Thaçi takohet me Ministren e Punëve të Jashtme të Italisë Emma Bonino

57

19.6.2013_-_KMKryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka pritur dje Ministren e Punëve të Jashtme të Republikës së Italisë, Emma Bonino.  Në takim është biseduar për zhvillimet aktuale politike në Kosovë dhe rajon, për bashkëpunimin mes Kosovës dhe Italisë dhe për zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

Kryeministri Hashim Thaçi në takim bëri një ekspoze të të arriturave të Kosovës gjatë periudhës 5 vjeçare pas shpalljes së pavarësisë, duke u fokusuar në procesin e konsolidimit të institucioneve demokratike, fuqizimin e sundimit të rendit dhe ligjit, zhvillimin ekonomik dhe procesin e njohjeve ndërkombëtare.

Kryeministri shprehu vendosmërinë e Qeverisë së Republikës së Kosovës për zbatimin e reformave në politikë, legjislacion dhe ekonomi, në funksion të përmbushjes së plotë të agjendës evropiane të integrimit.

Duke vlerësuar lartë bashkëpunimin ndërshtetëror mes Kosovës dhe Italisë, Kryeministri Thaçi në takim me Ministren e Punëve të Jashtme të Italisë, Emma Bonino shprehu gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës që ky bashkëpunim të thellohet në të gjitha fushat e interesit të përbashkët.

Në takimin e sotëm mes Kryeministrit Thaçi dhe Ministres Bonino u bisedua edhe për rëndësinë e zbatimit të Marrëveshjes për Normalizimin e Marrëdhënieve ndërshtetërore mes Kosovës dhe Serbisë.

Kryeministri Thaçi ritheksoi vullnetin e institucioneve kosovare që kjo marrëveshje të fillojë të zbatohet menjëherë, në mënyrë që edhe në atë pjesë të territorit të Kosovës të krijohen mundësitë për zhvillim ekonomik dhe për funksionimin e institucioneve legjitime.

Ministrja e Punëve të Jashtme të Italisë, Emma Bonino vlerësoi lartë përkushtimin e kryeministrit Hashim Thaçi dhe të Qeverisë së Republikës së Kosovës për zbatimin e Marrëveshjes së Normalizimit të Marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Ky është një hap i rëndësishëm dhe historik, që është në të mirë të forcimit të paqes, të stabilitetit dhe të bashkëpunimit rajonal.

Perspektiva e Kosovës është perspektiva evropiane dhe në këtë drejtim Italia do të vazhdojë mbështetjen për procesin e integrimit evropian të Kosovës, tha ministrja e Punëve të Jashtme të Italisë, në takimin që zhvilloi me Kryeministrin Thaçi.