BSH-ja mbështet masat për konsolidimin e politikës fiskale

56

leke-2_4Banka e Shqipërisë mbështet dhe inkurajon masat për konsolidimin fiskal, duke i konsideruar ato të domosdoshme për reduktimin e primeve të rrezikut në ekonomi dhe për ruajtjen e stabilitetit afatmesëm dhe afatgjatë të vendit. Sipas raportit të Këshillit Mbikqyrës të Bankës Qendrore, treguesit fiskalë janë karakterizuar nga rritja e të ardhurave dhe reduktimi i shpenzimeve gjatë dy muajve të parë të vitit. Deri në muajin shkurt, të ardhurat buxhetore shënuan një rritje vjetore prej 4.9%, ndërsa shpenzimet dhe deficiti buxhetor u reduktuan respektivisht me 9% dhe 82%. Reduktimi i shpenzimeve i detyrohet kryesisht reduktimit të shpenzimeve kapitale, ndërkohë që rritja e të ardhurave është mbështetur nga rritja e të ardhurave tatimore.“Këto zhvillime kanë përcaktuar një kah konsolidues të politikës fiskale dhe kanë mbajtur të ulët ndikimin e saj në kërkesën agregate dhe në rritjen ekonomike”, thuhet në raportin e BSH-së, që nga ana tjetër, evidenton se, brenda këtij viti buxhetor është planifikuar shlyerja e një pjese të detyrimeve të prapambetura të qeverisë ndaj bizneseve, zhvillim i cili pritet të përmirësojë bilancet financiare dhe kërkesën e sektorit privat.