Rraja mesazh Bashën pas masës “arrest me burg”

Në orën 10:55 minuta djali i deputetit socialist të Fushë Krujës doli nga gjykata e Krujës me pranga në duar dhe i shoqëruar nga forcat e policisë hyri në furgon për tu transportuar drejt paraburgimit të Durrësit.

Teksa po futej brenda në furgon Rexhep Rraja është shprehur për gazetarët se ishte i pafajshëm dhe kishte dhe një paralajmërim për Bashën “Jam i pafajshëm!”.

“Basha do ta shohë në zgjedhjet e ardhshme se kush është Rexhep Rraja” mësohet të ketë thënë 24 vjeçari informon gazetari i Ora News, Leonidha Musaj i cili raportoi nga vendi i ngjarjes.

Gjyqtarja e gjykatës së Krujës, Enkelejda Hoxha dha masën e sigurisë “arrest me burg” për djalin e deputetit i cili akuzohet për ‘përndjekje”. Kjo masë u kërkua dhe nga prokurorja Mirela Kapo.

Xhafa: Trajtimit financiar shtesë për Task Forcën Speciale “Forca e Ligjit”.

Qeveria po shqyrton mundësinë e trajtimit financiar shtesë për Task Forcën Speciale, e cila është në vijën e parë të luftës kundër krimit të organizuar me operacionin kombëtar “Forca e Ligjit”.

Një fakt të tillë e bëri me dije Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, në Konventën e Bashkëpunimit Policor në Evropën Juglindore.

Xhafaj: Që nga fillimi i këtij operacioni në Nëntor të vitit të kaluar, në zbatim të këtij Plan Veprimi, lufta kundër krimit të organizuar ka marrë një dinamikë dhe dimension tjetër. Rezultatet e arritura, edhe në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë kanë qenë vërtetë inkurajuese, duke u përballur dhe goditur një sërë grupesh kriminale të rrezikshme, të cilat ushtronin veprimtarinë e tyre në Shqipëri, por edhe jashtë territorit tonë.

Xhafaj tha se policia shqiptare po investon seriozisht në forcimin e kapaciteteve njerëzore dhe logjistike të hetimit, si garanci në rritjen e zbulueshmërisë së veprimtarisë kriminale dhe vënien para përgjegjësisë të autorëve.

Xhafaj nenvizoi se rajoni dhe Evropa përballen me sfida te ndryshme të sigurisë. Por, krimet e rënda, krimi i organizuar, terrorizmi dhe flukset migratore përbëjnë padyshim sfidat më të mëdha të cilat kurrsesi nuk mund të adresohen të vetme.

Karakteri ndërkufitar, madje transnacional i tyre bën domosdoshmëri bashkëpunimin dhe koordinimin e energjive të përbashkëta, theksoi Xhafaj.

Xhafaj: Për fat të keq, natyra delikate e këtyre sfidave dhe interesat që preken nga forca reaguese e Policisë ndaj tyre, shkaktojnë shpesh herë sulme frontale ndaj Policisë, akuza, përbaltje dhe goditje të llojeve të ndryshme jo rrallë edhe nën influencën e vetë grupeve kriminale, ndaj ekipeve drejtuese dhe operacionale qe veprojnë në fushën e rendit dhe sigurisë.

Ministri i Brendshëm deklaroi gjithashtu se Evropa po përballet me flukse migratore nga vende të Afrikës Veriore, Lindjes së Mesme dhe Azisë.

Kjo, tha ai, ka patur një impakt të drejtpërdrejtë, si në nivelin politik, ashtu dhe atë praktik.

Xhafaj: Lëvizje populiste dhe anti-migratore kanë shënuar rritje ashtu siç kanë shënuar rritje dhe veprimtaritë e paligjshme dhe rrjetet kriminale të kontrabandimit të migrantëve, të trafikimit të qenieve njerëzore, trafikimit të armëve, etj.

Rreziku terrorist dhe format e ndryshme të ekstremizmit të dhunshëm janë bërë gjithashtu shoqëruese të këtyre fenomeneve. Të gjitha këto, kanë shtuar ndjeshëm barrën dhe pritshmëritë mbi agjencitë ligj zbatuese.

Ndërkohë që ne, politikanët, diskutojmë për zgjidhje rreth tyre apo për të fituar popullaritet në elektorat, përgjegjësia e vërtetë bie mbi ju!

Jeni ju Policia, linja e parë, me të cilët emigrantët përballen në kufi, e bashkë me to dhe kontrabandistët, krimin e organizuar trafikantët dhe terroristët potencialë!

Fatkeqësisht, adresimi i këtyre sfidave, përveç risqeve dhe kohës së mundimshme që kërkojnë, has edhe në sfida të tilla që lidhen më shumë me të shkuarën sesa kohët moderne në të cilat jetojmë.

Takimi i sotëm vjen dy ditë përpara Ministerialit të Ministrave të Brendshëm dhe Sigurisë të rajonit, i cili do të mbahet në Tiranë, i fokusuar në sfida të rëndësishme me të cilat jemi duke u përballur, siç janë krimet e rënda, migracioni dhe terrorizmi.

Sot vendoset masa e sigurisë për Rexhep Rraja

Rexhep Rraja, djali i deputetit socialist Rrahman Rraja akuzohet për përndjekjen e e ish-të dashurës së tij Xhisiela Maloku.

Ai doli sot para gjykatës së Krujës për vlerësimin e masës së sigurisë.

Seanca ishte e hapur për median vetëm për pak minuta, ku i pandehuri i komunikoi gjeneralitet e tij gjykatëses.

Më pas prkurorja Mirela Kapo kërkoi që seanca të zhvillohet me dyer të mbyllura për arsye të sekretit hetimor dhe për të evituar viktimizimin e viktimës.

24-vjeçari përfaqësohet në gjykatë me avokatin e tij Ilir Bajraktari.
Rexhep Rraja u arrestua paraditen e së dielës 30 shtator, teksa ndodhej në një biznes që jepte makina me qera pranë Rinasit.

Ndaj tij është ngritur vetëm akuza e “përndjekjes”. Ndërkohë ekspertiza mjekoligjore vërtetonte se ndaj 25 vjeçares Xhisiela Maloku ishte ushtruar dhunë, duke i djegur cigare në trup si dhe duke e goditur me qytën e pistoletës.

Mjekësia ligjore dorëzoi më 27 shtator në Prokurorinë e Krujës aktin e ekspertimit të Xhisiela Malokut duke vlerësuar se ajo ka dëmtime fizike të cilat klasifikohen si rrahje dhe për të cilat ligjërisht, jepet raport deri në 9 ditë.
Po kështu shkak për arestimin u bë një përgjim ambiental i djalit të deputetit gjatë ballafaqimit me Xhisiela malokun gjatë ditëve të fundit. Burimet nga grupi hetimor kanë bërë të ditur se në përgjimin ambiental, Rexhep Rraja fliste për dhunën me Xhisiela Malokun duke implikuar vetëveten.

Në momentin e arrestimit i riu nuk ka bërë rezistencë ndaj policisë e cila kishte në dorë për ekzekutimin vendimin e Gjykatës së Krujës për të arrestuar dhe dërguar në burg djalin e deputetit socialist.

Brenda 72 oresh 24 vjeçari do të dalë në gjykatë për rivlerësimin e masës së sigurisë.

Dëmtimi me cigare përputhet me dëshminë e vajzës

Prokuroria e Krujës tha se dëmtimi me cigare i evidentuar nga mjekësia ligjore, përputhet me përshkrimin e dhënë nga 25-vjeçarja për aktet e dhunës të ushtruara ndaj saj në një hotel në Rinas nga djali i deputetit.

Kjo dosje është hapur pas kallëzimit të bërë nga Xhisiela Maloku në datën 26 korrik 2018 në komisariatin e policisë nr.3 në Tiranë, pasi vajza ka pretenduar se është dërguar me forcë në hotel dhe është dhunuar nga Rexhep Rraja, me të cilin kishte një lidhje disa vjeçare. Vajza është marrë në pyetje 5 herë duke mos dhënë të njëjtat shpjegime.

Disa ditë më parë ky rast është denoncuar në media nga oficeri i policisë Emiljano Nuhu, i cili aktualisht ndodhet jashtë vendit. Oficeri ka deklaruar se ishte kërcënuar në komisariatin e Policisë së Krujës për të mos hetuar djalin e deputetit, ndërsa atje kishte shkuar edhe kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla.

Lana Del Rey i bën vërejtie Kanye West

Lana Del Rey ka kritikuar Kanye West për mbështetjen e tij ndaj Donald Trump.

Këngëtarja, e cila në performoi në dasmën e West dhe Kim Kardashian në vitin 2014, e përshkroi miratimin e reperit për presidentin amerikan si “humbje për kulturën”.

Lana reagoi pasi Kayne u shpreh pro Trump në Saturday Night Live.

“Deluzione të madhështisë, çështje të ekstremizmit me narcisizëm. Asnjëra nga këto nuk do të ishte një pikë diskutimi nëse nuk do të flisnim për njeriun që udhëheq vendin tonë,”-tha këngëtarja. “Nëse mendoni se është mirë që të mbështesi dikë që prek një femër në vendet intime vetëm sepse është i famshëm, atëherë keni nevojë për të ndërhyrje po aq sa ai.”

West performoi tre këngë në Saturday Night Live, disa orë pasi lajmëroi se kishte ndryshuar emrin në Ye.

Pas performancës ai mbajti një fjalim të thellë politik.

Nuk u transmetua në shfaqje por fragmente të shkëputura të filmuara nga audienca u publikuan në rrjetet sociale. Reperi mësohet se ka shprehur pa diskutim mbështetjen për presidentin Trump .

“Sa herë që flisja me një njeri të bardhë, më pyesnin se si mund ta pëlqeja Trump kur ai është racist,”-tha reperi. “Epo, nëse do shqetësohesha për racizmin, do të isha larguar nga Amerika shumë kohë më parë.”

Veliaj: Uron gjyshërit për 1 tetorin

Kjo e hënë ka nisur ndryshe për Bashkinë e Tiranës. Kryebashkiaku, Erion Veliaj, ka zgjedhur që kafen e mëngjesit ta pijë me gjyshe e gjyshër pensionistë, të cilëve u uroi gëzuar 1 Tetorin dhe bisedoi për disa nga nismat e ndërmarra në përmirësimin e infrastrukturës së qytetit.

Veliaj: Në emër të Këshillit Bashkiak dhe qytetarëve të Tiranës, dua t’i uroj të gjithë gjysheve dhe gjyshërve “Gëzuar 1 tetorin”. Kam edhe një thirrje për nipat dhe mbesat: kjo është dita kur një gjyshi ose një gjyshe që keni harruar, t’i çoni një mesazh, t’i bëni një vizitë, t’i çoni një dhuratë të vogël në shtëpi. Kjo është dita për t’i kujtuar ata. Unë besoj se një qytet është i mirë, kur kemi një harmoni mes brezave, mes atyre që ndërtuan Shqipërinë që kemi sot, dhe po ia kalojnë stafetën Shqipërisë që duam për nesër.

Veliaj tha se Bashkia e Tiranës rikthen edhe një nga nismat më interesante që është zbatuar ndonjëherë në kryeqytet, atë të kafes me gjyshërit dhe gjyshet pensionistë, të cilët në disa lokale mund ta konsumojnë kafen me çmim të reduktuar.

Veliaj: Rikthejmë traditën tonë të mirë të “Kafes me gjyshin”, ndaj dua t’i falenderoj të gjitha institucionet pjesëmarrëse të kësaj nisme të bukur. Vërtet është diçka modeste, por diçka që tregon se nuk harrojmë, se jemi këtu për të respektuar trashëgiminë e të parëve tanë. Ju falenderoj shumë për kontributin, disa si ushtarakë, disa si mësues, disa si doktorë. Pavarësisht profesionit, vendi ynë është më i mirë falë këtij kontributi të mrekullueshëm.

Teksa vlerësoi rritjen e frymës së humanizmit dhe të vullnetarizmit edhe tek të rinjtë, Veliaj i bëri apel gjithë shoqërisë për më shumë përkujdesje për të moshuarit.

Holandezi Van Halen kërkon 1000 vëllezërit e motrat e tij

Një 34-vjeçar nga Holanda shpreson se testet e ADN-së do ta ndihmojnë të gjejë 1000 vëllezërit e motrat e tij që nuk e kishte ditur kurrë se ekzistonin.
Ivo van Halen nga Roterdam iu tha 5 vite më parë nga prindërit e tij se ishte konceptuar nga një dhurues sperme dhe se me anë të testit gjenetik mund të identifikonte babain biologjk dhe pothuasje 60 gjysmë motrat dhe vëllezërit e tij në Holandë.

Megjithatë Halen beson se ata përfaqësojnë vetëm një pjesë të vogël të familjes së tij të madhe.

Pas kalimit në gjendje shoku kur mësoi për sekretin e prindërve të tij, ai ishte kureshtar për të zbuluar identitetin e babait biologjik, por nuk mundi të merrte detaje nga klinika e dhuruesve për shkak të rregullave të anonimitetit. Dhe shkoi më pas për të bërë testin e ADN-së. Pasi bëri testin e pështymës, Van Halen arriti që të merrte rezultanin që dëshironte. Dy muaj më vonë një i afërm bëri gjithashtu testin.

Ai tha për The Times: “Kam gjetur babanë tim biologjik dhe 42 gjysmë vëllezërit e motrat menjëherë.”

Një organizatë e qeverisë holandeze për njerëzit e konceptuar nga donatorët vlerëson se deri në 1000 fëmijë mund të jenë konceptuar nga spermatozoidi i babait biologjik të Van Halen, i cili dhuroi rregullisht spermë në tri klinika në mbi 20 vjet.

Rrahman Rraja: Nuk largohem nga grupi i PS-së

Deputeti Rrahman Rraja deklaron se nuk do të largohet nga grupi parlamentar i PS-së.
Gjithashtu se djali i tij nuk ka ushtruar dhunë ndaj vajzës, Xhisiela Maloku.
Në momentin kur ka dalë nga kryesia e kuvendit, gazetarët i drejtuan mikrofonin dhe në largim e sipër deputeti është shprejur shkurt: Djali im nuk e ka rrahur. Nuk largohem nga grupi PS.

Shoqatat e të drejtave të grave në mbrojtje të Xhisielës

Një grupim prej 50 organizatash, aktivistë të të drejtave të grave dhe vajzave si dhe qytetarë kërkuan zbardhjen e plotë dhe pa zbarritje të ngjarjes së dhunimit të Xhisiela Malokut nga djali i deputetit socialist.

Përfaqësi të këtyre organizatave i bënë thirrje Prokurorisë të kryejë hetime të shpejta me qëllim vënien e autorëve të dhunës përpara përgjegjësisë penale.

“Kërkojmë nga prokuroria të hetojë me paanësi, përgjegjshmëri me qëllim që çdo person që ka shkelur ligjin pavarësisht statusit të tij, funksionit politik, apo veshjes kriminale të vihet para përgjegjësisë penale”.

Ndërkohë Qëndra për Nisma Ligjore Qytetare tha se i ka ofruar vajzës shërbim ligjor falas me dy nga avokatët e saj.

“Ky shërbim është pranuar të merret nga viktima Xhisiela Malokut.Do ofrojmë dhe shërbime të tjera për të cilat ajo mund të ketë nevojë si shërbime psikologjike falas për atë dhe anëtarët e tjerë të familjes, etj”.

Policia ka arrestuar Rexhep Rrajën pas denoncimit të Xhisiela Malokut por përkundër denoncimit të saj për dhunë, policia aktualisht ndaj tij ka ngritur vetëm akuzën e përndjekjes.

Rritet numri i azilkërkuesve shqiptarë në Irlandë

Gjeorgjia dhe Shqipëria janë dy vendet kryesore të origjinës të listës së azilkërkuesve në Irlandë këtë vit, pas ndryshimeve në modelet e migracionit ndërkombëtar, shkruan gazeta britanike “The Sunday Times”.

Rritja e kërkesave për azil dhe vonesat në strehimin e refugjatëve, kanë bërë që qeveria të ngrejë qendra të reja për pritjen e drejtpërdrejtë të emigrantëve, masë e cila merret për herë të dytë brenda vitit.

Ministri i emigracionit dhe integrimit David Stanton javën e kaluar tha se qeveria kishte rritur numrin e hapësirave të tilla me 646 gjatë vitit të kaluar duke hapur qendrat e pritjes në Lisdoonvarna, Co Clare dhe Moate në Co Westmeath, por që “javët e fundit numri i njerëzve që aplikojnë për mbrojtje ndërkombëtare u rrit në Irlandë”.

Numri i shqiptarëve që aplikuan për azil në Irlandë në 8 muajt e parë të këtij viti, ishte 235 persona, shifër që i rendit të dytët pas gjeorgjianëve. Shtimi i numrit të aplikimeve nga viti i kaluar për shqiptarët është 50% nga e njëjta periudhë e vitit të kaluar.

Një zyrtar për agjencitë ligjzbatuese në Irlandë tha se “nuk ka persekutim të këtyre njerëzve për arsye etnike apo për çështje fetare”, duke shtuar se shqetësimi kryesor janë elementët kriminalë në radhët e tyre.

Gjithsesi, Këshilli Irlandez për Refugjatët thotë se ky nuk është një fenomen i izoluar, sepse azilkërkuesit shqiptarë dhe ata gjeorgjianë janë shtuar ndjeshëm edhe në Francë dhe Gjermani.

Kapet me 4 mina me telekomandë në mjetin tip “Opel”

Një 29 vjeçar nga Tirana është arrestuar nga policia e Lezhës, pasi në mjetin e tij u gjetën 4 mina me telekomandë.

Operacioni i koduar “Telekomanda”, përfundoi me arrestimin e shtetasit Endrit Vejsiu.

Policia e Lezhës sqaron se i riu nga Tirana udhëtonte me një mjet tip “Opel” në aksin rrugor Milot – Lezhë, ku u ndalua pranë kryqëzimit të Shënkollit. Minat ishin të fshehura në gomën rezervë.

“Ato ishin të paketuara me nga dy cilindra materiali të ngurtë të mbështjellë me natriban, të dyshuara lëndë plasëse e llojit TNT. Gjithashtu u gjetën edhe rreth 3 kilogramë lëndë e dyshuar narkotike kanabis sativa, e paketuar gati për shitje”, sqaron shefi i policisë së Lezhës.