De Biasi i inatosur me gabimet, Cana: Kemi shumë të rinj

54

de biasi bNjë Shqipëri “e re” me probleme të vjetra. Kombëtarja nuk shkon më shumë se barazimi 0-0 në miqësoren ndaj Bjellorusisë, teksa për të shmangur humbjen, ndoshta edhe me një rezultat të pastër, mendon portieri Etrit Berisha. Ky i fundit ishte i vetmi që arriti të shkëlqente, duke evituar gola të sigurt dhe pritur një penallti në pjesën e parë. Me një mbrojtje që gabon pa fund, veçanërisht në qendër të saj, një mesfushë pa ide për ta nxjerrë skuadrën në sulm dhe me repartin e avancuar thuajse inekzistent, Shqipëria nuk bindi në testin e fundit për këtë vit kalendarik. Ndryshimet e trajnerit Xhani De Biazi nuk sollën ndonjë risi në lojën e skuadrës, edhe pse debutimi i mbrojtësit të majtë, Ermir Lenjani, mund të cilësohet si pozitiv. Miqësorja e zhvilluar në tokën turke i ngjasoi ndeshjes së fundit të edicionit të kaluar në Qipro, por me ndryshimin që këtë herë rastet e shumta i kishte kundërshtari dhe jo kuqezinjtë. De Biazi duhet t’i falet Berishës, që arriti ta shpëtonte skuadrën nga një humbje e turpshme. Portieri priti pa fund, sidomos në 45 minutat e para, ku thuajse në çdo aksion Bjellorusia zbriste rrezikshëm. Edhe pse me një skuadër të një niveli mesatar, për të mos thënë nënmesatar, përfaqësuesja jonë e pati shumë të vështirë të guxonte për të shkuar te goli. Çuditërisht u pa një skuadër e frikësuar dhe që më tepër mendonte për të mos pësuar. Pjesa e dytë ishte disi më ndryshe, por goli ishte sërish larg.

BJELLORUSI-SHQIPERI  0-0
(fotogaleria e ndeshjes)
BJELLORUSIA: Çernik, Poljakov, Radkov, Verkhovcov, Bordaçev (Çuklev 46′), Tigorev, Drahun (Aljaknoviç 46′), Kalaçev (Aleksieviç 46′), Krivets (Veracila 80′), Balanoviç (Pucila 66′), Rodionov. Trajner: Georgi Kondratiev
SHQIPËRIA: Berisha (Shehi 60′), Lila, Cana, Arapi, Lenjani (Hysaj 81′), Basha, S.Lilaj, Gashi (Çani 54′), Meha (Roshi 65′), Rama (Bala 70′), Sadiku (Memushaj 70′). Trajner: Xhani De Biazi
KARTON I VERDHË: Tigorev
GJYQTARET: Ajdinus Firat, Serkan Ok, Alek Tashioglu (Turqi)

Pjesa e parë Me një mesfushë të ngjeshur dhe një eksperiment në mbrojtje, kuqezinjtë mundohen në startin e ndeshjes t’i imponojnë lojën kundërshtarit me disa dalje nga krahët. Shkëndijën e parë e jep Gashi, ndërsa më pas radhën e ka Rama, i cili me inkursionin e tij të zakonshëm dhuron spektakël, por pa arritur të shënojë. Në 10 minutat e para duket se skuadra funksionon, por në vazhdim të lojës vërtetohet e kundërta. Në një aksion pa pretendime, Arapi prek topin me dorë brenda zone dhe gjyqtari nuk fal, duke akorduar 11-metërsh për Bjellorusinë. Nga pika e bardhë, kapiteni Timofei Kalaçev, edhe pse gjuan fort me të djathtën, nuk shënon, për meritë të Berishës, i cili grushton mrekullisht. Shqipëria shpëton paq dhe në minutat në vijim i duhet t’i falet sërish portierit kosovar në katër raste të pastra të kundërshtarit. Ekipi bjellorus kundërsulmon mirë dhe arrin të çajë mbrojtjen kuqezi në qendër, aty ku për herë të parë në krah të Canës luajti Arapi. Ky rol për lojtarin durrsak të Skënderbeut nuk është ai natyral, por De Biazi i besoi, duke lënë në stol Osmanin, që ishte alternativa e vetme për pozicionin e qendërmbrojtësit. Në një hark të shkurtër kohor bjellorusët shpërdorojnë pa fund para portës kuqezi. Në momentin më të mirë të kundërshtarit, Shqipëria ka shansin të shënojë, por Shkëlzen Gashi humbet një rast ideal.
Pjesa e dytë Bjellorusia e rinis lojën me dy zëvendësime në mesfushë, ndërsa Shqipëria nuk bën asnjë ndryshim. Loja është fotokopje e pjesës së parë, ndërkohë që De Biazi ndryshon skemën, teksa nxjerr Gashin dhe aktivizon Çanin. Me 4- 4-2, kuqezinjtë bëhen më të rrezikshëm. Meha, Basha dhe Lilaj lëvizin më shumë, por kjo nuk mjafton. De Biazi hedh në fushë edhe Roshin, për t’i dhënë freski lojës nga krahët, ndërkohë që për 30 minuta i jepet shansi edhe portierit Orges Shehi për t’u aktivizuar. “Veterani” bën më të mirën në ato raste që Bjellorusia rrezikon. Disa lëvizje të befasishme të Ramës nuk sjellin asnjë ndryshim. Rastet e rrezikshme mungojnë dhe më pas trajneri kuqezi e bën Shqipërinë edhe më sulmuese, duke futur Memushajn e rikthyer dhe Balën. Minutat ikin, dhe për të parë një aksion që vë në vështirësi bjellorusët duhet të presësh minutën e 88- të. Roshi i afrohet golit pas një goditjeje fluturimthi, por është i pafat. Gjyqtari i katërt jep tri minuta shtesë, por asgjë nuk ndryshon, përtej përpjekjeve të kuqezinjve. Gjashtë zëvendësimet e bëra në pjesën e dytë nuk mundën t’i jepnin Shqipërisë një fitore, e cila për hir të së vërtetës këtë herë i shpëtoi humbjes me atë që dha në fushë.

Burimi: http://www.panorama-sport.com/kombetarja/ndeshja-miqesorja-shqiperi-luan-kunder-bjellorusise/#ixzz2kpaIejDq