Xhafa: Trajtimit financiar shtesë për Task Forcën Speciale “Forca e Ligjit”.

7

Qeveria po shqyrton mundësinë e trajtimit financiar shtesë për Task Forcën Speciale, e cila është në vijën e parë të luftës kundër krimit të organizuar me operacionin kombëtar “Forca e Ligjit”.

Një fakt të tillë e bëri me dije Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, në Konventën e Bashkëpunimit Policor në Evropën Juglindore.

Xhafaj: Që nga fillimi i këtij operacioni në Nëntor të vitit të kaluar, në zbatim të këtij Plan Veprimi, lufta kundër krimit të organizuar ka marrë një dinamikë dhe dimension tjetër. Rezultatet e arritura, edhe në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë kanë qenë vërtetë inkurajuese, duke u përballur dhe goditur një sërë grupesh kriminale të rrezikshme, të cilat ushtronin veprimtarinë e tyre në Shqipëri, por edhe jashtë territorit tonë.

Xhafaj tha se policia shqiptare po investon seriozisht në forcimin e kapaciteteve njerëzore dhe logjistike të hetimit, si garanci në rritjen e zbulueshmërisë së veprimtarisë kriminale dhe vënien para përgjegjësisë të autorëve.

Xhafaj nenvizoi se rajoni dhe Evropa përballen me sfida te ndryshme të sigurisë. Por, krimet e rënda, krimi i organizuar, terrorizmi dhe flukset migratore përbëjnë padyshim sfidat më të mëdha të cilat kurrsesi nuk mund të adresohen të vetme.

Karakteri ndërkufitar, madje transnacional i tyre bën domosdoshmëri bashkëpunimin dhe koordinimin e energjive të përbashkëta, theksoi Xhafaj.

Xhafaj: Për fat të keq, natyra delikate e këtyre sfidave dhe interesat që preken nga forca reaguese e Policisë ndaj tyre, shkaktojnë shpesh herë sulme frontale ndaj Policisë, akuza, përbaltje dhe goditje të llojeve të ndryshme jo rrallë edhe nën influencën e vetë grupeve kriminale, ndaj ekipeve drejtuese dhe operacionale qe veprojnë në fushën e rendit dhe sigurisë.

Ministri i Brendshëm deklaroi gjithashtu se Evropa po përballet me flukse migratore nga vende të Afrikës Veriore, Lindjes së Mesme dhe Azisë.

Kjo, tha ai, ka patur një impakt të drejtpërdrejtë, si në nivelin politik, ashtu dhe atë praktik.

Xhafaj: Lëvizje populiste dhe anti-migratore kanë shënuar rritje ashtu siç kanë shënuar rritje dhe veprimtaritë e paligjshme dhe rrjetet kriminale të kontrabandimit të migrantëve, të trafikimit të qenieve njerëzore, trafikimit të armëve, etj.

Rreziku terrorist dhe format e ndryshme të ekstremizmit të dhunshëm janë bërë gjithashtu shoqëruese të këtyre fenomeneve. Të gjitha këto, kanë shtuar ndjeshëm barrën dhe pritshmëritë mbi agjencitë ligj zbatuese.

Ndërkohë që ne, politikanët, diskutojmë për zgjidhje rreth tyre apo për të fituar popullaritet në elektorat, përgjegjësia e vërtetë bie mbi ju!

Jeni ju Policia, linja e parë, me të cilët emigrantët përballen në kufi, e bashkë me to dhe kontrabandistët, krimin e organizuar trafikantët dhe terroristët potencialë!

Fatkeqësisht, adresimi i këtyre sfidave, përveç risqeve dhe kohës së mundimshme që kërkojnë, has edhe në sfida të tilla që lidhen më shumë me të shkuarën sesa kohët moderne në të cilat jetojmë.

Takimi i sotëm vjen dy ditë përpara Ministerialit të Ministrave të Brendshëm dhe Sigurisë të rajonit, i cili do të mbahet në Tiranë, i fokusuar në sfida të rëndësishme me të cilat jemi duke u përballur, siç janë krimet e rënda, migracioni dhe terrorizmi.