Turqia pro Shqipërisë për statusin në BE

40

kodheli_turqiMinistrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, po zhvillon një vizitë zyrtare dyditore në Ankara me ftesë të homologut të saj, Ismet Yilmaz.

Në takimin që ministrja Kodheli zhvilloi me ministrin e Mbrojtjes së Turqisë, Ismet Yilmaz u nënvizua niveli shumë i mirë i marrëdhënieve mes dy vendeve tona, si dhe u diskutua për gjetjen e potencialeve për t’i çuar ato më tej.

Ministri turk i Mbrojtjes tha se, Turqia e shikon Shqipërinë si një partnere të rëndësishme dhe aleat të madh të saj. Në këtë kontekst, në emër të qeverisë turke Yilmaz siguroi ministren Kodheli për mbështetjen e padiskutueshme të Turqisë për Shqipërinë për marrjen e statusit të vendit kandidat në BE.

Më tej, dy zyrtarët e lartë, duke u ndalur tek marrëdhëniet në fushën e mbrojtjes, vlerësuan bashkëpunimin shumë të mirë mes dy vendeve tona. Në këtë kuadër, në Turqi janë arsimuar dhe kualifikuar 2 500 studentë ushtarakë shqiptarë që nga viti 1992 e në vazhdim, ndërsa aktualisht në këtë vend studiojnë 86 të tillë.

Në vijim të kësaj vizite, Kodheli u prit në një takim nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Necdet Ozel.

Në këto takime, Kodheli kërkoi që të gjenden mundësi bashkëpunimi, sidomos në fushën e industrisë ushtarake, duke theksuar se Shqipëria duhet të mbajë patjetër në funksion Uzinën e Poliçanit, Mjekësit apo të Gramshit, si të vetmen mundësi ekonomike për banorët e këtyre zonave. Më herët, ministrja e Mbrojtjes Kodheli vendosi një kurorë në Mauzoleumin e Mustafa Qemal Ataturkut“,- bënë të ditur Ministria e Mbrojtjes.