Veliaj: Uron gjyshërit për 1 tetorin

60

Kjo e hënë ka nisur ndryshe për Bashkinë e Tiranës. Kryebashkiaku, Erion Veliaj, ka zgjedhur që kafen e mëngjesit ta pijë me gjyshe e gjyshër pensionistë, të cilëve u uroi gëzuar 1 Tetorin dhe bisedoi për disa nga nismat e ndërmarra në përmirësimin e infrastrukturës së qytetit.

Veliaj: Në emër të Këshillit Bashkiak dhe qytetarëve të Tiranës, dua t’i uroj të gjithë gjysheve dhe gjyshërve “Gëzuar 1 tetorin”. Kam edhe një thirrje për nipat dhe mbesat: kjo është dita kur një gjyshi ose një gjyshe që keni harruar, t’i çoni një mesazh, t’i bëni një vizitë, t’i çoni një dhuratë të vogël në shtëpi. Kjo është dita për t’i kujtuar ata. Unë besoj se një qytet është i mirë, kur kemi një harmoni mes brezave, mes atyre që ndërtuan Shqipërinë që kemi sot, dhe po ia kalojnë stafetën Shqipërisë që duam për nesër.

Veliaj tha se Bashkia e Tiranës rikthen edhe një nga nismat më interesante që është zbatuar ndonjëherë në kryeqytet, atë të kafes me gjyshërit dhe gjyshet pensionistë, të cilët në disa lokale mund ta konsumojnë kafen me çmim të reduktuar.

Veliaj: Rikthejmë traditën tonë të mirë të “Kafes me gjyshin”, ndaj dua t’i falenderoj të gjitha institucionet pjesëmarrëse të kësaj nisme të bukur. Vërtet është diçka modeste, por diçka që tregon se nuk harrojmë, se jemi këtu për të respektuar trashëgiminë e të parëve tanë. Ju falenderoj shumë për kontributin, disa si ushtarakë, disa si mësues, disa si doktorë. Pavarësisht profesionit, vendi ynë është më i mirë falë këtij kontributi të mrekullueshëm.

Teksa vlerësoi rritjen e frymës së humanizmit dhe të vullnetarizmit edhe tek të rinjtë, Veliaj i bëri apel gjithë shoqërisë për më shumë përkujdesje për të moshuarit.