit, ne do t’i shkëmbejmë dokumentet”, tha Seehofer, duke theksuar se kjo do të zgjasë disa ditë. “Ky është sukses.”
Italia: Pa firmë – pa marrëveshje
Por në Itali duket se nuk e ndajnë qëndrimin e Seehoferit. Sipas qarqeve të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Italisë, për sa kohë që nuk ka nënshkrim, as marrëveshja nuk quhet e mbyllur. Kreu Matteo Salvini, nga kampi djathtist, do të flasë për këtë temë në konferencën e Vjenës për temën e sigurisë dhe migrimit në BE. “Synimi i Italisë është një ujdi me kompensim. Italia do ta nënshkruajë marrëveshjen, vetëm atëherë kur të mos i duhet të kujdeset më sikur edhe për një refugjat të vetëm”, ka thënë Salvini.
Qeveria gjermane ka nënshkruar ujdi ripranimi të refugjatëve që janë regjistruar më parë në një vend të BE, sipas Marrëveshjes së Dublinit, edhe me vende të tjera si Spanjën dhe Greqinë. Ato parashohin që Gjermania duhet t’i kthejë brenda 48 orësh nga kufiri gjermano-austriak në këto vende, po qe se ata e kanë bërë kërkesën e azilit në këto vende. Verifikmi bëhet përmes një database të posaçme, eurodac.
Gjermania merr përsipër detyrime
Marrëveshja me Greqinë parashikon edhe detyrimet gjermane. Qeveria gjermane i ka premtuar asaj greke, se do të verifikojë deri në fund të vitit rastet e mëparshme të bashkimit familjar të refugjatëve. Në Greqi presin 2000-3000 refugjatë që t’u bashkohen familjeve në Gjermani. Edhe me Italinë, Berlini synon të arrijë ujdi, duke marrë pjesë në pranimin e refugjatëve që shpëtohen në det të hapur.
Grindja për kthimin e refugjatëve nga Gjermania në vendet ku kanë kërkuar azil shpërtheu ashpër në pranverë në Gjermani duke e çuar në krizë të fortë koalicionin qeveritar. Horst Seehofer u ngarkua atëherë me detyrën e kërkimit të ujdive me Italinë, Greqinë dhe Spanjën.DW