FRD: Prokuroria të nisë hetimin,qeveria përgjegjëse për dështimin elektronik në KQZ,

54

FRD Eni FeruliPartia Fryma e Re Demokratike bëri sot publik qëndrimin e saj, lidhur me dështimin e plotë të instalimit dhe vënies në funksionim të sistemeve SEN dhe SEV, të cilat do të mundësonin verifikimin elektronik të votuesve në Qarkun Tiranë dhe numërimin e votave në Qarkun e Fierit.

FRD deklaroi se, në vazhdën e një sërë skenarësh që po projektohen për manipulimin e votës së shqiptarëve nga partia në pushtet, sistemet elektronike të mësipërme, përbënin një pengesë kryesore për t’i hapur rrugë sëmundjes së vjetër të Kryeministrit në ikje.

“Që në amendimin e dispozitave të Kodit Zgjedhor vitin e kaluar, të binte në sy paradoksi se këto sisteme do të ishin në fazën e një projekti pilot për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor në vendin tonë. Parë në këtë këndvështrim, ishte e dukshme dhe e pritshme që eksperimentet e këtij lloji me votën e shqiptarëve do të mbartnin me vete një mungesë serioziteti dhe papërgjegjshmërie nga ana e administruesve të zgjedhjeve.

Fryma e Re Demokratike akuzon në mënyrë direkte qeverinë, e cila në këto ditë të nxehta, në mënyrë të qëllimshme nuk arriti të instalojë një sistem modern të administrimit të votës, qoftë dhe në mënyrë të pjesshme, duke shkelur kështu premtimin e saj publik, madje dhënë edhe tek partnerët tanë ndërkombetarë, për zgjedhje të lira dhe sipas standarteve.
Në 23 Qershor, votuesit shqiptare do të shkojnë në votime jo vetëm me një Komision Qëndror të Zgjedhjeve të gjymtuar nga politika e konfliktualitetit, jo vetëm nën thundrën e presioneve për të imponuar vullnetin e tyre sovran, por edhe me një mangësi flagrante të standarteve ligjore në fuqi, sikundër është mungesa e sistemeve elektronike përkatëse.
Partia jonë, vëren se dështimi i plotë i sistemeve elektronike të administrimit zgjedhor, ka krijuar krahas të tjerash konseguenca të rënda në raport me ligjin, për të cilat medoemos duhet kërkuar përgjegjësia edhe penale për funksionarët publik të përfshirë në këtë proces.

Në këto kushte i bejme apel institucionit të akuzës që në mënyrë urgjente dhe me iniciativën e saj të fillojë hetimin mbi dëmin ekonomik të shkaktuar taksapaguesve dhe shpërdorimin e detyrës në mënyrë të qëllimshme të konsumuar nga nëpunës të papërgjegjeshëm.

Partia Fryma e Re Demokratike, i ka paraprirë prej kohësh dështimit të pritshëm dhe të qëllimshëm të sistemeve elektronike, duke marrë masat e saj përkatëse. FRD po hyn në këto zgjedhje me një strategji të qartë për të mbrojtur me çdo kusht vullnetin e votuesve të saj dhe deklaron se do të jetë e gatëshme për tu përballur me çdo sfidë administrative dhe ligjore që do të cënojë këtë proces zgjedhor” -, deklaroi Eni Feruli në emër të FRD-së.