Sequi: Zgjedhjet test për institucionet demokratike në vend

23

EttoreSequi1Ambasadori i BE-së në Tiranë Ettore Sequi, pas një vizite në KQZ, është deklaruar në të njëjtën vijë me prononcimet e Përfaqësueses së Lartë në BE, Ashton dhe Komisionerit për Zgjerimin në BE, Fyle se, është shumë e rëndësishme që KQZ të jetë funksionale duke e plotësuar atë. Ai theksoi se disa vendime në KQZ duhet të merren me 5 vota, çka aktualisht këto vendime po merren jo me një shumicë të cilësuar, siç e kërkon edhe ligji në fuqi.

Ka disa vendime që duhet të merren me maxhorancë prej 5 votash. Politikanët ta bëjnë KQZ plotësisht operacionale dhe ta plotësojnë atë. Ashtu si e ka thënë edhe baronesha Ashton dhe komisioneri Fule duhet të jetë një zgjidhje e pranueshme për të gjithë, për mendimin tim nuk është kurrë tepër vonë, për të siguruar që KQZ është plotësisht e formuar,  kjo është çështje e lidhur ngushtësisht me besimin që kanë zgjedhësit në proces”- tha Sequi.

Sequi ritheksoi të njëjtin mesazh, që Ashton, Fyle dhe Reeker kanë deklaruar, se këto zgjedhje janë test për institucionet demokratike të vendit, çka nënkuptohet, se ato janë nën kuadrin e plotësimit të kriterit politik  të Kopenhagenit. Sequi konfirmoi edhe njëherë se procesi po monitorohet nga afër.

Ata duhet të sigurohen të ndodhin dy gjëra: që së pari zgjedhësit shqiptarë të kenë besim te procesi, ta pranojnë rezultatin dhe të kenë respekt për rezultatin. Ndaj të njëjtin mendim me Reeker, se ne si BE jemi në dakordësi të plotë me SHBA për procesin zgjedhor dhe zgjedhjet. Kjo është tepër e rëndësishme, pasi zgjedhjet janë të rëndësishme për institucionet demokratike të vendit, janë test për të, për ecurinë apo progresin drejt BE. Mesazhi është votoni, shprehni qartë detyrimin dhe të drejtën tuaj. Ne po e monitorojmë procesin nga shumë afër, ashtu si do e shihni edhe në ditët në vijim”- tha Sequi.