Lirohet nga burgu Ermal Hoxha, nipi i Enverit

77

Gjykata e Fierit ka liruar me kusht nga burgu Ermal Hoxhën, nipin e diktatorit Enver Hoxha.

Kjo gjykata ka urdheruar lirimin para kohe kur kishte edhe 1 vit e gjashte muaj dënim për të kryer.

Mësohet se kërkesa për lirim lirim me kusht është bërë me 13 korrik 2018 dhe vendimi është dhënë me 13 shtator dhe është ekzekutuar një ditë më vonë në datën 14.

Lajmi u konfirmua edhe nga bashkëshortja e tij, Rezarta Shkurta, e cila e ka ndarë këtë moment me miqtë e saj në Instagram.

“Familja ime e vockel u bashkua. Faleminderit per cdo fjale e mbeshtetje qe kam ndjere nga ju , keto vite te veshtira… Uroj nga zemra per gjithsecilin nga ju, te gjitha urimet qe me keni dhene, tju kthehen ne bekime ne jetet tuaja”, shkruan Shkurta.

Hoxha u dënua nga Gjykata e Krimeve të Rënda në korrik të 2017 me 10 vite burgim me gjykim të shkurtuar, së bashku me anëtarët e tjerë të grupit ‘Xibraka’. Nga gjykimi i shkurtuar dënimi zbriti në 6 vite dhe 8 muaj burgim.

Si u arrestua Ermal Hoxha

Operacioni ‘Xibraka’ u zhvillua katër vite më parë në Elbasan, ku më 14 Janar të 2015, në pranga ranë 11 persona mes tyre dhe 2 kolumbianë të cilët sipas hetimeve merreshin me përpunimin e kokainës dhe pse në Shqipëri e kishin mbërritur me leje pune dhe si futbollistë.

Në pranga përfunduan: Saimir Batku, 43 vjeç nga Tirana, Fatmir Hoxha, 48 vjeç, Kastriot Imeri, 47 vjeç nga Tirana, Gentjan Gjonaj, 43 vjeç nga Vlora, Arjan Dalipi, 50 vjeç nga Elbasani, Kelment Dalipi 45 vjeç nga Elbasani, Ilir Hyseni, 47 vjeç nga Tirana, Ermal Hoxha, 40 vjeç (nipi i Enver Hoxhes) nga Tirana, Egest Dankesi, 27 vjeç nga Elbasani.

Në laborator u gjet dhe sekuestrua sasia prej 19 kilogramë e 416.2 gr lëndë narkotike e dyshuar kokainë; 8 kg e dyshuar si përziers i lëndës narkotike kokainë; 400 euro; 769.000 lekë të reja dhe 4150 dollarë amerikanë.

Dënimet e dhëna në korrik të 2017 nga Gjykata e Krimeve të Rënda për të pandehurit janë si më poshtë

10 vite burg për Ermal Hoxhën

12 vite burg për Ilir Hysenin

10 vite burg për Arjan Dalipin

13 vite burg për Genci Xhixhan

11 vite burg për Gentjan Gjonaj

12 vite burg për dy kolumbianët Cesar Avila dhe Valter Moreno

11 vite burg për Kelmend Dalipin

13 vite burg për Sajmin Batkun

Me vendimin e sotëm të pandehurve u ulet 1/3 e këtij dënimi.