Burimi lajmit në një film

77

Nga ROLAND QAFOKU
Keira Knightley ka treguar edhe një herë se është një nga aktoret më të mira të momentit në botë dhe nga më të kërkuarat e Hollywood. Së fundmi, anglezja ka luajtur rolin kryesor në filmin “Sekretet shtetërore”, bazuar në historinë e një spiuneje të shërbimit sekret britanik që synoi të ndalonte luftën e Britanisë dhe SHBA në Irak në vitin 2003. Një film që u transmetua mbrëmë në kanalin “Autor” në platforëm “Digitalb” dhe për protagonist ka një specialiste që punonte në qendrën e përgjimeve të shërbimit sekret si dhe një gazetari të gazetës “The Observer” në Londër. Për ata që nuk e dinë, për të publikuar një lajm-scoop me ndikim në opinionin publik, duhen dy palë: Zyrtari i guximshëm që e nxjerr dhe jep lajmin dhe dokumentin dhe një gazetar i guximshëm që e boton lajmin. Në këtë film u përputhën aq bukur: Kiera Knightly në rolin e Katherine Gun dhe Mat Smith në rolin e gazetarit të “The Observer” Martin Bright. Vërtetë, as spiunja dhe as agzetari nuk e ndaluan dot luftën. Ajo u zhvillua dhe solli vrasjen e 4600 ushtarëve amerikano-britanikë dhe 37 mijë të tjerë të plagosur, por pikërisht kjo luftë vërtetoi se ata të dy kishin të drejtë. Në Irak nuk u gjetën armë kimike dhe një gjykatë në Londër e shpalli të pafajshme spiunen. Gazetarin jo e jo.Ai dhe gazeta “The Observer” fitoi disa çmime për gazetarinë duke u bërë një nga historitë më interesante pas asaj të “Ëatergate” në SHBA në vitin 1972.
Vlen të veçohet aktorja Keira Knightley. Loja e saj ishte e jashtëzakohshme. Herë plot ankth e emocione dhe herë e sigurtë dhe e guximshme aq sa të dukej sikur po i ndodhte asaj vërtetë. Dhe të mendosh që është vetëm 35 vjeç dhe ka luajtur gati si askush tjetër kaq shumë role kryesore me kaq shumë karaktere që nuk ngjanë fare me njëra-tjetrën. Elisabeta te “Piratët e Karaibeve”, Lara te “Doktor Zhivago”, Guinevere te “Mbreti Artur”, Gorgiana te “Dukesha” janë të ndryshëm, po ashtu edhe filmi i fundit me Katherinën te Sekretet Shtetërore është I ndryshëm gjithashtu. Një tjetër veçanti në film është paraqitja e mënyrs së funksionimit të një redaksie. Gjithçka duket reale, zhurma, debatet deri në sherre e deri te gabimi i korrektores që ndryshoi gërmat e dokumentit zyrtar të radhitur. Një skenë që në këto 30 vjet askush nuk e ka pasqyruar kaq reale në Shqipëri.
Ndërkohë ajo që më bën përshtypje është se në Shqipëri ka histori të ngjashme por ende deri më sot një investigim gazetaresk nuk ka arritur të ndikojë në nivele të larta të pushtetit. E shumta këtu janë shkarkuar drejtorë. Më kujtohet se një nga investigimet më të forta e më me ndikim ka qenë I ashtuquajtur skandali i orizit në vitin 1998 publikuar në gazetë nga gazetari Zylyftar Bregu. U trondit si rrallë piramida e ministrisë së Mbrojtjes nga zbulimi I fakteve të një tenderi. Ishte një investigim i sinqertë dhe një case për të gjitha rastet e mëpasshme të gazetarisë. A ka ndonjë regjizor ta bëjë film këtë histori?