Garda, shkarkohet bashkëshortja e Prendit

128

ndrea-prendi-ne-gjyq-per-21-janarin-me-gri-465Ashtu siç ishte paralajmëruar ka nisur reforma edhe në Gardën e Republikës. Me propozim të komandanti të Gardës Gramoz Sako, Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri raportohet se ka firmosur përjashtimin nga garda të tetë efektiveve, mes tyre edhe oficere të lakuar si ‘grupi i zjarrit’ përgjatë protestës së 21 janarit 2011.

Aktualisht po verifikohet se, si kanë përfituar gradë pas zgjedhjeve të 23 qershorit disa oficerë në këtë institucion, në një kohë që pritet që të propozohet përjashtimi edhe për 18 efektive të tjerë, që rezultojnë se nuk janë paraqitur në detyrë.

Janë liruar e më pas përjashtuar nga radhët e Gardës me motivacionin për thyerje të dispilinës dhe shkelje të betimit oficeri Fatos Skeja, së fundmi i angazhuar në njësinë speciale, por para 23 qershorit njihet si shoqërues i familjes së ish-Kryeministrit Berisha, por gjithashtu edhe një emër i lakuar në dosjen hetimore për rastin e një gjobëvënieje në Tiranë.

Janë liruar e përjashtuar edhe ish-shoqëruesi i ish-Komandantit të Republikës, Ilir Duraku, dhe ish-Komandanti i Njësisë Speciale, Agron Malaj i përfolur si pjesëtar në atë që u identifikua si grupi i zjarrit më 21 janar, raporton “Top Channel”.

Po ashtu është liruar nga detyra edhe Nënkapitene Marjana Prendi, bashkëshortja e ish-Komandantit të Gardës së Republikës, Ndrea Prendi. Rezulton, se të përjashtuarit kanë udhëtuar jashtë Shqipërisë pa lejen e Ministrit të Brendshëm, një rregullore kjo e përcaktuar qartë për efektivët e Gardës. Ndërkohë ka paraqitur dorëheqjen nga detyra, Drejtori i Ruajtjes së Personaliteteve në Gardë, Bashkim Boletini.