Makina të blinduara u futën në qendër të Kairos dje për të ndalur protestat. Një zëdhënës i ushtrisë tha për Agjencinë Franceze të Lajmeve se ushtarët nuk po mbajnë anën e asnjërës palë, por kanë ndërhyrë për të mbrojtur jetë njerëzish.
Pjesëtarët e kampeve rivale ishin përfshirë në përleshje në pika të ndryshme të Kairos si dhe në qytete të tjera, përfshirë Aleksandrinë, duke qëlluar me gurë në drejtim të palës kundërshtare e në disa raste edhe në përleshje trup-më-trup. Televizioni shtetëror njoftoi se të paktën 17 vetë kanë gjetur vdekjen.
Po dje, më herët, trupat qeveritare hapën zjarr kundër përkrahësve të zotit Morsi, të cilët u përpoqën të futen në selinë e Ministrisë së Mbrojtjes.
Ushtria arrestoi zotin Morsi dhe udhëheqës të tjerë të Vëllazërisë Myslimane të mërkurën dhe pezulloi kushtetutën. Ushtria thotë se veprimet e saj u ndërmorën për të shmangur kërcënimin e një kryengritjeje popullore./VOA/