Tahiri: S’ka procedim penal për protestuesit

56

saimir tahiriMinistri i Brendshëm, Sajmir Tahiri ka përgënjeshtruar raportimet nga mediat se organizatorët e protestës kundër armëve kimike janë procedura penalisht.

“Ndoqa njoftimin në disa media ndaj ndjej të sqaroj keqkuptimin; Nuk ka procedim penal për protestuesit. Ditën e parë të protestës dhe devijimit të saj pranë godinës së një prej ambasadave, policia ka ndjekur përpilimin e një procedure rutinë lidhur me daljen nga plani i shpallur i protestës. Në ditët në vijim, kjo procedurë u ndërpre me urdhër të Kryeministrit, për sa kohë daljet nga plani i protestës nuk përbënin rrezik për objektet e rëndësisë së veçantë”, shprehet Tahiri.

Ministri i Brendshëm sqaron gjithashtu se, Policia e Shtetit është përpjekur që të jetë sa më pak e pranishme në protestë. “Besoj ia arritëm të tregojmë fytyrën e qytetëruar të Policisë së Shtetit, si partner i denjë i qytetarëve. Fituam siguri nëpërmjet paqes, jo nëpërmjet dhunës ndaj protestuesve”, shkruan Tahiri në Facebook.