Policia greke kap në Igumenicë 125 kg kanabis

Shtatë shqiptarë kanë përfunduar në prangat e policisë greke nën akuzën e trafikut të drogës.

Shqiptarët kishin ngarkuar lëndë narkotike kanabis sativa në shpinë duke e transportuar drejt territorit grek.

6 prej tyre ishin transportuesit, ndërsa një i shtatë shërbente si vëzhgues duke koordinuar lëvizjet për të shmangur policinë, por që siç duket nuk ia ka dalë dot.

Të arrestuarit janë të gjithë të rinj, të moshave 22, 24, 23, 24, 22, 21 dhe 26 vjeç.

Ata u prangosën në Thesprotia gjatë mbrëmjes së shkuar, pasi transportin 124 kg e 790 gram kanabis.

Mediat greke bëjnë me dije se përveç lëndës narkotike, janë konfiskuar edhe katër telefona celularë.

Njëri prej shqiptarëve, 22 vjeçari që shërbente si vëzhgues, rezulton të jetë i dënuar me 6 muaj burg për vjedhje, si dhe ishte vendosur urdhri i ndalimit për në territorin grek.

Të arrestuarit, të cilëve u janë mohuar dokumentet e hyrjes dhe legalizimin e qëndrimit në vend, do të dërgohen përpara prokurorit në Thesprotia për t’u njohur me masën e sigurisë, ndërsa hetimet vazhdojnë nga departamenti antidrogë në Igumenicë.

Maqedonia në prag të referendumit

Referendumi i së dielës shikohet si historik nga faktorët që e përkrahin atë, popullata dhe nga komuniteti ndërkombëtar prej nga javëve të fundit kanë shprehur mbështetje të fuqishme. Një rezultat pozitiv do t’ia hapte Maqedonisë dyert e anëtarësimit në NATO dhe për përshpejtimin e procesve integruese drejt Bashkimit Evropian. Ndryshimi i emrit në Republika e Maqedonisë së Veriut është kushti për këtë dhe pak mbi 1 milion e 800 mijë votues e kanë në duar fatin e vendit të tyre.

Sot ( e shtunë) votojnë kategoritë e personave të pamundur, ata që ndodhen nëpër burgje, por dhe diaspora e Maqedonisë.

“Tanimë janë hapur qendrat e votimit në përfaqësitë tona diplomatike konsullore në vendet e huaja ku kanë shprehur interes 2694 votues për të votuar”, tha zëdhënësja e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ), Lupka Guguçevska.

Autoritetet kanë paralajmëruar se çdo përpjekje për pengim, kërcënime dhe shantazh ndaj votuesve do të ndëshkohet sipas ligjit.

Një numër i madh i vëshguesve të brendshëm dhe të jashtëm kanë shfaqur interes për ta ndjekur procesin.

“KSHZ ka lëshuar akreditime për rreth 12 mijë vëzhgues të vendit, për 493 të huaj dhe 83 akreditime për gazetarë të huaj”, bëri të ditur Admir Shabani i këtij komisioni.

Kundërshtarët e referendumit thonë se marrëveshja me Greqinë për ndryshimin e emrit e vë Maqedoninë në një pozitë inferiore ndaj shtetit fqinj, se i dëmton interesat kombëtare dhe shtetërore dhe në veçanti identitetin dhe gjuhën maqedonase. Maqedonasit, sipas tyre, do të quhen maqedono-veriorë nëse marrëveshjes i jepet dritë jeshile në referendum dhe kjo do ta ndërpriste vazhdimësinë e qenies së tyre historike, kombëtare e kulturore.

Nga ana tjetër, pushteti dhe përkrahësit e ndryshimit te emrit e shikojnë çështjen vetëm tek dallimi i kësaj dhe rajonit të Maqedonisë në Greqinë veriore, duke ia shtuar Republikës së Maqedonisë një atribut gjeografik, pra Maqedoni e Veriut. “Populli, gjuha institucionet do të mbeten maqedonase”, ka siguruar kryeministri Zoran Zaev.

Që referendumi të quhet i sukseshëm, pak më tepër se 903 mijë votues duhet të dalin në të dhe prej tyre të paktën 451.585 të votojnë pro pyetjes: A jeni për anëtarësim në NATO dhe BE duke e përkrahur marrëveshjen me Greqinë për ndryshimin e emrit të Republikës së Maqedonisë?/VOA

Vuçiç: Vizita e Thaçit në liqenin e Ujmani për të destabilizuar Serbinë

“Për herë të tretë që nga 26 marsi, paqja është rrezikuar në një mënyrë absolutisht të papërshtatshme”. Kështu u shpreh Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç gjatë një konferencë të jashtëzakonshme, që erdhi pak orë pas vizitës së Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi në liqenin e Ujmanit në veri të vendit.

Sipas tij, Kosova po e bën një gjë të tillë për të destabilizuar Serbinë dhe serbët atje.

Vuçiç ka vlerësuar se kjo sjellje e autoriteteve nga Kosova po bëhet pa të drejtë dhe në kundërshtim me marrëveshjen e arritur në Bruksel.

“Sot ata ishin gjatë gjithë ditës në veri për të bërë një shëtitje të thjeshtë, kanë pirë kafe dhe u kthyen sikur asgjë të mos kishte ndodhur. Ata nuk po i respektojnë marrëveshjet e Brukselit dhe për më tepër e kanë mbështetjen e ndërkombëtarëve. Në operacion u përfshinë qindra pjesëtarë të njësisë ROSU, të gjithë të armatosur me armë”, ka thënë Vuçiç, duke shtuar se politikanët kosovarë nuk kanë cka të kërkojnë në veri.

“Shqiptarët e armatosur në veri të Kosovës, sipas marrëveshjes që kemi arritur, mund të shfaqen vetëm me përmbushjen e dy kushteve: me miratimin e NATO-s dhe me pëlqimin e plotë të komunitetit serb. Ata nuk kanë asgjë për të kërkuar në veri të Kosovës”, tha Vuçiç.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiç , pranoi se gjatë ditës urdhëroi Shefin e Shtabit të Përgjithshëm Milan Mojsiloviç të vërë të gjithë ushtrinë serbe në gjendjen e gatishmërisë më të lartë luftarake.

Policia arreston 3 persona për zjarrvënie me qëllim

Një siparfaqe në zjarr afër Blue Mountains, në Australi. (Dan Himbrechts, Epa/Ansa)

Një siparfaqe në zjarr afër Blue Mountains, në Australi. (Dan Himbrechts, Epa/Ansa)
Nisur nga rastet e shtuara dy javët e fundit të zjarrvënies me qëllim apo nga pakujdesia, Policia e Shtetit prej datës 21 Shtator ka hartuar një tjetër Plan masash shtesë kundër zjarreve , në zbatim edhe të porosive të lëna nga Ministri i Brendshëm për këtë qëllim gjatë takimit të zhvilluar me strukturat drejtuese të Policisë së Shtetit në qendër e në bazë javën e kaluar.

Të gjithë Specialistët e Zonave kanë marrë detyrë dhe janë shpërndarë në të gjitha zonat që ata mbulojnë, ku kanë rimarrë dhe po vijojnë kontaktet me të gjithë barinjtë që kanë kullota në shfrytëzim, apo me banorët të cilët nga pakujdesia shkaktojnë zjarr ku shpesh këto zjarre kanë dalë jashtë kontrollit duke shkatuar pasoja në pronën private.

Po koordinohen veprimet me shtabin e emergjencave në Prefekturë, përfaqësuesit e njësive administrative dhe drejtoritë/inspektoriatet rajonale të Mjedisit/pyjeve për të bërë të mundur parandalimin e zjarreve si dhe për të evidentuar dhe vënë para përgjegjësisë ligjore autorët e zjarrvënieve të qëllimshme apo nga pakujdesia.

Zëvendës/Drejtorët e Policive Vendore po zhvillojnë takime me banorë të zonave buqësore dhe blektorale , me qëllim ndërgjegjësimin e tyre për të parandaluar zjarrvënien e qëllimshme për të hapur kullota apo edhe zjarrvënien nga pakujdesia.

Gjithashtu janë angazhuar për parandalimin e zjarrvënies, si dhe për evidentimin e autorëve edhe agjentët e Policisë Kriminale.

Si rezultat i zbatimit të masave shtesë, javën e fundit janë evidentuar dhe proceduar penalisht 24 autorë të zjarrvënies së qëllimshme apo nga pakujdesia, në Tiranë, Durrës, Fier, Vlorë , Berat , Elbasan , Lezhë, Shkodër e Korçë.

Janë arrestuar në flagrancë 3 autorë, janë ndalur dy si dhe janë shpallur në kërkim dy të tjerë.

Theksojmë faktin se nga Strukturat e Policisë së Shtetit, për periudhën Janar -20 Shtator janë proceduar në shkallë vendi 82 autorë, prej të cilëve 11 autorë janë arrestur, 7 autorë janë ndaluar, 25 autorë në gjendje të lirë dhe 39 autorë shpallur në kërkim.

Policia e Shtetit kërkon mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e banorëve për të parandaluar zjarrvënien dhe fton ata të denoncojnë në kohë në numrin 112 çdo rast sado të vogël të shkaktimit të zjarrit në toka buqësore, kullota apo pyje.

Greqia në alarm nga cikloni “Zorba”

Pasi cikloni “Ksenofon” solli mot të keq në shumë zona të vendit, me erëra të fuqishme deri edhe reshje bore, cikloni i dytë mesdhetar i quajtur “Zorba” ka shkaktuar alarm në të gjithë Greqinë.
Fenomeni i rrallë mesdhetar, siç pasqyrohet në hartat e ndryshme, pritet të godasë Jonin e jugut, sipas parashikimeve të Qendrës Kombëtare së Meteorologjisë në Athinë.
Nga e shtuna në mëngjes, “Zorba” do të jetë më i egër në kalimin e tij nga Kreta, Kithira, Dodekanisa dhe Peloponez. Stuhitë detare pritet të shkaktojnë dallgë deri në 11 metra dhe problem në lundrimin e anijeve.

Gjonaj nga Brukseli: Vetting-u ktheu besimin te drejtësia

Shqipëria ka nisur punën përgatitore për përshtatjen e legjislacionit me atë të Bashkimit Europian dhe ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, e cila ndodhet në Bruksel për procesin e “screening”, ka deklaruar në një konferencë të përbashkët me Johannes Hahn se “Vetting-u në drejtësi ka kthyer besueshmërinë e munguar të qytetarëve në sistemin e drejtësisë”.
“Komisioni Europian i dha një shtysë të rëndësishme reformave me vendimin e qershorit. Vetting-u në drejtësi ka kthyer besueshmërinë e munguar të qytetarëve në sistemin e drejtësisë. Bashkimi Europian në krahun tonë në zbatimin e reformave na jep më shumë kurajo për të vazhduar në krijimin e shtetit të së drejtës. Jemi të angazhuar për të vijuar zbatimin e çdo reforme të nevojshme”, deklaroi Gjonaj.

“Shpreh angazhimin për të vijuar me seriozitet në këtë proces të pakthyeshëm dhe të dëshiruar nga shtetasit shqiptarë”, shtoi ministrja e Drejtësisë.

Udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor takojnë Mogherinin

Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, bisedoi në Nju Jork me udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor.
Zëdhënësja e saj, Maja Kocijançiq, përmes një postimi në Twitter tha se Mogherini ka zhvilluar një takim me liderët e Ballkanit Perëndimor, ku është biseduar për situatën në rajon, bashkëpunimin rajonal dhe punën për integrimin evropian.
Në Nju Jork po zhvillon punimet Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara.

Arrestohen dy shqiptarë, udhëtonin në linjën Shqipëri-Greqi me viza false

Dy shtetas shqiptarë u arrestuan në Greqi, pasi u janë gjetur 350 karta identiteti gjermane dhe franceze bosh, si dhe 100 viza gjermane.

Personat e arrestuar janë një shofer i autobusit të një linje Shqipëri-Greqi, si dhe ndihmësi i tij, përkatësisht 41 dhe 38 vjeç. Arrestimi i tyre është kryer në rrugën Ionia, pranë Artës, nga departamenti policor i kësaj zone.

Pas kontrollit që është bërë në automjetin e linjës janë gjetur dokumentet false të fshehura pas sediljes së shoferit, në brendësi të kabinës së tij.

Dy të arrestuarit janë dërguar te prokurori i zonës, ku u është dhënë akuza për falsifikim. Dyshohet se ata janë pjesëtarë të një rrjeti që kryen trafikimin e refugjatëve nga Greqia drejt vendeve të Europës Qendrore.

Autobusi u sekuestrua së bashku me dokumentet.

Hassan Rouhani: SHBA është një shkelëse e ligjeve ndërkombëtare

Presidenti i Iranit ka hedhur poshtë kërcënimet e Trump.

Hassan Rouhani tha se SHBA është një shkelëse e ligjeve ndërkombëtare e udhëhequr nga një ekip fillestarësh politik dhe diplomatik që po fiton mosmiratimin e botës.

“Sot u bë e qartë se Amerika është e vetme,”-tha Rouhani në një konferencë shtypi në New York, duke shtuar se krerët e tjerë të botës i thanë atij se nuk e miratuan vendimin e Presidentit Donald Trump për të dalë nga marrëveshja bërthamore, që lehtëson sanksionet ndaj Iranit në këmbim të kufizimit të programit të tij bërthamor.

“Ata i referoheshin vendimit amerikan si një veprim të gabuar,”-tha Rouhani.

Rouhani shtoi se synimi i Iranit është të sigurojë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës të respektojnë ligjet dhe të ndalojnë ngacmimet, të ndalojnë presionet, të mbajnë premtimet dhe t’i përmbahen rezolutës së Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara që mbikëqyr marrëveshjen bërthamore.

Rouhani foli një ditë pasi Trump dhe zyrtarët e tij të lartë ‘sulmuan’ Iranin për veprimet e saj në Lindjen e Mesme duke u bërëthirrje kombeve të tjera në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së që ta ndihmojnë për të izoluar Teheranin.

Komuna e Namurit dhuratë zjarrëfikëse për Preshevën

Me anë të një postimi në facebook Adnan Rexhepi, kandidat në 14 tetor në Komunën e Namurit në Belgjikë bën me dije se një zjarrëfikëse është dhuruar për Komunën e Preshevës.
Postimi: Sot, dua të ndaj një gëzim me ju të gjithë bashkëatdhetarët e mi.
U bë e mundur nisja e një ndihme të çmuar vëllezërve tanë në Komunën e Preshevës, një autopompë zjarrëfikëse me gjithë materialet dhe agregatët e nevojshme. Shpresojmë t’i kemi ndihmuar në një fushë, ku kishin jo pak mangësi, duke kontribuar kështu në sigurinë qytetare atje. Kjo dhuratë e çmuar e Komunës së Namurit, me bourgmestre z. Maxime Prévot, do forcojë edhe më shumë marrëdhëniet me Komunitetin Shqiptar këtu në Namur, dhe me Preshevën tonë të shumëvuajtur. Personalisht ndjehem shumë i lumtur, që jam inicues dhe pjesë e projektit, dhe po bëj të pamundurën, që së shpejti, edhe Komuna të tjera Shqiptare në Kosovë, Maqedoni, Shqipëri, të konkretizohen me mbështetje llogjistike dhe ndihma të kësaj natyre.
Kjo tregon më së miri, se mes dy komuniteteve tona, janë vendosur tashmë ura solide, bashkëpunimi dhe solidariteti. Kjo falë jush të dashur bashkëatdhetarë, si Komuniteti më i mirë integruar në Provincën e Namurit, por edhe të Komunës së Namurit, që falë vizionit përparimtar dhe gjithëpërfshirës të z. Maxime Prévot, dhe kabinetit të tij. Kurrë nuk e kemi ndjerë më përpara, një nderim, afrimitet dhe mbështetje të tillë nga pushteti lokal. Ju ftoj të gjithëve, të punojmë dhe të bashkëpunojmë edhe më shumë në të ardhmen, duke ruajtur tashmë bazat solide të bashkëpunimit, që kemi ndërtuar. Në emrin tuaj dhe gjithë Komunitetit Shqiptar, i kam shprehur mirënjohjen dhe falenderimet e mija Bourgmestre të qytetit të Namurit, z. Maxime Prévot dhe kabinetit të tij, si dhe Komandantit të zjarrëfikseve të qytetit të Namurit.
Jam i bindur se së shpejti, do kemi konkretizime të tjera me Komuna Shqiptare, për të forcuar dhe më shumë solidaritetin dhe marrëdhëniet e bashkëpunimit reciprok ndërmjet palëve.
Të gjithë, për një Komunitet Shqiptar të fortë. Adnan Rexhepi.