Ferrparajsa e Xhevahir Spahiut

50

ferr parajseNga Reldar DEDAJ

Është një ditë Krishtlindjesh. Në fakt, është një nga ato ditët e vitit që nuk mund të kalojnë pa lënë një ndjesi të vogël në shpirtin e çdo njeriu, qoftë ai, i çfarëdo besimi. Kështu, teksa ecën pak përtueshëm në rrugët e kryeqytetit, është e pamundur të mos gjendesh në disa situata që ndoshta edhe për pak sekonda mund ta prishin krejtësisht humorin e ditës, që një festë e tillë me shumë vështirësi na e kishte ngjallur.

Përpara meje shoh një nga poetët më të shquar të letrave shqipe të gjysmës së dytë të shekullit të njëzetë, pra asaj periudhe që në mënyra të ndryshme është quajtur si kohë e komunizmit shqiptar. Megjithatë, për mua nuk është aspak problem një gjë e tillë, në fund fare ngado që të sillesh poeti, po poet mbetët.  Ndoshta pa ju lodhur shumë edhe ju me këtë enigmë, fjala është për Xhevahir Spahiun.

Por, ajo që më bëri mua përshtypje, nuk është fakti se ky mjeshtër i letrave, autor i dhjetra e dhjetra librave poetik, fitues i disa çmimeve letrare m’u shfaq krejt papritur një ditë përpara syve të mi, një ditë të bukur me diell në mes të Tiranës. Jo, nuk është fjala këtu. E kam parë disa herë të tjera. Gjithsesi kësaj radhe ishte krejtësisht ndryshe. Ishte një takim i dhimbshëm, mes botës reale, atë që jetojmë të gjithë sipas ligjeve të realitetit, dhe jetës së artit, ku ligjet janë krejt të tjera.

Sipas këtyre ligjeve, sidomos të kohës së sotme, Xhevahir Spahiu duke qenë thjeshtë një poet, një që vetëm shkruan, ka kohë tashmë që është mbështjell nga heshtja dhe nga hija, sot na shfaqet me të vërtetë në pamje dhe përmasa krejt të tjera. Në fakt, ironia qëndron diku tjetër, ndoshta tani është momenti që ta them, përballë këmbëve të tij furishëm një X5 e tipit të fundit, frenon ngultazi, sa desh thashë me vete, ai e shtypi.

Ç’të shoh, zbret nga makina ish-zv Ministri i Rendit Ferdinand Poni, një person shumë problematik me drejtësinë shqiptare, i cili akuzohet për shpërdorim dhe fallsifikim në emër të postit që ai mbante disa muaj më parë. Përballë tij, shoh një poet që ndoshta krimin më të madh të jetës mund ta ketë bërë e shumta, t’i ketë kushtuar një poezi Leninit, babait të revolucionit komunist në Rusi.

Njëri me makinë luksi, tjetri me këpucë gabi të deformuara nga vjetërsia dhe shiu. Njëri njeri me talent, i lindur për të ndriçuar mendjet dhe shpirtat e njerëzve, tjetri  i lindur për t’i ërrësuar ato. Pra me pak fjalë, sheh një person që në jetë i është dhënë rasti të njihet veçse për hajdut dhe shërbëtor i denjë i liderit, pa brekë në bythë, papritur si me magji bëhet i fuqishëm politikisht, pasurohet dhe vjen pastaj një ditë dhe bën karshillëk përpara drejtësisë dhe figurave monumentale të kulturës tonë.

Sa për kohën e sotme, mendoj se nuk do të jetë e largët dita kur ky identifikim apo shembull i një jete provinciale e mbajtur në këmbë me pahiri nga këta injorantë demode, të konsiderohet një cilësim i gabuar dhe të bjerë përfundimisht. Atëherë, shumë prej nesh, do të na vvijë turp që sa tepër e kemi përkrahur. E ardhmja do të tregojë se kjo kohë e të fortit që ishte një ditë pa brekë në bythë, nuk ishte e denjë për ne.

Ajo ishte një kohë e të gjithëve, ndonëse një pjesë u përjashtuan përkohësisht prej saj: koha e të ndershmëve dhe të pandershmëve, e të lirëve dhe e të burgosurve, i të drejtit dhe i të shtrembtit, i servilit dhe e guximtarit, e njerëzve të bujshëm dhe e njerëzve të heshtur, e atyre që mbushnin foltoret dhe ekranet dhe atyre që i mbështillte terri. Xhevo është një ndër këta të fundit, por ama gjithmonë me sa duket e ka pranuar me dinjitet.

Sa për ish-ministrin, me shumë bindje do të them se bota e këtyre individëve të pagdhendur, të mbështetur politikisht, ndikojnë shumë për keq për të ardhmen e një shoqërie që sot si askurrë më parë po ëndërron të jetë pjesë e vlerave europiane.