Sipas të dhënave për muajin janar, shpresa më e madhe e ministrisë së Financave, e cila mbështetej te rritja e tatimit për biznesin e madh dhe të mesëm nga 10 në 15%, ka dhënë sinjale se këto para janë mbledhur më pak se një vit më parë.
Kështu nëse për muajin janar të 2013-ës në arkën e shtetit ishin mbledhur 1.3 miliardë lek, këtë vit janë grumbulluar vetëm 1 miliard, nga 1.5 që ishte plani. Financat planifikojnë që deri në fund të këtij viti të marrin nga ky zë në buxhet 6.5 miliard lekë më shumë, por sipas ekspertëve kjo do të varet gjithnjë nga situata që do të ketë biznesi.
Gjithsej treguesit fiskalë për janarin janë minus1 miliard lekë krahasuar me planin dhe 200 milionë më pak po të krahasohen me një vit më parë. Një kontribut për këtë e ka dhënë edhe rishikimi i tatimit të pagës.
Ndërkaq zyrtarisht ministria e Financave shprehet se është duke marrë në analizë të gjithë sektorët, të cilët kanë dhënë kontribut negativ në realizimin e të ardhurave dhe do të marrë masa për ata lloj biznese, të cilët po tentojnë që të fshehin xhiron.
Vizion+