Rama: Kemi një shtet që tallet e gjithë bota

rama6Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka vijuar komunikimin nga “këndi i fjalës” me banorët e njësisë numër 6 në zonën e “Misto Mames”, në Tiranë. Në përgjigje të interesit të banorëve për mundësi të manipulimit të rezultateve të zgjedhjeve ne 23 qershor, Rama tha se kjo nuk do të ndodhë, pasi koalicioni “ Aleanca për Shqipërinë Europiane” do të fitojë me një rezultat të thellë.  Nderkaq  Rama komentoi dhe rolin e  SHBA, ku theksoi se Amerika nuk luan as rolin e qeverisë dhe as të opozitës në Shqipëri.

“Nëse pret që Amerika të marrë vota për ne, mor prit, pasi Amerika është miku më i madh i Shqipërisë, por Amerika këtu nuk është për të bërë qeverisjen apo opozitën. Shqipërinë e bëjmë ne. Me 23 qershor mos mbaj mendjen tek 8 Maj, por nëse fituam me 10 vota dhe na i morën me 23 qershor fitojmë me 50 mijë vota dhe do na marrin të keqen” tha ai.

I pyetur nga një qytetar me statusin e invalidit lidhur me pensionet për këtë kategori, Rama tha se PS do rrisë mbështetjen për invalidët duke regjistruar realisht invalidë dhe duke shmangur spekulimet me shtime fiktive të numrave.

“Ka një korrupsion të pamëshirshëm, ka pensione invalidi që merren nga persona që sjanë të tillë ashtu edhe për ndihmat sociale. Ne do luftojmë korrupsionin dhe do bëjmë që ato para që jepen për invalidët të shkojnë për ata që janë vërtetë invalidë dhe e meritojnë. Ne do rrisim mbështetjen për invalidët duke regjistruar realisht invalid dhe duke shmangur spekulimet me shtime fiktive të numrave” sqaroi Kryesocialisti.

 “Kemi një shtet që nuk përfaqëson vendin, shtet me të cilin tallet e tërë bota. Kemi një shtet që është sekëlldi e madhe, qesh bota me ne për shak të një shqiptari të pazakonshëm që e kemi në krye edhe 30 e pak ditë” ka qenë një tjetër koment i Ramës lidhur me cështjen e pensioneve të emigrantëve.

Lika: Partizani do të ndërtohet për të fituar

partizaniPas katër sezonesh në kategoritë inferiore, Partizani i është rikthyer Superligës, në të cilën do të synojë të vërë në vend emrin e madh që ka. Drejtuesit e klubit të kuq po punojnë që të përforcojnë skuadrën me elementë cilësorë, teksa kanë filluar dhe goditjet e para në merkato. “Partizani do të hyjë në sezonin e ardhshëm me pretendimet që ka patur historikisht. Ne jemi një skuadër që do të ndërtohemi për të fituar”, deklaron trajneri Hasan Lika.

Të kuqtë kanë nevojë për t’u përforcuar, ndonëse do të ketë dhe konfirmime të lojtarëve që korrën sukses në sezonin që sapo përfundoi. “Te Partizani do të qëndrojnë një pjesë e mirë e lojtarëve që kontribuuan në ngjitjen në Superiore, të cilët e ndjejnë peshën e kësaj fanelle. Natyrisht që do të bëjmë përforcime dhe kjo do të varet nga ana financiare”, pohon tekniku kryeqytetas.
Nuk mund të mos përmenden tifozët e kuq, të cilët edhe pse skuadra e tyre endej në kategoritë e ulëta të futbollit shqiptar, e kanë ndjekur në çdo cep të Shqipërisë. Lika e pranon që një pjesë e madhe e suksesit të “demave” në këtë sezon i atribuohet tifozërisë së kuqe, ku thotë: “Realisht tifozët e Partizanit janë baza e suksesit. Gjatë këtyre viteve me vuajtjen e ekipit kanë vuajtur dhe ata. Tifozët e kanë ndjekur Partizanin kudo, në çdo stadium dhe në çdo fushë ku ka luajtur dhe rikthimi në Superligë është dhe një meritë e padiskutueshme e tyre”.

Ndërkohë, pas arritjes së objektivit për t’u ngjitur në elitën e futbollit shqiptar, futbollistët janë lënë pushim nga stafi drejtues. Ende nuk ka një ditë të saktë kur do të nisin përgatitjet për sezonin e ri, teksa kjo do të vendoset nga vetë trajneri Hasan Lika. Nga ana tjetër, drejtuesit e klubit po punojnë për merkaton, ku kanë arritur akordin me Rrahman Hallaçin, ndërsa janë dhe disa lojtarë të tjerë në shënjestër.

Berisha takim me përfaqësuesin e OSBE-së, Battelli dhe ambasadorin Andreas Nothelle

October-4-14-55-231Sipas njoftimit për shtyp të Këshillit  të Ministrave, Kryeministri Berisha priti sot në takim anëtarin e Asamblesë Parlamentare të OSBE-së zotin Roberto Battelli i cili shoqërohej edhe nga kreu i zyrës së Asamblesë Parlamentare në Vjenë, ambasadori Andreas Nothelle.

Pasi i uroi përzemërsisht mirëseardhjen, Kryeministri vlerësoi kontributin e te dy personalitetve te nderuar në Konferencën e Nivelit të Lartë të OSBE-së mbi Tolerancën dhe Mosdiskriminimin, të mbajtur sot në Tiranë. Kryeministri Berisha shprehu gjithashtu kënaqësinë dhe mirenjohjen e tij dhe te qeverise shqiptare për angazhimin e Asamblesë Parlamentare të OSBE-së për vëzhgimin e zgjedhjeve të 23 qershorit në Shqipëri.

Kryeministri Berisha siguroi zotin Battelli dhe ambasadorin Nothelle për vendosmërinë dhe angazhimin e qeverisë shqiptare që zgjedhjet e 23 qershorit të jenë zgjedhjet më të mira të zhvilluara ndonjëherë në Shqipëri. Gjithashtu, Kryeministri Berisha u rishprehu atyre dëshirën dhe kërkesën e qeverisë shqiptare që OSBE-ja dhe organizma të tjerë, si Këshilli i Evropës apo vendet antare të OSBE-së, të nxisin dërgimin e sa më shumë vëzhguesve në Shqipëri, për të vlerësuar nga afër procesin zgjedhor.

Kryeministri Berisha i njohu te dy zyrtaret e OSBE-se me arritjet e rëndësishme që janë shënuar gjatë kësaj periudhe, si për sa i përket kuadrit zgjedhor ashtu edhe infrastrukturës zgjedhore në përgjithësi. Zbatimi i të gjitha rekomandimeve të OSBE/ODIHR në Kodin Zgjedhor, bazuar tërësisht mbi propozimet e opozitës, u vleresua si nje tregues jashtezakonisht pozitiv.

Arritje të tjera që u vlerësuan si shume te rendesishme gjatë bisedës ishin edhe rritja e numrit të qendrave të votimi, çka eliminon radhët e gjata dhe kontribuon në shkurtimin drastik të kohës që çdo qytetar të ushtrojë të drejtën e tij për të votuar, por edhe rritja e numrit të qendrave të numërimit, të cilat do të bëjnë të mundur që rezultatet e votimit të shpallen në kohën më të shkurter të mundshme, çka perben një hap vërtetë pozitiv për mbarëvajtjen dhe besueshmerine e të gjithë procesit.

Kryeministri Berisha i njohu, me tej, zotin Battelli dhe ambasadorin Nothelle, me urdhrin e nënshkruar prej tij i cili ndalon përdorimin e burimeve financiare dhe mjeteve e materialeve e ndryshme të administratës shtetërore te cdo niveli, ne sherbim te veprimtarive te fushatës elektorale. Te dy anëtarët e Asamblesë Parlamentare të OSBE e vleresuan kete si nje hap tjeter te rendesishem ne sherbim te nje procesi zgjedhor sa me te mire.

Në lidhje me problemin e KQZ-së, Kryeministri theksoi se Partia Socialiste po përpiqet të pengojë procesin zgjedhor, duke keqpërdorur rolin e anëtarëve të saj në KQZ. Sidoqofte, mazhoranca eshte teresisht e hapur dhe e gatshme për të plotësuar anëtarësinë e KQZ-së me emrat që opozita do të propozojë.

Ata e falënderuan Kryeministrin Berisha për bashkëpunimin e ngushtë që ai dhe qeveria shqiptare ka dëshmuar në vijimësi dhe po i dëshmon Asamblesë Parlamentarë të OSBE-së, në veçanti për sa i përket angazhimit të Kryeministrit Berisha dhe qeverisë shqiptare që procesi i zgjedhjeve të 23 qershorit të jetë një proces konform të gjitha standardeve ndërkombëtare, si dhe shprehën mirënjohje për vendosmërinë e Kryeministrit Berisha që në Shqipëri të vijë numri më i madh I mundshëm i vëzhguesve për të ndjekur nga afër këto zgjedhje- thuhet në njoftimin për shtyp të Kryeministrisë.

 

Parlamenti Europian, monitorim të ligjeve kombëtare mbi mediat

european pressParlamenti Europian kaloi sot për votim një Rezolutë, e cila në thelb kërkon monitorim të lirisë së medias dhe pluralizmit. Monitorimi do të ketë një fokus mbi ndryshimet e ligjeve për mediat, të cilat mundësojnë dhe lehtësojnë ndërhyrjen e qeverive në to. Për ruajtjen e lirisë dhe pluralizmit në media, do të rishikohet edhe Direktiva mbi Shërbimet e Medias Audiovizive si edhe kërkohet përmirësimi i kushteve të punës së gazetarëve.

Sipas Rezolutës të përpiluar nga eurodeputetja rumune Renate Weber, që i përket grupit të Aleancës Liberale dhe Demokrate për Europën, do të kemi një monitorim vjetor të lirisë së medias dhe pluralizmit, në të tëra Shtetet Anëtare të BE-së. Kjo do të realizohet nga Komisioni Europian, Agjencia për të Drejtat Fondamentale, Instituti Universitar Europian, si edhe Qendra për Pluralizmin dhe Lirinë e Medias. Monitorimi do të prekë të gjithë Shtetet Anëtare, nga ku do të dilet me një raport të përvitshëm, të shoqëruar edhe me rekomandime përkatëse.

Parlamenti Europian kërkon të ruajë pavarësinë e gazetarëve nga presionet e brendshme të publikuesve dhe nga presionet e jashtme të lobeve ekonomike dhe politike. Për redaktorët dhe gazetarët, karta editoriale apo ‘kodet e sjelljes’ janë shumë të rëndësishme për pavarësinë, pasi ato parandalojnë pronarët, qeveritë ose palët e treta të ndërhyjnë në përmbajtjen e lajmit, theksohet në Rezolutë.

Eurodeputetët rekomandojnë BE-në dhe shtetet anëtare të mbështesin gazetarinë investigative, pasi ajo monitoron demokracinë dhe zbulon veprat penale. Etika gazetareske duhet promovuar gjithashtu në BE, por organet rregullatore të medias duhet të jenë gjithmonë të pavarura dhe të krijuara nga sektori i medias në vetvete.

Direktiva mbi Shërbimet e Medias Audiovizive, do të rishikohet gjithashtu. Qëllimi i këtij rishikimi, theksohet të jetë hartimi i standardeve minimale, për ruajtjen e të drejtës fondamentale për lirinë e shprehjes dhe të informacionit, lirinë e medias dhe pluralizmin.

Ky rishikim duhet të përfshijë rregulla mbi transparencën e zotëruesve të mediave, përqendrimit të medias dhe konfliktit të interesit. Rregulla nevojiten gjithashtu për të drejtuar pajisjen me informacion politik, ndaj gjithë mediave audiovizive, për të garantuar akes të barabartë ndaj aktorëve politik të ndryshëm, opinioneve dhe pikëpamjeve të ndryshme, ‘në veçanti gjatë zgjedhjeve dhe referendumeve’.

Parlamenti i bën thirrje gjithashtu Shteteve Anëtare, të ndërtojnë garanci për ruajtjen e pavarësisë së këtyre organeve kundrejt influencës politike. Ajo çka kërkohet më konkretisht është zgjedhja në bazë të meritës dhe eksperiencës dhe jo sipas kritereve politikë të shefave të medias publike, bordeve të tyre të menaxhimit, këshillat e medias dhe organizmave rregullues.

Në përfundim, Parlamenti i kërkon Komisionit Europian të studiojë, se, si kriza dhe pasiguria e punës prek komunitetin e gazetarëve, me synim gjetjen e zgjidhjes,  ndaj impaktit dëmtues mbi lirinë e medias.

 

 

 

Juve në Spanjë për Higuain

gonzalo-higuai-2010-4-10-17-14-43Pas shumë tratativazh mes Juventus dhe Real Madrid për lëvizjen e sulmuesit Gonzalo Higuain nga Spanja drejt Italisë, tani duket se ka ardhur ora e së vërtetës për të nënshkruar marrveshjen. Bomberi argjentinas ka shprehur dëshirën e tij për tiu bashkuar klubit tirines, ndërsa nesër pritet të mësohet e vërteta përfundimtare e transferimit të tij në italia.

Mediat italiane bëjnë të ditur se stafi drejtues i skuadrës së Juventusit me në krye Pepe Marotën, do të jetë nesër në kryeqytetin spanjoll për të mbyllur përfundimisht tratativat. Drejtori sportiv i “Zonjës së vjetër”, do të takohet me drejtuesit e “Galaktikëve” dhe konkretisht me presidentin Peres, për të përcaktuar përfundimisht detajet e marrëveshjes.

Për të arritur këtë marrëveshje, drejtuesit e Juventusit ofrojnë mbrojtësin e djathtë Litshtainer plus një shumë eurosh. Zvicerani mund të luajë një rol të rëndësishëm në këtë marrëveshje, pasi ai ka treguar qartë se mund të luaj edhe si mesfushor, gjë e cila pëlqehet në kampin e spanjollëve. Këta të fundit kërkojnë për kartonin e bomberit argjentinas, 30 milon euro, ndërsa Juventus është i gatëshëm të paguaj gjysmën plus kartonin e Litshtainer.

 

Rama: Qeveria e Berishës ka rrënuar ekonominë

rama liveNë një konferencë për shtyp, Rama u shpreh se ka një rritje dramtike të deficitit buxhetor i cili sipas tij është më i larti në 5 vjet dhe 2 herë më i lartë se 4 vitet më parë. Ta ndalim me votë këtë rrugë të rrënimit.

“Jam sot këtu për t`ju thënë disa të vërteta dramatike që bazohen në shifrat zyrtare dhe ato janë shumë larg realitetit mbytës për sipërmarrjen e madhe dhe të vogël në Shqipëri. Që prej janarit të 2011 janë mbyllur 19 mijë biznese që do të thotë mbyllen 23 biznese në ditë, ose 1 në orë. Ndërkohë të dhënat fiskale të 4 mujorit tregojnë se të ardhurat në buxhet nga TVSH, që është treguesi më domethënës janë më të ulta në 5 vitet e fundit. Janë edhe më të ulta sesa në 2009 kur kjo qeveri grabiti votat dhe i dha vetes një mandat të dytë, ndërkohë që vetëm prej inflacionit duhet të ishte 10 përqind më shumë. Ekonomia ka 5 vjet që nuk rritet asnjë milimetër por përkundrazi tkurret” tha Rama.

Rama theksoi më tej se biznesi i vogël po shkon drejt rrënimit ndërsa të ardhurat  nga taksat janë më të ultat e këtyre viteve.

“Biznesi i vogël është në rrugën e rrënimit të mëtejshëm ku me rret zvarrë prej vitesh nga kjo qeveri  dhe po shkatërrohet cdo ditë. 27.4 përqind, thuajse 1/3 më pak të ardhura nga taksa e biznesit të vogël sesa në 2009. Një rënie e tmerrshme që tregon rrënimin e biznesit të vogël në Shqipëri. Vlera e shtuar mbi xhirot dhe xhiroja e biznesit të vogël që ka pasur rënie tregojnë se gjendja e biznesit të vogël është dramatike” tha Rama.

Ndërsa u kërkoi shqiptarëve që të ndalin me votë rrënimin e mëtejshëm të ekonomisë, Rama premtoi se pas ardhjes së PS-së në pushtet biznesi do të rilindë.

BE e shqetësuar për të Drejtat e Njeriut në Rusi

foto REUTERS / Francois Lenoir
foto REUTERS / Francois Lenoir

Të Drejtat e Njeriut, Demokracia dhe Shteti i së Drejtës, janë vlera thelbësore për BE-në. Të ankoruara në Traktatin e saj themeltar, ato janë përforcuar gjatë adoptimit të Kartës të të Drejtave Fondamentale, më 2000. Me hyrjen në fuqi të Traktatit të Lisbonës, më 2009,  kjo kartë u shndërrua në element juridikisht detyrues. BE synon promovimin dhe mbrojtjen e këtyre të drejtave aktivisht, si brenda saj, po ashtu edhe në marrëdhënie me vende të tjera.

Gjatë zhvillimit të Samitit të Majit 2003, në St. Petersburg, BE dhe Rusi kanë rënë dakord, të krijojnë një hapësirë të përbashkët afatgjatë të quajtur “Hapësirë e Përbashkët mbi Lirinë, Sigurinë dhe Drejtësinë”. Dy herë në vit, në këtë kuadër zhvillohen takime midis Trojkës së BE-së (Presidenca e BE-së, Këshilli dhe Komisioni) dhe palës Ruse, të përfaqësuar në nivel ministror, ku monitorohet implementimi i kësaj ‘Hapësire të Përbashkët’.

Më 17 Maj, Bashkimi Europian dhe Federata Ruse kanë mbajtur raundin e 17-të, të Konsultimeve mbi të Drejtat e Njeriut në Bruksel, duke lejuar që BE të paraqesë shqetësimet e saj mbi zhvillimet, që prekin të Drejtat e Njeriut në Federatën Ruse.

Të dyja palët kanë diskutuar gjatë mbi situatën shqetësuese të shoqërisë civile në Federatën Ruse, në veçanti këto diskutime kanë prekur, një sërë legjislacionesh shtrënguese, që vëzhgimet e fundit kanë konstatuar, mbi bazën e ligjit për ‘agjentët e huaj’ dhe proceset në zhvillim në gjykatë.

Në këtë kontekst, BE konfirmoi qëllimin e saj për vazhdimin e ndjekjes nga afër të zhvillimeve, që prekin NGO-të, në Federatën Ruse dhe të shprehë ndërmjet të tjerave shqetësimet e saj në lidhje me vënien e gjobave, ndaj organizatës monitoruese të zgjedhjeve GOLOS dhe akuzave kundër ADC Memorial, në St. Petersburg. Rusia është shprehur e hapur për të ofruar sqarime të detajuara, për sa i përket zbatimit të këtij ligji dhe ndjekjen e këtij dialogu më në thellësi, mbi bazën e vëzhgimeve specifike me Ministrin e Drejtësisë në Moskë.

BE ngriti një sërë çështjesh që prekin të Drejtat e Njeriut në Federatën Ruse; kërkoi informacion në lidhje me impaktin e përpjekjeve të Rusisë, për të luftuar kundër torturës dhe për të promovuar pavarësinë e sistemit të drejtësisë, mbi pavarësinë e gjyqtarëve dhe avokatëve sidomos në veri të Kaukazit; i bëri thirrje Rusisë të frenojë adoptimin e një legjislacioni federal mbi ‘propagandën homoseksuale’, e cila mund të rrisë diskriminimin dhe dhunën kundër individëve që i përkasin, LGBTI;  kërkoi informacion mbi disa procese juridike në vazhdim, duke përfshirë edhe persekutimin pas vdekjes së Sergei Magnitsky, gjyqin ndaj Alexei Navalny dhe situatën në lidhje me inkriminimin e personave për ngjarjen e sheshit Bolotnaya, maj 2012.

Rusia nga ana e saj, ndau shqetësimin mbi situatën e shtetasve, që nuk i përkasin BE-së dhe mbi legjislacionin, që rregullon përdorimin e gjuhëve të minoriteteve, në sistemin edukativ.

BE dhe Rusia përfituan nga mundësia e konsultimeve për të riafirmuar rëndësinë e sistemit të të Drejtave të Njeriut, si në nivel  ndërkombëtar, po ashtu edhe në nivel rajonal. Ato shkëmbyen pikëpamjet e tyre mbi prioritetet në vazhdim dhe diskutuan mënyra për të përmirësuar kuptimin dhe bashkëpunimin e tyre në një ambient ndërkombëtar.

Avancimi në një nivel bashkëpunimi dypalësh dhe shumëpalësh mbi çështje që kanë lidhje me gjininë, kryesisht dhunën ndaj grave, dhunën ndaj fëmijëve apo lufta ndaj korrupsionit u konsideruan si premtuese. Bashkëpunimi praktik mund të shikohet edhe në çështjet anti-diskriminuese. Në të njëjtën linjë me praktikat e ndërtuara dhe në përfshirjen e pikëpamjeve të shoqërisë civile në konsultime, BE takoi përfaqësuesit e shoqërisë civile ruse në Moskë më 26 prill dhe organizatat civile ndërkombëtare në Bruksel më 17 prill.

Raundi tjetër i Konsultimeve mbi të Drejtat e Njeriut, BE-Rusi do të zhvillohet në fund të këtij viti, 2013. BE ka rideklaruar dëshirën e saj, për zhvillimin e këtij raundi në Moskë, ku ajo mund të përfitojë nga pjesëmarrja e një serë agjencish dhe ministrish, meqenëse këto konsultime janë zhvilluar që në fillim, në Bashkimin Europian.

 

 

 

Stop çmendurisë së teknologjisë dixhitale

technologyE-mailet, smartphonet dhe interneti na bëjnë të arritshëm kudo dhe kurdo. Por sipas studiuesve trupi dhe shpirti kanë nevojë të rigjenerohen prej stresit që shkakton teknologjia digjitale në jetën e përditshme.

38-vjeçarja Astrid Schurowetz nga Vjena është punonjëse në një kompani shërbimesh austriake. Ajo është përgjegjëse për kujdesin ndaj klientit dhe përmes telefonit dhe e-mailit ajo u përgjigjet rreth 200 pyetjeve në ditë. “Gjatë gjithë ditës jam para kompjuterit dhe kjo gjë vazhdon edhe kur shkoj në shtëpi. Atje merrem pak me qenin, më pas ulem para laptopit, ku kontrolloj e-mailet private dhe klikoj forume, ku mund të gjej gjëra interesante.” – tregon ajo

Rasti i Astrid Schurowetz nuk është i vetëm. Sipas Unionit Ndërkombëtar të Telekomunikacionit rreth tre milliardë njerëz në botë kanë akses në internet dhe në vitin 2014 numri i përdoruesve të telefonisë mobile do të rritet në 7 miliardë.

Një zhvillimi i tillë kaq i shpejtë vështirë se mund të imagjinohej 60 vjet më parë, kur ishte e vështirë të gjendej një kabinë telefonike dhe një telefonatë në kabinat telefonike publike nënkuptonte kontakt me „jashtë“.

Offline rigjeneron trupin dhe shpirtin

Por ndërkohë ka edhe një lëvizje kundër kësaj tendence. Në Amsterdam për shembull është krijuar një zonë pa valë interneti Wi-Fi. Gjithashtu edhe në kryeqytetin britanik, Londër, ka një vend kundër valëve digjitale: kompleksi i dyqaneve „Selfridge“ u ofron klientëve një dhomë pushimi pa këto valë.

Studiuesi i stresit Mazda Adli, nga Klinika Universitare Charité në Berlin e mbështet trendin për të qenë offline. Eksperti këshillon që telefoni celular duhet që thjesht të fiket për disa orë. “Kjo ia vlen, është shumë e rëndësishme. Për këtë ka nevojë trupi dhe shpirti në mënyrë që të rigjenerohen. Ne mund ta bëjmë pa problem një gjë të tillë dhe nuk do të ndodhë asnjë katastrofë.”

Pushime pa internet dhe celular

Një mundësi tjetër: Të ashtuquajturat „Pushime Offline“ në natyrë. Këtë koncept ndjek për klientët e saj ferma „Laussabauer“ në Austri. Në fillim të pushimeve pushuesve u merren gjithnjë telefonat celularë. “Ideja është që ne duam t’i bëjmë klientët tanë të ndihen mirë edhe pa internetin. Ata duhet t’u kushtohen  për disa ditë fëmijëve të tyre, partnerit apo natyrës.“ – thotë Renate Baumann.

Bashkë me të shoqin Herbertin, Renate Baumann organizon për shkak të kërkesave në rritje pushime të tilla gjatë gjithë vitit. Si fillim ata ndërtuan shtëpiza banimi për pushuesit. Natyrisht pa internet, por gjithashtu edhe pa televizor.

Pushime pa internet, pa celular, pa televizor, pa telefon. Shumë prej pushuesve u pëlqen shumë kjo eksperiencë shumë ndryshe, pa media dhe pa stres. Ata bëjnë shëtitje të gjata në natyrë me kalë ose më këmbë.

Premtim vetes

Edhe Astrid Schurowetz-it i pëlqen ky lloj pushimi dhe i premton vetes: “Një gjë të tillë do ta bëj edhe në shtëpi. Dy orë në ditë do të qëndroj larg çdo lloj medie. Do të ulem në ballon të lexoj një libër, pa i pasur celularin dhe laptopin afër. Nuk duhet të jem gjithmonë e arritshme.”/DW/

Koreja e veriut liron peshkatarët kinez pas 16 ditësh

kinezGrupi i peshkatarëve kinezë të arrestuar dy javë më parë nga Korea e Veriut janë liruar bashkë me varkën e tyre. Ekuipazhi prej 16 vetësh ishte marrë nën kontrollin e koreano-veriorëve më 5 maj në Detin e Verdhë.

Kina deklaroi të hënën se po negocionte me Penianin për lirimin e tyre që prej datës 10 maj. “Të gjithë ata janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe po kthehen”, raporton agjencia e lajmeve “Xinhua”.

Ndërsa pronari i varkës, Yu Xuejun tha për agjencinë e lajmeve “Reuters” se për lirimin nuk është paguar asnjë shpërblim.

Më herët ai kishte thënë se koreano-veriorët kërkonin 100 mijë dollarë shpërblim dhe se ai kishte marrë 8 telefonata ku kërkohej shuma në fjalë.

Vitin e kaluar, në një ngjarje të ngjashme, 29 peshkatarë kinezë dhe tre varka u kapën nga një grup i panjohur koreano-verior.

Ata u liruan pas dy javësh dhe edhe atëherë nuk u sqarua nëse ishte paguar një shpërblim, apo nëse pengmarrësit kishin qenë të marinës koreano-veriore apo grup i pavarur.

Robert Hand: Komunitetit ndërkombëtar po i humbet durimi me Shqipërinë

D7DC115A-F2B6-4059-91C6-D1DE90B048C8_w640_r1_sNjë vëzhgues i hershëm i zgjedhjeve në Shqipëri dhe njohës i mirë zhvillimeve politike atje thotë se ende ekziston mundësia për zgjedhje të rregullta në Shqipëri në qershor, por shton se duhet vepruar me shpejtësi për ta realizuar një gjë të tillë.  Këshilltari i lartë politik i Komisionit amerikan të Helsinkit Robert Hand, shprehu në një intervistë për Zërin e Amerikës keqardhjen për ato që i quajti lojra politike, përfshirë situatën e krijuar me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Zoti Hand, thotë se  nëse arrihet një marrëveshje për KQZ-në duhet të jetë afatgjatë  dhe në mbështetje të ligjit. Zoti Hand tha se komuniteti ndërkombëtar nuk është i kënaqur me mënyrën e të bërit politikë në Shqipëri, që sipas tij e pengon realizimin e potencialit të plotë të vendit.

Zëri i Amerikës: Zoti Hand, komuniteti ndërkombëtar, përfshirë përfaqësues të qeverisë dhe Kongresit amerikan që folën në seancën e fundit për Shqipërinë, kanë thënë se zgjedhjet e qershorit janë të një rëndësie vendimtare për të ardhmen e vendit dhe integrimin evropian. Sipas jush çfarë varet nga këto zgjedhje?

Robert Hand: Mendoj se gjithnjë e më shumë ka një humbje durimi me Shqipërinë. Ne duam që Shqipëria të jetë e suksesshme, ne e dimë që e ka mundësinë që të jetë e suksesshme. Ka pasur një farë përparimi në mbajtjen e zgjedhjeve të viteve të fundit, por përparimi nuk ka qenë i mjaftueshëm, prandaj edhe e  quajtëm seancën “Ritmi i përparimit”. Pra nuk mund të mohohet që ka pasur përparim, por nuk ka qenë aq i shpejtë sa ç’duhet.

Mendoj se nuk vihet në diskutim që Shqipëria duhet të ishte në gjendje deri tani të mbante zgjedhje që të jenë pa mëdyshje “të lira dhe të drejta”, që gjithkush të kishte krijuar besim tek institucionet dhe si rrjedhojë tek rezultatet e zgjedhjeve.

Për fat të keq kemi filluar që tani të shohim për zgjedhjet e ardhshme se po bëhen shumë lojra dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është një prej tyre dhe kjo po shkakton humbje besimi dhe mendoj se kjo është për të ardhur keq.

Nëse zgjedhjet e kësaj radhe në Shqipëri nuk marrin notë të mirë, pa diskutim që do të ketë pasoja për shpejtësinë e integrimit në Bashkimin Evropian. Anëtarësimi, edhe në rrethana ideale do kohë që të bëhet, kështuqë nuk mund të përballohen vonesa të mëtejshme. Prandaj zgjedhjet duhet të jenë të rregullta. Ende ekziston mundësia, por mendoj se duhet të veprojnë me shpejtësi për ta realizuar një gjë të tillë. Përsa i takon Shteteve të Bashkuara, Shqipëria është aleate e NATO-s dhe ne jemi të kënaqur për këtë, ne jemi miq të mirë të Shqipërisë, por ne gjithashtu  konstatojmë që Shqipëria nuk po e realizon potencialin e saj të plotë si partnere dhe aleate, përsa kohë që ka paqendrueshmëri politike, përsa kohë që ka korrupsion. Ne duam ta shohim Shqipërinë jo vetëm si vend mik, por edhe si një vend të konsoliduar mik që ndjek rrugën e duhur edhe në zhvillimet e brendshme, që të arrijë maksimumin e ndikimit të saj si aleate dhe partnere.

Zëri i Amerikës: Ju përmendët Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.  Ju gjithashtu flisni për lojra politike. Sipas jush çfarë forme duhet të ketë zgjidhja e këtij problemi?

Robert Hand: Është pak e vështirë për mua ta parashikoj një gjë të tillë  sepse janë bërë lojra me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, duke shkarkuar zotin Muho. Tre anëtarë të tjerë dhanë dorëheqjen. Sigurisht që ata (forcat politike) duhet të ulen së bashku të diskutojnë sesi ta plotësojnë KQZ-në, por nuk duhet të jetë thjesht një vazhdim i lojës politike ku një shtrëngim duarsh mes dy partive politike, del mbi ligjin. Mendoj se shumë njerëz mendojnë se nëse do të ishte respektuar ligji, ky veprim nuk duhet të kishte ndodhur. Prandaj mendoj se duhet të ketë një riangazhim ndaj kodit zgjedhor, ndaj ligjeve, dhe një ide të qartë për ecurinë e mëtejshme. Pikëpamja ime për KQZ-në është se këta njerëz (anëtarët) zgjidhen nga partitë politike, por pasi janë miratuar, duhet të pritet prej tyre që të sillen me profesionalizëm, jo në mënyrë politike. Do të duhet një marrëveshje politike për ta rikthyer këtë formulë, por do të duhet gjithashtu një rikonfirmim i qartë që do ta respektojnë kodin, do të respektojnë ligjet dhe jo thjesht të bien në ujdi për atë që duan apo nuk duan të bëjnë.

Zëri i Amerikës:  Cilat do të ishin pasojat e një ujdie politike, në vend që të gjendet një zgjidhje afatgjatë për këtë problem?

Robert Hand: Do të thotë që një situatë e tillë mund të përsëritet. Do të thotë që kurdo që i intereson dikujt, mund të luajë me KQZ-në. Mendoj se për këto zgjedhje, por edhe për zgjedhje të ardhshme, integriteti i KQZ-së dhe gjithë organizmave të tjera zgjedhore duhet të respektohet, në mënyrë që njerëzit të kenë besim tek to. Prandaj nuk duhet të jetë një zgjidhje e momentit që lejon ecurinë e këtyre zgjedhjeve. Duhet të ketë një rikonfirmim i respektimit të kodit, të ligjeve dhe që këto institucione që duhet të rregullojnë në mënyrë të paanshme procesin e zgjedhjeve, të bëjnë të mundur që njerëzit të hedhin votën, të numërojnë votat siç duhet. Që gjithkush të besojë dhe rrjedhimisht të respektojë rezultatet, ka nevojë për instucione që gëzojnë besim dhe duhet bërë më shumë për krijuar besim tek këto institucione.

Zëri i Amerikës: Nga reagimet ndërkombëtare, përfshirë Shtetet e Bashkuara, duket se kritikat për ndryshimin e anëtarit të LSI-së kanë qenë më të forta sesa reagimi ndaj dorëheqjes së tre anëtarëve të opozitës që pasoi. A është kjo një miratim i heshtur i veprimit të anëtarëve të opozitës, si reagim ndaj ndryshimit të parë?

Robert Hand: Nuk besoj se është pranim, ose miratim i dorëheqjeve, por është e qartë se nëse dikush do të japë dorëheqjen, është i lirë ta bëjë një gjë të tillë. Nuk është jashtë parashikimit të ligjit. Mendoj se pyetja që shtrohet është nëse heqja e zotit Muho ishte legjitime apo, nëse u bë ligjërisht apo jo dhe shumë mendojnë se nuk u bë ligjërisht, se parlamenti nuk duhej të vepronte siç veproi. Nuk më duket se kjo do të thotë që kritikët mbështesim vendimin e dorëheqjeve, por duket se ata po përqendrohen tek mënyra sesi duhet të funksionojë KQZ-ja dhe se efektivisht përpjekja për shkarkimin e përfaqësuesit të LSI-së e vuri në pikëpyetje integritetin e KQZ-së dhe kjo është çështja kryesore.

Zëri i Amerikës: Në zgjedhjet e kaluara, polarizimi, mungesa e vullnetit politik dhe mosbesimi mes partive kryesore ka hedhur hije dyshimi mbi rezultatin dhe procesin. Cila do të ishte këshilla juaj për të shmagur këtë lloj klime?

Robert Hand: Është e  vështirë të thuash se ku i ka rrënjët polarizimi dhe mosbesimi në Shqipëri sot dhe sesi mund të kapërcehet diçka kaq e theksuar. Ndoshta do të thotë, që Shqipërisë i duhet një shoqëri civile më e konsoliduar dhe është e vështirë për shoqërinë civile të hedhë rrënjë në një klimë të tillë të polarizuar politike. Por pa dyshim kjo është e nevojshme dhe qytetarët vetë duhet të angazhohen pak më shumë dhe të thonë “mjaft, kemi këto probleme dhe duam që politikanët të përqendrohen më shumë për zgjidhjen e tyre”. Një mënyrë është shoqëria civile, por disa herë shoqëria civile rekrutohet nga partitë politike dhe kjo është pjesë e problemit. Ndoshta kur të shkojnë në kutitë e votimit, ta hedhin votën për ata që janë më pak të prirur ta vazhdojnë këtë lloj situate. Mendoj se është për të ardhur keq që ndoshta nuk i kanë të gjitha alternativat që duhet të kenë. Nuk kam përgjigje të thjeshta. Është diçka që do të dojë kohë të ndryshojë, por që duhet të kishte ndryshuar para shumë kohësh dhe ajo që ne përpiqemi të bëjmë tek Komisioni i Helsinkit është të inkuarjojmë që ky ndryshim të bëhet më shpejt.

Zëri i Amerikës: Si mund të rikthehet besimi i qytetarëve, kur ndoshta nuk ka pasoja për një politikë të tillë polarizuese?

Robert Hand: Besoj se ka pasur reagim në nivel ndërkombëtar. Siç e thashë, është fakt i pranuar që Shqipëria duhet të ishte shumë më përpara në procesin e integrimit dhe se nëse këto zgjedhje nuk i plotësojnë standardet do të jenë qytetarët që do të vuajnë pasojat sepse Bashkimi Evropian do ta përdorë këtë si arsye që të vonojë marrjen e hapave të mëtejshëm për Shqipërinë. Është e qartë se marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të jenë të mira, sepse është një marrëdhënie mes vendeve, jo thjesht mes qeverive dhe kjo marrëdhënie është e fortë. Por mendoj se qeveria e Shteteve të Bashkuara ka kritikuar me të drejtë zhvillimet në Shqipëri dhe mendoj se qytetarët në Shqipëri duhet ta dinë se komuniteti ndërkombëtar nuk është i kënaqur me politikën në vendin e tyre dhe se ne jemi në krah të qytetarëve të Shqipërisë në përpjekjet për ta ndryshuar gjendjen. Ne duam që ndryshimet të jenë paqësore, në përputhje me ligjin, por që kjo të realizohet duhet të njerëzit të bashkohen dhe të thonë “nuk duam këtë lloj politike, duam një lloj tjetër politike”. Mendoj se Shtetet e Bashkuara dhe Evropa kanë dërguar sinjalet e duhura se ne i mbështesim këto lloj nismash paqërore dhe demokratike si për shembull për një media më të pavarur, shoqërinë civile siç e thashë, grupe aktivistësh që duan të çojnë përpara një çështje të veçantë. Duam që zyrtarët e qeverisë të jenë më të hapur ndaj zgjedhësve të tyre dhe t’u përgjigjen shqetësimeve të tyre.

Zëri i Amerikës: Sistemi i drejtësisë në Shqipëri, është kritikuar shpesh në raportet e organizatave ndërkombëtare. Nga ana tjetër, kur ka probleme me procesin zgjedhor, në mënyrë të pashmanshme ato shkojnë për zgjidhje tek institucionet e drejtësisë. Si ndikon mungesa e besueshmërisë tek mënyra sesi zhvillohet procesi zgjedhor, gjatë votimeve dhe pasi ato kanë përfunduar?

Robert Hand:   Kjo na rikthen tek KQZ-ja, sepse vetëm me katër anëtarë, nuk besoj se do të jetë në gjendje të marrë vendime për ankesat dhe ky duhet të ishte një nga hapat në përpjekje për të zgjidhur sfida ndaj procedurave zgjedhore dhe pastaj do të shkonte tek kolegji elektoral. Do të jetë e vështirë për këto zgjedhje për shkak të zhvillimeve të deritanishme. Mendoj se shumë varet nga fakti nëse ditën e zgjedhjeve, gjërat shkojnë mbarë në mënyrë të mjaftueshme që të mos ketë kontestime. Mendimi im është se nuk duhet të depozitohen ankesa, nëse nuk ka një bazë për ankesën. Nuk duhen bërë ankesa thjesht që të ketë ankesa. Por shpresoj që nëse votimi shkon mbarë, nuk do të ketë shumë ankesa dhe rezultatet do të respektohen. Ndoshta do të ketë disa pikëpyetje nëse gjykatat do të mund t’i gjykojnë siç duhet këto çështje, por në fillim le të shpresojmë që të mos ketë shumë probleme, në mënyrë që të mos ketë shumë ankesa për të shqyrtuar. Ndoshta partitë politike, duke mësuar nga përvoja me KQZ do të mësojnë të sillen më mirë dhe të mos ketë shumë ankesa për të cilat duhet marrë vendim. Me kalimin e kohës duhet bërë punë e mëtejshme me gjykatat për të garantuar më shumë respekt për shtetin ligjor, gjë që do të rriste besimin tek zgjedhjet e ardhshme.

Zëri i Amerikës: Që nga rënia e komunizmit në Shqipëri, partitë politike dhe udhëheqësit politikë janë kritikuar se kanë ndjekur interesat afatshkurtra politike dhe duket se kjo lloj prirjeje po vihet re edhe në këto zgjedhje. Cila do të ishte këshilla juaj për ta shmangur një mënyrë të menduari mbështetur në cikle zgjedhore – që në fakt ndonjëherë ndodh edhe këtu në SHBA –  në favor të një vizioni afatgjatë për të mirën e vendit?

Robert Hand: Po të dija t’i përgjigjesha kësaj pyetje aq saktë sa do të doja, me siguri do merrja çmimin Nobel. Mendoj se një pjesë e përgjigjes mbështetet tek ajo që ju sapo përmendët në pyetjen tuaj. Kjo dukuri ndodh këtu dhe ndodh kudo. Interesi parësor i politikanëve është të marrin pushtetin dhe ta ruajnë atë.

Ajo që është ndryshe këtu dhe në vende të tjera dhe që ende nuk ka ndodhur në Shqipëri, është që dikush të jetë në gjendje të prezantojë një plan afatgjatë, që ta fusë vendin në rrugën e reformave, në rrugën e duhur, por në një mënyrë që të jetë tërheqëse për të ardhmen e afërt.

Për momentin të gjithë përqendrohen tek interesat afatshkurta dhe herë fiton njëra palë dhe herë tjetra. Por nuk është askush që mund të fitojë mbështetje të fortë me një mënyrë të menduari afatgjatë. Ka disa parti më të vogla që janë formuar së fundmi, ose edhe më parë si LSI-ja, por në shumicën e rasteve ato u bashkangjiten partive të mëdha, ose hyjnë në koalicione që u sjellin edhe atyre përfitime afatshkurtra.

Ajo që mendoj se është e nevojshme, janë disa alternativa reale në Shqipëri dhe ndoshta këto alternativa mund të shfaqen edhe nga brenda partive ekzistuese. Në Partinë Demokratike, në Partinë Socialiste, ka njerëz me ide vërtet të mira. Kjo është diçka që e përmendi edhe kongresmeni Aderholt (Robert Aderholt, republikan nga Alabama) në seancë.

Ka njerëz të zgjuar dhe me vullnet të mirë në këto parti që ndoshta duhet të ngjisin rangjet, ndoshta duhet të ketë më shumë demokraci brenda këtyre partive, në mënyrë që njerëz që kanë një vizion të ndryshëm për të ardhmen e vendit, një vizion më afatgjatë, të mund të kenë më shumë ndikim.

Pra ka disa mënyra për ta realizuar këtë synim, nuk do të thotë domosdoshmërisht një parti e re. Por në fund të fundit, qytetarët kanë nevojë për dikë që të hedhë hapin pa pasur garanci, të ketë guxim dhe të thotë: kjo është ideja ime. Shpresa ime është që nëse dikush e ndërmerr këtë hap, qytetarët të përgjigjen dhe të thonë: “Po, këtë duam edhe ne!”. Dhe kjo do ndihmojë për të sjellë ndryshim në Shqipëri. Kështu ndodh edhe këtu herë pas here. Disa njerëz duan të rrinë në pushtet, por pastaj del dikush që ka një vizion të ndryshëm dhe njerëzit reagojnë, duke votuar për të. Kjo duhet të ndodhë edhe në Shqipëri./VOA/