Lika: Partizani do të ndërtohet për të fituar

15

partizaniPas katër sezonesh në kategoritë inferiore, Partizani i është rikthyer Superligës, në të cilën do të synojë të vërë në vend emrin e madh që ka. Drejtuesit e klubit të kuq po punojnë që të përforcojnë skuadrën me elementë cilësorë, teksa kanë filluar dhe goditjet e para në merkato. “Partizani do të hyjë në sezonin e ardhshëm me pretendimet që ka patur historikisht. Ne jemi një skuadër që do të ndërtohemi për të fituar”, deklaron trajneri Hasan Lika.

Të kuqtë kanë nevojë për t’u përforcuar, ndonëse do të ketë dhe konfirmime të lojtarëve që korrën sukses në sezonin që sapo përfundoi. “Te Partizani do të qëndrojnë një pjesë e mirë e lojtarëve që kontribuuan në ngjitjen në Superiore, të cilët e ndjejnë peshën e kësaj fanelle. Natyrisht që do të bëjmë përforcime dhe kjo do të varet nga ana financiare”, pohon tekniku kryeqytetas.
Nuk mund të mos përmenden tifozët e kuq, të cilët edhe pse skuadra e tyre endej në kategoritë e ulëta të futbollit shqiptar, e kanë ndjekur në çdo cep të Shqipërisë. Lika e pranon që një pjesë e madhe e suksesit të “demave” në këtë sezon i atribuohet tifozërisë së kuqe, ku thotë: “Realisht tifozët e Partizanit janë baza e suksesit. Gjatë këtyre viteve me vuajtjen e ekipit kanë vuajtur dhe ata. Tifozët e kanë ndjekur Partizanin kudo, në çdo stadium dhe në çdo fushë ku ka luajtur dhe rikthimi në Superligë është dhe një meritë e padiskutueshme e tyre”.

Ndërkohë, pas arritjes së objektivit për t’u ngjitur në elitën e futbollit shqiptar, futbollistët janë lënë pushim nga stafi drejtues. Ende nuk ka një ditë të saktë kur do të nisin përgatitjet për sezonin e ri, teksa kjo do të vendoset nga vetë trajneri Hasan Lika. Nga ana tjetër, drejtuesit e klubit po punojnë për merkaton, ku kanë arritur akordin me Rrahman Hallaçin, ndërsa janë dhe disa lojtarë të tjerë në shënjestër.