Letër Arjan Canit: Berisha vrau kushëririn tënd Ziver Veizin, më 21 Janar

55

cani-me-berishenLetra e mëposhtme është dërguar për botim nga xhaxhai i moderatorit të emisionit “Zonë e Lirë”, Arjan Çani. /Gazeta Dita/

Nga Namik Çani 

I dashur nipçe,

Të shkruaj nga Saranda, unë xhaxhai tënd, që të kam dashur dhe të dua shumë, njësoj si fëmijët e mi.

Unë krenohesha me ti, mor i dashur Arjan, jo vetëm unë, por  gjithë familja e fisi ynë në fshatin Mashkullorë e kudo ku jetojnë e punojnë me punë të pastër e të ndershme, krenoheshim për emisionin tënd aq shumë popullor “Zona e Lirë”.

Por çfarë të shtiu që të bëheshe shërbëtor i Berishës, njeriut të urryer, që aq shumë dëme e krime i ka bërë Shqipërisë e popullit shqiptar? Çfarë të shtiu që u fute në politikë, kur s’merr vesh nga politika?!

Ne nuk na lidh asgjë me Berishën e sojin e sorollopin e tij, përkundrazi jemi kundërshtarë të tij për gjithë ato mynxyra që i ka shkaktuar këtij populli.

Po çfarë thotë ai i nëmur për luftën dhe dëshmorët a e ke dëgjuar ti? Ti e di, mor i dashur nipçe, që në rrethin tonë familjar kemi tetë dëshmorë të luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare. Babai dhe dajoja i babait tënd, katër xhaxhallarë të babait tënd, dy kushërinj të parë, Ali Çani 19-vjeç, partizan i brigadës së gjashtë sulmuese, i cili u vra në Borsh të Sarandës dhe vëllai i tij, Riza Çani, që u vra në luftën e Labinotit në Elbasan. Nuk mjafton gjithë kjo gjakderdhje?

Po ti e di edhe çfarë lidhje ka Berisha e Lul Basha me vrasjen në mes të bulevardit në 21 Janar të Ziver Veizit, kushëririt tënd, ose nipin e babait tënd, i cili qëndronte me duar në xhepa e shikonte me habi kryeministrinë, se nuk e kishte parë ndonjëherë??

Ti, mor i dashur nipçe, ke një familje të mrekullueshme. Babai yt mbeti jetim në moshën 2-vjeç, u rrit me vështirësi, vazhdoi shkollën “Skënderbe” dhe Shkollën e Bashkuar dhe doli oficer. Punoi me devotshmëri dhe arriti deri në komandant prapavije i divizionit të Delvinës.

Mamaja jote punoi arsimtare në Gjirokastër e Përmet dhe për punën e saj të përkushtuar është dekoruar nga presidiumi i Kuvendit Popullor. Vëllai yt më i vogël është intelektual i shquar, punon me përkushtim e pastërti dhe zotëron shtatë gjuhë të huaja, ne mburremi me të.

Pse i harrove gjithë këto, pse u shkëpute ideologjikisht nga trungu jonë familjar? Mendohem unë ditë e natë dhe nuk gjej asnjë shkak për qëndrimin tënd kaq të neveritshëm. Të kam bërë thirrje vazhdimisht që të ndryshosh rrugën që ke marrë, por nuk më ke dëgjuar, përsëri si xhaxha i dhembshur të bëj thirrje: Ndrysho qëndrim, të presim në familjen tonë të përbashkët. Ky është edhe mendimi i prindërve të tu.

Përshëndetje xhaxhai yt që të do me shpirt!