Çfarë po ndodh me protestën?

111

Erblin Iskurti /Politolog
Protestat e fundit janë treguesi më i mirë i gjendjes së dëshpëruar ku gjendet aktualisht pjesa më e madhe e popullsisë në Shqipëri. Për fatin tonë të keq, e brumosur edhe nga kushte historike të disfavorshme, kultura jonë e protestës ndaj padrejtësive është pothuajse inekzistente. Dhe kjo muroset që nga fëmijëria kur nuk mësohemi as në shkollë dhe as në familje të reagojmë ndaj gjërave në dukje jo shumë domethënëse por të padrejta. Apo më keq akoma kur kjo padrejtësi nuk na bëhet ne drejtpërdrejt por shokut apo komshiut tonë. Problemi shihet gjithmonë si i tjetrit derisa ai shfaqet në portën tonë, por atëherë është shumë vonë. Shembuj të tillë mund të japim pa fund, aq sa kryeministri në nje nga batutat bajate të tij tha që këtij populli “nuk i ngrihet”. Po atëherë si shpjegohet që këtij populli sot “ju ngrit” dhe çfarë është më e rëndësishmja “ju ngrit pa komandë” ndryshe nga çfarë ishim mësuar të shihnim deri më sot, dhe çfarë mund të parashikohet të ndodhë në të ardhmen? Si do jetë fati i kësaj proteste dhe çfarë do të vijë më pas?
Sigurisht që nuk mund të pretendohet ti jepet përgjigje shteruese një fenomeni të tillë në pak rrjeshta analizë, por gjithsesi mund të përpiqemi të japim një shpjegim në vija të trasha të asaj çfarë po shohim.
Në fakt, për dikë që e ndjek vazhdimisht aktualitetin në Shqipëri jo vetëm nga burimet zyrtare të mediave por edhe nga ajo çfarë ndodh në rrjete sociale, dukej qartë që kishte një ndjenjë revolte gjithmonë e më shumë në rritje ndërmjet rinisë. Arsyet e saj janë nga më të ndryshmet ku problemeve socio-ekonomike, të papunësisë etj ju shtuan edhe arroganca e një qeverie totalisht të shkëputur nga populli dhe bullizimi dhe sulmi ndaj popullsisë në vend që të merrej përgjegjësi per qindra lloj skandalesh të ndryshme. Në gjithë këto vite qeverisjeje, faji nuk ka qënë kurrë i qeverisë paçka se skandalet kanë qënë të padëgjuara më parë edhe për një vend çudirash si Shqipëria. Faji për çmimet marramendëse të një km rrugë për tu ndërtuar, për kanabizimin e vendit dhe hijet e dyshimit deri ne nivel ministri, për përplasjen në fytyrë të portës aq të ëndërruar të Bashkimit Europian për të disatën herë, shpopullimi i vendit dhe ikja me çdo kusht e mjet jashtë Shqipërisë jo vetëm e trurit por edhe e krahut të punës etj etj – sepse lista mund të bëhet më e gjatë edhe se vetë artikulli – pra fajin për të gjitha këto nuk e ka pasur kurrë qeveria por populli dembel, media kazan apo opozita.
Në fillim një strategji e tillë e qeverisë rezultoi efikase, sepse ky lloj sulmi i kompleksoi si median ashtu edhe një pjesë të madhe të popullsisë. Mirëpo, me akumulimin e skandaleve dhe venitjen e shpresës për diçka më të mirë, mllefi erdhi duke u rritur derisa vrasja shtetërore e të riut (dhe duhet theksuar vrasja e jo vdekja), ishte pika e fundit që derdhi kupën e stërmbushur të këtij mllefi të akumuluar në kaq vite. Ky ishte gabimi i parë i qeverisë.
Në këndvështrimin tim, gabimi i dytë fatal që po bën qeveria, por që shpresoj që kjo të kthehet në favor të Shqipërisë nesër, është menaxhimi i protestës. Qeveria po vazhdon në të njëjtën linjë duke thelluar edhe më tepër hendekun e shkeputjes së saj nga populli. Të gjithë repartet e policisë së shtetit që nga policia rrugore e deri te ekipet elitare të saj janë ndërsyer kundër protestuesve duke u munduar të mbjellin terror dhe duke dhunuar në mënyrë të jashtëligjshme edhe protestues minoren. Kjo taktikë po jep efektin e kundërt nga ajo çka dëshiron qeveria dhe ndaj protesta edhe pse arriti që në ditën e dytë një ndër objektivat e saj politik, nuk u shua por po vazhdon ende.
Në fakt, përdorimi i tepruar dhe joproporcional i dhunës policore ndaj protestuesve mund të shërbejë edhe si katalizator i dhunës nga të dyja krahët. Kjo për faktin e thjeshtë se ndryshe nga herët e tjera kur policia është identifikuar pothuajse gjithmonë si pjesë e popullit, këtë herë protesta u shkaktua pikërisht nga ato vetë. Dhe me veprimet e tyre të dhunshme, ato po shtyjnë edhe pjesën neutrale dhe më pak të ndjeshme të popullsisë që mos ta shohin këtë ashtu siç u mundua qeveria që ta shfaqë si një rast i izoluar i një efektivi që veproi në kokën e vet, por si një dhunë të organizuar shtetërore dhe policinë si një organ tashmë të shkëputur nga populli dhe që në vend të tij i shërben qeverisë për të mbajtur pushtetin.
Mbase kryeministri po pret festat e fundvitit dhe Babagjyshi ashtu si vitin e kaluar kur i çoi studentët nëpër shtëpi dhe i bëri dhuratë kryeministrit shuarjen e protestës, ti bëjë të njëjtën dhuratë edhe këtë vit. Ama këtë vit mund të mos jetë e njëjta pasi jo vetëm që nuk pritet te ikin nga kryeqyteti ato që protestojnë, por në ndryshim nga viti i kaluar Babagjyshi mund të sjellë në Tiranë edhe më shumë mbështetës të protestuesve nga të gjitha pjesët e Europës ku janë shpërndarë dhe kjo do ishte dhurata më e keqe për këtë qeveri, por jo për Shqipërinë.
Pra fati i kësaj proteste varet nga disa faktorë që sigurisht do kenë shumë impakt në atë çka do vijë më pas. Në këndvështrimin tim, është e sigurt që kjo protestë do ketë një impakt pozitiv për demokracinë tonë. Është e sigurt që abuzimet dhe keq qeverisja nuk mund të ndalen vetëm nga një protestë, por ajo mund të shërbejë për futjen në rrugën e mbarë drejt arritjes së këtyre qëllimeve. Kushdo që do vijë në krye të qeverisë së ardhshme, nuk do mund tja lejojë vetes të trajtoje popullin e tij si vasal dhe të mos mbajë përgjegjësi për skandalet që mund të përfshihet qeveria e tij. Ndaj dhe protesta shihet jo vetëm si një e drejtë kushtetuese, por si nje mjet presioni ndaj të mandatuarve tanë, duke ju kujtuar që ato janë aty që të na shërbejnë neve dhe jo anasjelltas. Pushteti është i joni dhe në momentin kur ky pushtet keqpërdoret, ne kemi jo vetëm të drejtën por edhe detyrën që ti pushojmë nga puna ato që zgjodhëm për të na drejtuar.