Rama: Dua të lë një emër në histori

rama fjalimi i fitoresLideri socialist Rama në një intervistë për gazetën ‘Le Courrier des Balkans” (Korrieri i Ballkanit), ka deklaruar se vetëm kur manifestuesit e 21 janarit u vranë në rrugë, vetëm atëherë komuniteti ndërkombëtar filloi të kuptonte, se këtu kishte një problem me Berishën. Ai deklaron gjithashtu, se kërkon të bëjë politike për të lënë një emër në histori.

Intervista është realizuar ditën e zgjedhjeve, nga gazetarët francezë Philippe Bertinchamps dhe Jean-Arnault Dérens.

SHQIPËRIA, EDI RAMA KRYEMINISTRI DHE VDEKJA
Philippe Bertinchamps/ Jean-Arnault Dérens “Le Courrier des Balkans” 

Rezultatet konfirmojnë fitoren e koalicionit të majtë në zgjedhjet shqiptare. Edi Rama, i cili njoftoi fitoren e tij që darkën e së dielës, do të bëhet Kryeministër. Ai flet për sensin e angazhimit të tij në politikë dhe për rivalin e tij, Sali Berisha. Takim me një burrë që bën politikë për të mashtruar vdekjen.

Intervista është parashikuar të zgjasë pesë minuta. Zgjati një orë. E diela në darkë në Tiranë, një lloj topitjeje ka trullosur selinë e Partisë Socialistë shqiptare. Jashtë, një grup i vogël militantësh të moshuar tundin këmbët dhe pinë cigare. Brenda, një trupë gazetarësh të televizioneve, të trullosur nga vapa, duket sikur po vdesin nga mërzia. Por, asgjë nuk duket që e justifikon këtë lodhje. Që nga mbyllja e qendrave të votimit në orën 19:00, Edi Rama ka shpallur fitoren e koalicionit të opozitës së majtë. Pritje, pritje, pritje… Dhe në fund, ja ku është. Shefi u shfaq. Mban një T-shirt lejla, ngjyrat e partisë, ngjyra e lëkurës e nxirë dhe dhëmbët të bardhë. Pamje e fortë prej basketbollisti. Nofullat e shtrënguara. Pamje e rraskapitur. “Urime, zoti Kryeministër i ardhshëm?” “Bah! Po…Duket sikur kemi fituar”. Edi Rama bën thirrje për qetësi. S’do të ketë grumbullim. S’do të ketë manifestim. Po numërojmë votat”. “Amá, një fitore duhet festuar, apo jo?” “Bah, Po… Kësaj radhe, po. Kemi 13-14 pikë diferencë. 75-78 deputetë në Parlament, është e sigurt.” Në ketë moment, numërimi i votave akoma nuk ka filluar. “Por, militantët tanë po na nisin informacione. Në çdo lagje, në çdo godinë, ne kemi kontakte që dinë për kë kanë votuar njerëzit.” 

Sipas mendimit tuaj, Sali Berisha do të pranojë humbjen?
Askush nuk e di … 

Pas 8 vjetësh përballjeje të acaruar, një ndjenjë revanshi?
Më e vështira është të humbësh kur kundërshtari ka manipuluar votën. Në 2009-n, komuniteti ndërkombëtar na tradhtoi duke pranuar rezultate të falsifikuara. Gjatë zgjedhjeve lokale në Tiranë në vitin 2011, ishte akoma më keq. Një situatë plotësisht kafkjane! OSBE-ja botoi një raport, në të cilin thuhej, nga njëra anë që një e treta e votave ishte falsifikuar, dhe nga ana tjetër që nuk kishte pasur manipulime. Mu desh të pranoja humbjen për 10 vota… 

Dhe aleati i juaj i ri, Ilir Meta, që u bashkua me Berishën, a besoni ju te besnikëria e tij?
Politika është harmonia e interesave. Jo e idealeve. Shikoni Sarkozinë. Flirtoi me Frontin Kombëtar. Por atij nuk i eci. 
Edi Rama merr një cigare. Një militante hap derën e zyrës së tij, dhe sjell me vrap një çakmak. Ai flet për Michel Rocardin, kur erdhi në Shqipëri për të bërë një kontroll të situatës politike në Shqipëri përpara zgjedhjeve të 2009-s, dhe që e kishte pyetur: “Dëshironi ju të bëheni Kryeministër? A dëshironi me të vërtetë?”
 

A dëshironi ju akoma të bëheni Kryeministër?
Po, pa asnjë dyshim. 

Polarizimi shumë i fortë që ekziston në Shqipëri midis Partisë Socialistë dhe Partisë Demokrate a është një lloj strategjie?
Nga ana e Berishës…Për një kohë të gjatë unë refuzova përballjen me të. Thoshin që isha shumë skandinav për Shqipërinë. Por në 2009-n, pas falsifikimit të zgjedhjeve, u futëm në një përplasje monumentale, një polarizim i një dhune ekstreme…Për rreth dy vjet ishte e tmerrshme. Në janar 2011 disa manifestues u vranë në rrugë. Ishte aty që komuniteti ndërkombëtar filloi të kuptonte që kishte një problem me Berishën. Por, disa muaj më vonë, OSBE-ja dha prapë një raport të pabesueshëm mbi zgjedhjet lokale.

Kjo fitore, a është një mënyrë për të shpëtuar lëkurën tuaj në politikë?
Por unë nuk bëj politikë për të shpëtuar lëkurën. Sigurisht, ka gjithmonë një aspekt personal. Politika është edhe një mënyrë për t’u afirmuar, apo jo? 

Ka 15 vite që ju jeni në politikë…
Po, po, por unë nuk u bëra Edi Rama nëpërmjet politikës. Unë isha Edi Rama përpara. Ne qoftë se qëndroj, është për të bërë diçka. Kam një problem me vdekjen. Vjen nga fakti që jam një artist. Kam një problem me vdekjen dhe me historinë. Dua të lë një emër. Nuk më intereson për të tjerat. Bëj politikë për të luftuar idenë e vdekjes.

Ndahet nga jeta aktori korçar Minella Borova

minella-BorovaËshtë ndarë nga jeta aktori korçar Minella Borova. Ai ndërroi jetë në Buenos Aires, Argjentinë, ku edhe jetoi për disa vjet. Ai lindi më 22 shkurt 1947, në qytetin e Korçës.

Minella është spikatur me role e tij kinematografike në mjaft filma të ndryshëm si ai i Lirimit në dramën “Njollat e murrme” (1969) të Minush Jeros me regji të Mihal Luarasit, me të cilin fitoi edhe çmim si “Aktor i ri”. Ndër rolet më të realizuar të tij janë: Leka te “Të pamposhturit” e M. Jeros, Martini te “Mosha e bardhë” e Dritëro Agolli, Stenli Kor tek “Engjëjt e skëterrës” e George Bellak dhe Pol Kanten, mësuesi te “Plumbat e shkronjave” të Naum Priftit, hetuesi te “Qyteti i akuzuar” i Teodor Laços, Vehapi te “Tri ditët e kiametit” e Luan Qafezezit; Raqi te “Mësuesi i letërsisë” i Ruzhdi Pulahës, etj. Në vitin 2007, pas një ndërprejeje rreth 15-vjeçare, luajti rolin e protagonistit në dramën “Duke pritur Hënën” e Karlos Maria Alsina.

Minella kreu studimet e larta për aktor në Institutin e Lartë të Arteve në vitin 1969. Më pas punoi ne teatrin “A.Z Cajupi” të Korçës, punoi si pedagog i “Mjeshtërisë së aktorit” në Institutin e Lartë të Arteve dhe si specialist i teatrit në Ministrinë e Kulturës.  Në vitin 1993 emigroi per gati 15 vjet në Argjentinë, për t’u rikthyer sërish në vitin 2006, ku edhe nisi punë si specialist i teatrit në Qendrën Ndërkombëtare të Kulturës “Pjetër Arbnori”.

 

 

Rama takon Thaçin në Zagreb

rama- thaçiKryeministri i ardhshëm i vendit, Edi Rama ka njoftuar nëpërmjet rrjetit social Twitter, se është ftuar në Zagreb të Kroacisë. Kroacia bëhet zyrtarisht të hënën, më 1 Korrik 2013, anëtarja e 28-të e Bashkimit Europian. Në ceremoninë, që pritet të zhvillohet në mesnatë, do të marrin pjesë krerët e shteteve dhe të qeverive, si edhe Presidenti i Këshillit Europian, Herman Van Rompuy.

“Fantastike! U beme 65 mije ketu faleminderit juve! Sot ne Zagreb per ceremonine e hyrjes se Kroacise ne BE me kreret e shteteve e qeverive”,- deklaron Rama nga në rrjetin social Twitter.

Ndërkohë gjatë qëndrimit në Zagreb, Rama është takuar edhe me Kryeministrin e Kosovës Thaçi, ku foton e takimit Rama ka vendosur ta hedhë në Twitter.

Kryeministri Thaçi ka uruar Ramën për fitoren në zgjedhjet e fundit, ndërsa është folur edhe për thellimin e bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Kosovës.

Rama nga ana e tij, ka uruar Kryeministrin Thaçi për nisjen e bisedimeve për Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit me Bashkimin Europian. Të dy liderët vlerësuan se integrimi europian, nën shembullin e Kroacisë është e vetmja rrugë për rajonin.

 

Berisha publikon në FB kërkesa të adoleshentëve, që nuk e imagjinojnë dot qeverinë pa të

berisha jep doreheqjenKryeministri ende në detyrë Sali Berisha, ka nisur të vendosë si statuse në Facebook kërkesa të anëtarëve të PD-së, të cilët i kërkojnë të mos jap dorëheqjen pasi ato nuk e imagjinojnë dot qeverinë pa Berishën në krye. Adoleshenti thotë që e ka ndjekur politikën e Berishës, që në moshën 11 vjeçare ku kishte analizuar vetëm duke qënë 11 vjeç, se mandati i parë i Berishës ishte shumë i sukseshëm.

Më poshtë keni një nga komentet që vetë Berisha ka postuar :

Te dashur miq, ky eshte komenti i Gentjanit, nje 16 vjeçari i cili e ka postuar ate ne statusin tim te fundit. Me emocionoi ne menyre te veçante, ndaj dhe deshiroj ta ndaj ate me ju dhe ti plotesoj atij deshiren per ta vendosur mesazhin e tij si status timin:

“Pershendetje Zoti Kryeminister. Une qe po ju shkruaj jam, Gentjan Kerciku 16 vjec. Kam filluar ta ndjek politiken qe ne vitin 2008 kur ju ishit kryeminister ne mandatin e pare qe te themi te drejten rezultoi shume i suksesshem. Kam qene pjesmarres aktiv ne fushaten e PD ne 2009, ne 2011 dhe ne 2013 ne Komunen e Farkes perkrah Fatbardh Plakut. Perfshirja ime ne fushata ishte vetem nje menyre e te shprehurit MBESHTETJEN E FUQISHME qe kisha per ty si Politikan dhe njeheresh si kryeminister. U lidha shume me politiken qe i vogel por ne te vertete isha i lidhur shume me Politiken qe ju benit zoti Kryeminister. E kam ndjekur hap pas hapi Politiken deri me sot. Madje me lejoni te ju tregoj dicka te bukur ne lidhje me kete.

Kur kishte Mbledhje te KM, Mbledhje te Grupit parlamentar te PD ose Mbledhje te Parlamentit mezi prisja te mbaronte mesimi qe ti ndiqja ato Live, madje disa here i kam ndjekur edhe ne shkolle Live nepermjet Androitit tim. Isha i lidhur shume me politiken. Madje ata qe me njohin me thonin o fiksuar pas politikes, sepse nuk ishte normale qe nje djale ne moshen time te ndiqte politiken me aq pasion. Shikoja cdo nate emisione qe trajtonin Debate politike sidomos emisionin e Blendi Fevziut OPINION. Ndiqja me shume pasion edhe drejtimin qe ju i benit qeverise shqiptare dhe te admiroja. Ishit Idhulli im me plot gojen. Ju ishit arsyeja sepse e ndiqja aq fuqishem politiken sepse admiroja Karrieren tuaj, admiroja karakterin tend, personalitetin tend por edhe natyren e humorit qe ju karakterizon. E mendoja qe nje dite do te isha edhe une atje ne gjirin e PD ne krahun tuaj. Une vleresoj jashte mase shume punen qe ju keni bere si Kryeminister i ketij vendi sepse ju e keni bere te prekshme kete pune te palodhur te juajen.

Une e pranova Rezultatin e ketyre zgjedhjeve ashtu si edhe ju por ate qe nuk mundem ta pranoj eshte Doreheqja nga Kryetar i PD. Jam ende i merzitur nga ky vendim i juaji sepse une ne te vertete nuk i konceptoj dot Mbledhjet e KM pa ju, nuk e konceptoj dot Parlamentin pa pranine tende, pa humorin tuaj.

Tani nuk e di me nese dua te vazhdoj te merrem me politike sepse pa pranine tende politika me duket e varfer. Por nje gje dua te te them se ju zoti SALI BERISHA keni qene, jeni edhe do te jeni kryeministri i shqiperise si dhe lider i PD…. Tani JU JENI LIDERI ME HISTORIK I SHQIPERISE. Ju uroj Shendet ne rradhe te pare juve dhe Zonjes suaj. Ju uroj gjithe te mirat ju dhe Familjes tende.”

 

KLSH, kallëzim penal në Prokurori për 20 punonjës

leskaj-bujar20-300x171Kontrolli i Lartë i Shtetit ka bërë sot publike, rezultatet e auditimit për Bashkinë Kavajë, Bashkinë Kuçovë, Komunën Gjinar të Qarkut Elbasan, për Komunën Levan të Qarkut Fier, duke njoftuar se ka dorëzuar në Prokurori 4 kallëzime penale për 20 punonjës dhe ish-punonjës të këtyre Komunave dhe Bashkive.

Gjatë auditimit të kryer në Bashkinë Kavajë, të përfunduar në fund të muajit mars 2013, KLSH ka konstatuar mjaft parregullsi dhe shkelje të akteve ligjore dhe nënligjore në fuqi, si në drejtim të administrimit të vlerave materiale e monetare, në kryerjen e pagesave dhe në procedurat e prokurimit publik, me pasojë dëm ekonomik në vlerën 24,753,713 lekë.

Për pasojë, KLSH njofton se ka bërë kallëzim penal në organet e prokurorisë për 6 persona punonjës të Bashkisë Kavajë, në cilësinë e Kryetarit dhe anëtarëve të komisionit të vlerësimit të ofertave, për konsumim të veprës penale “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike. KLSH ka rekomanduar gjithashtu marrjen e 8 masave organizative; dhënien e masave administrative gjoba të niveleve të ndryshme,  si dhe fillimin e procedurave për dhënien e masës “Largim nga shërbimi civil” për 6 punonjës të Bashkisë, si Kryetari i komisionit të vlerësimit të ofertave dhe 5 anëtarë të tij; “Zgjidhje të kontratës së punës” për Kryeinspektorin e Inspektoriatit Ndërtimor Urbanistik të Bashkisë Kavajë, etj.

Gjatë auditimit të kryer në Bashkinë Kuçovë të përfunduar në 15/ditorin e parë të muajit mars 2013, KLSH ka konstatuar mjaft të meta e mangësi në zbatimin e legjislacionit si në drejtim të administrimit material e monetar ashtu dhe në drejtim të prokurimeve publike dhe kontrollit të territorit të cilat kanë sjellë për pasojë një dëm ekonomik për buxhetin e Bashkisë në shumën  5,823,874 lekë, nga të cilat 2,803,111 lekë në fushën e prokurimeve dhe zbatimin e kontratave për punë publike, 1,538,918 lekë në fushën e administrimit material e financiar dhe 1,481,845 lekë në fushën e urbanistikës.

Lidhur me këto shkelje KLSH ka bërë kallëzim penal në organet e prokurorisë për “Shpërdorim detyre, për Drejtorin e Ndërmarrjes Komunale dhe Përgjegjësen e Financës, si dhe Drejtorin e Shërbimeve të Transportit të Bashkisë Kuçovë.

Për përmirësimin e gjendjes, KLSH ka rekomanduar 8 masa organizative; 12 masa për shpërblim dëmi në shumën 5,823,874 lekë dhe 27 masa disiplinore, nga të cilat 1 masë “Largim nga shërbimi civil” për Drejtorin e Shërbimeve të Transportit; 3 masa “Zgjidhje të kontratës së punës” për Drejtorin Ndërmarrjes Komunale, Përgjegjësen e Financës dhe Specialistin e Investimeve, 18 masa “Vërejtje me paralajmërim”, dhe 5 masa “Vërejtje me shkrim”.

Gjatë auditimit në Komunën Gjinar, Qarku Elbasan, të përfunduar në ditët e para të muajit prill 2013, KLSH ka konstatuar shkelje të akteve ligjore dhe nënligjore në fushën e prokurimit publik. Më konkretisht, anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, në shqyrtimin e ofertave, shpalljen e fituesit dhe lidhjen e kontratës në tenderin  elektronik me objekt: “Ndërtim ujësjellësi Garxhe-Pashtresh-Xibër-Kafer-Valesh-Gjinar-Elbasan”, kanë shkelur barazinë e pjesëmarrësve në tender, pasi kanë skualifikuar një operator ekonomik privat me vlerë më të ulët në shumën 11,839,512 lekë, në kundërshtim me legjislacionin e prokurimeve publike në fuqi dhe me kërkesat e veçanta të kualifikimit të miratuara nga autoriteti kontraktor.

Për këtë, KLSH ka bërë kallëzim penal në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Elbasan për 4 punonjës të kësaj komune në cilësinë e Kryetarit të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave dhe anëtarit të këtij  Komisioni, përkatësisht të Shefit të Sektorit të Financës, Përgjegjësit të Sektorit të Urbanistikës dhe Përgjegjësit të Sektorit të Ndihmë Ekonomike, si dhe të Kryetarit të Komunës në cilësinë e Titullarit të Autoritetit kontraktor, pasi me veprimet e tyre i kanë shkaktuar buxhetit të komunës një dëm ekonomik në vlerën 11,839,512 lekë.

Gjatë auditimit në Komunën Levan, Qarku Fier, të përfunduar në ditët e para të muajit prill 2013, KLSH ka konstatuar parregullsi dhe shkelje të akteve ligjore e nënligjore duke i shkaktuar buxhetit të Komunës një dëm ekonomik në vlerën 8,868,913 lekë.

KLSH ka depozituar kallëzim penal në organet e prokurorisë për 7 persona, përkatësisht ish-Kryetarin e Komunës në cilësinë e Kryetarit të Bordit të Dhënies me Qira të Tokave Bujqësore të Pandara për 22 raste të dhënies me qira të tokave bujqësore të pandara dhe miratimin e dhënies të 17 leje ndërtimi për objekte biznesi në tokë arë; ish Sekretarin e KRRT të Komunës,; ish-Përgjegjësin e Zyrës së Menaxhimit dhe Mbrojtjes së Tokës, Inspektorin e Zyrës së Shërbimeve dhe tre  anëtarë të Bordit, lidhur me marrjen e vendimeve për dhënien me qira të tokës bujqësore të pandarë.

Po ashtu KLSH ka rekomanduar 11 masa organizative; 6 masa për shpërblim dëmi në vlerën 8,868,913 lekë dhe 8 masa disiplinore për punonjës të Komunës, nga të cilat: 1 masë “Zgjidhje e kontratës së punës” për Inspektorin e Zyrës së Shërbimeve dhe 7 masa “Vërejtje me paralajmërim për  zgjidhej të kontratës së punës”, për Përgjegjësin e Zyrës së Financës, Përgjegjësin e Zyrës së Taksave dhe Tarifave Vendore, juristin e Komunës etj.

 

Van Rompuy: Ballkani ndodhet në një moment historik

foto EU
foto EU

Samiti i Liderëve të BE-së që u mbajt për dy ditë në Bruksel më 27 dhe 28 qershor, konkludoi edhe në lidhje me politikat aktuale të zgjerimit të BE-së. Këshilli vendosi hapjen e negociatave të aderimit me Serbinë dhe hapjen e negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit me Kosovën. Presidenti i Këshillit Europian Van Rompuy e ka cilësuar këtë arritje, si një moment historik për BE-në dhe Ballkanin. 

Pas përfundimit të Samitit të liderëve të BE-së, Presidenti i Këshillit Europian, Herman Van Rompuy është prononcuar në lidhje me zgjerimin duke deklaruar, se ndodhemi në një moment historik për Ballkanin dhe për Europën në tërësi.

Van Rompuy theksoi, se dy vendimet mbi Serbinë dhe Kosovën, vijnë si rezultat i menjëhershëm i marrëveshjes kurajoze, që Beogradi dhe Prishtina arritën Prillin e kaluar. Ai shtoi se, Konferenca e parë ndërqeveritare me Serbinë do të mbahet më janar 2014, më së shumti dhe se në të njëjtën kohë, mandati negociues për Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit me Kosovën, u adoptua.

“Unë do të udhëtoj në të dy kryeqytetet, Prishtinë dhe Beograd të hënën, për të nënvizuar domethënien e kapitullit, që ne po hapim së bashku. Dhe të dielën në mesnatë, unë do të festoj në Zagreb me Kroacinë, hyrjen e saj në Bashkimin Europian. Shumë anëtarë të Këshillit Europian, do të udhëtojnë në Zagreb për të ndarë këtë moment me popullin kroat”,- ka deklaruar Van Rompuy.

Samiti i liderëve të BE-së, ka diskutuar dhe ndërmarrë hapa të rëndësishëm edhe mbi tema, që prekin aktualitetin evropian, si rritja e papunësisë tek të rinjtë, fuqizimi i konkurrencës, rritja ekonomike dhe rritja e vendeve të punës, si edhe mbi plotësimin e Unionit Ekonomik dhe Monetar.

Liderët e BE-së kanë rënë dakord, për një përqasje të plotë të një kuadri, për të luftuar papunësinë tek të rinjtë, duke ndërmarrë masat e mëposhtme:

–       përshpejtim të Iniciativës së Punësimit të të Rinjve, me një buxhet që shkon deri në 8 bilion euro

–       përshpejtim të implementimit të Garancisë për të Rinjtë

–       rritje të lëvizshmërisë së të rinjve (nëpërmjet programeve EURES dhe ERASMUS)

–       përfshirje të partnerëve socialë

Këshilli Europian diskutoi gjithashtu mënyrat për përmirësimin e investimeve dhe përmirësim të aksesit ndaj kredive. Samiti bëri thirrje për mobilizim të burimeve evropiane duke përfshirë dhe ato të Bankës Europiane të Investimeve dhe lançoi një ‘Plan Investimi’ për mbështetjen e ndërmarrjeve të vogla dhe të mëdha dhe për rritjen e financimit të ekonomisë.

Këshilli ka konkluduar edhe rekomandimet për vendet përkatëse, të cilat do t’i përkthejnë këto konkluzione në vendimet që do të marrin mbi buxhetet, reformat strukturore, politikat sociale dhe ato të punësimit. Këshilli dhe Komisoni do te ndjekin vënien e tyre në jetë, ndërkohë që Këshilli do të procedojë rregullisht me një ekzaminim dhe vlerësim të situatës ekonomike në Europë.

 

 

 

 

 

Vazhdon rrëmbimi i tenderave nga qeveria në ikje, vetëm Pollo tender 25 milionë euro

berisha- polloMegjithëse si lideri opozitar Rama, po ashtu edhe kreu i LSI-së Meta, i kanë bërë thirrje qeverisë dhe Kryeministrit akoma në detyrë Berisha, që të ndalojnë aktet e paligjshme, që po kryhen në këto momente duke vazhduar privatizimet dhe prokurimet publike, qeveria nuk po stepet. Po vazhdon ndërmarrja e akteve, në shkelje flagrante të ligjeve në fuqi.

Sot, shtypi ka denoncuar, se po vazhdojnë procedurat mbi tenderat ku vlera më e madhe, prej 25 milionë euro i takon Ministrisë së Inovacionit që drejtohet nga Genc Pollo. Tenderi prej 25 milionë euro, ka të bëje me dixhitalizimin e Radio Televizionit Publik Shqiptar.

Në të njëjtën linjë, vazhdon edhe bllokimi i transparencës në lidhje me këto akte të paligjshme. Portali online i Agjencisë së Prokurimeve Publike , http://www.app.gov.al/ prej dy ditësh ka dalë jashtë funksionit, duke nxjerrë vetëm një mesazh mirëmbajtje  ‘ website po bën punime’, e firmosur nga Klodiana Cankja.

 

 

 

 

SHBA paralajmëron për protesta në Egjipt

SHBA_466378_thumb_largeSHBA kanë paralajmëruar të gjithë amerikanët që të mos udhëtojnë në Egjipt, por njëkohësisht kanë njoftuar edhe stafin diplomatik jo-emergjent që të largohet, pasi vazhdojnë përplasjet në këtë vend. Gjithashtu, departamenti i shtetit ka paralajmëruar shtetasit amerikanë në Egjipt që të jenë vigjilent.

Një paralajmërim i tillë erdhi pasi 3 persona duke përfshirë këtu edhe një shtetas amerikan kanë humbur jetën gjatë përleshjeve midis mbështetësve dhe kundërshtarëve të presidentit Muhamed Morsi. Tensionet në Egjipt janë rritur në prag të protestave masive të planifikuara nga opozita për ditën e dielë, ku do i kërkojnë presidentit Morsi të japë dorëheqjen. Ndërkohë mbështetësit e tij po theksojnë se çfarë shikojnë si të drejtë tek Morsi duke mos pranuar kështu kërkesën e opozitës. Të dielën është edhe përvjetori i parë i inaugurimit të presidentit Morsi. Gjithashtu sekretari i përgjithshëm Ban Ki Moon iu ka kërkuar egjiptianëve të respektojnë principet universale të një dialogu paqësor, një thirrje që është bërë edhe nga departamenti i shtetit amerikan, i cili shtoi se liderët politikë kanë përgjegjësi të marrin hapa për të siguruar që grupet mos të ushtrojnë dhunë.

Sequi: Statusi, i arritshëm në dhjetor

EttoreSequi1Ambasadori i BE-së, Ettore Sequi deklaron në një intervistë për Top Channel se statusi i vendit kandidat për Shqipërinë është i arritshëm në muajin dhejtor. Duke vlerësuar zgjedhjet e 23 qershorit, Sequi apelon për një tranzicion sa më të butë të pushtetit dhe thotë se kompromisi duhet të jetë pjesë e jetës politike shqiptare.

TCH: Ambasador Sequi, a i plotësuan kriteret dhe standartet e kërkuara nga BE zgjedhjet e 23 qershorit?

Sequi: Fillimisht më lejoni të përgëzoj koalicionin fitues. Ne si BE e kemi mirëpritur përfshirjen në axhëndën e tyre nga koalicionet politike të çështjeve që lidhen më integrimin. Kjo është diçka e re dhe shumë e mirë. Siç edhe e kemi thënë më parë, zgjedhjet për BE-në janë një test i rëndësishëm për funksionimin e institucioneve shqiptare. Ne do të bëjmë vlerësimin final për zgjedhjet bazuar në raportin e ODIHR-it. BE kontribuoi shumë financiarisht për misionin e vëzhgimit të ODIHR-it. Bazuar në raportin paraprak të këtij misioni, duket se opinionet dhe mesazhet tona u mirëkuptuan duke u marrë në konsideratë. Zgjedhjet ishin konkurruese, fatkeqësisht pati një rast dhune për të cilin ne dhamë një deklaratë, por proçesi i votimit u zhvillua në mënyrë krejt të rregullt. Çfarë merr rëndësi tani për ne lidhet me përmbylljen e proçesit dhe tranzicionit në një mënyrë të butë. Është koha për ta përmbyllur këtë proçes. Do të doja të nënvizoja faktin se për qeverinë e re lind nevoja për të vijuar reformat e nevojshme për integrimin evropian. Kjo është pritshmëria jonë. I kam mirëpritur fjalët e thëna nga zoti Rama, të cilat janë shumë të rëndësishme për ne. E para gjithëpërfshirja, gjë e cila sipas Ramës duhet të dominojë mbi përjashtimin dhe së dyti kompromisi, që duhet të jetë pjesë e jetës politike shqiptare. Dhe në fund dëshiroj të them se, siç edhe komisionari Fyle ka deklaruar, në 8 vitet e fundit për Shqipërinë ka qënë një periudhë reformash të rëndësishme gjatë qeverisë Berisha drejt rrugëtimit evropian.

TCH: Tre ligjet e njohura si ligjet e integrimit janë votuar nga Parlamenti dhe do të zbatohen nga qeveria e arshme në muajin shtator. Zgjedhjet konfirmuan një rotacion të pushtetit. Të gjitha këto zhvillime a do të mund të përkthehen pozitivisht në marrjen e statusit të vendit kandidat?

Sequi: Më lejoni të them në mënyrë imediate se marrja e statusit të vendit kandidat është definitivisht e arritshme. Aprovimi i tre ligjeve ishte një hap i rëndësishëm, ne e kemi thënë këtë. Në anën tjetër, konkluzionet e Këshillit të Ministrave në dhjetor thoshin se duhet të zhvillonit zgjedhje sipas standarteve evropiane dhe ndërkombëtare, të cilat ishin vendimtare për vijimin e proçesit të integrimit. Kemi thënë gjithashtu se lufta ndaj korrupsionin është një tjetër aspekt i rëndësishëm. I tërë progresi do të vlerësohet nga ne në tetor, kur do të prezantojmë progres-raportin dhe në dhjetor gjërat do të jenë shumë më të qarta në mbledhjen e këshillit, nga ku vendeve anëtare do t’u kërkohet të ndjekin rekomandimet tona. Çfarë dua të them është tejet e qartë. Definitivisht, marrja e statusit është e arritshme.

TCH: Si e shikoni të ardhmen e Shqipërisë drejt rrugëtimit në familjen europiane?

Sequi: Faleminderit për pyetjen, që është me shumë rëndësi. Ekziston një frymë inspirimi prej të cilës Shqipëria mund të përfitojë. Më 1 korrik Kroacia do të jetë vendi i 28-të që i bashkohet Unionit. Unë shpresoj shumë se kjo do të shërbejë si një inspirim pozitiv edhe për vendin tuaj. Vërej shumë sfida që kërkojnë veprime të menjëhershme për t’i dhënë një impakt të ri axhendës evropiane. E kam thënë shumë herë se liderët shqiptarë i kanë potencialet për të tejkaluar atë që deri më tani shpeshherë ishte kultura e konfrontimit. Kjo frymë pozitive që ne kemi parë një ditë pas përfundimit të zgjedhjeve duhet të vijojë. Kjo është ekzaktësisht ajo që Shqipëria ka nevojë dhe shqiptarët meritojnë. Ne jemi shumë konfident në të ardhmen evropiane të Shqipërisë. Fjalët e zotit Rama në atë fjalim elokuent na kanë inkurajuar ne, kur ai foli për gjithpërfshirje, një admistratë të qëndrueshme, për median, që janë padyshim sfida dhe një inspirim i mirë për veprimet që do të pasojnë. Bazuar në zhvillimet e fundit dhe fjalimet e liderëve poltikë ditët e fudit, të cilat janë të rëndësishme për të ardhmen, janë pikëtrisht ajo pjesë e mentalitetit evropian që mendoj se është duke u kthyer në një aset për shoqërinë, liderët dhe intelektualët.

TCH: Ambasador Sequi, faleminderit për kohën tuaj.

/ Top Channel/ Intervistoi Muhamed Veliu/

Biberaj: Jam gati të garoj për kreun e PD-së

Aleksander-Biberaj-14PrillGara në Partinë Demokratike, për kreun e PD-së, po fillon të tërheqë kandidaturat e saj. Ish- anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike, Aleksandër Biberaj ka bërë publike faktin, se ai do të garojë për kreun e PD-së.

“Është një zhvillim pozitiv që kryetari i Partisë Demokratike do të zgjidhet sipas parimit “një anëtar, një votë”. Më vjen mirë që kërkesa ime drejtuar Kuvendit Kombëtar, në dhjetor të vitit 2009 është marrë parasysh. Natyrisht që është hapur rruga për intelektualët dhe përfaqësuesit e Partisë Demokratike që të kandidojnë për kreun e ri të PD”,- është shprehur Biberaj, për Panoramën.

“Kam marrë gjatë kësaj kohe shumë telefonata, mesazhe dhe kërkesa nga shumë anëtarë, simpatizantë dhe nismëtarë të krijimit të PD për të kandiduar për kreun e PD. Po e shikoj me seriozitetin e duhur dhe në kohën e duhur do të marr vendimin e duhur. Natyrisht që në këtë momente të vështira për PD dhe demokratët, unë dëshiroj të jap kontributin tim dhe të marr përgjegjësitë e mia”,- ka deklaruar Biberaj.

Pritet të shikohet, se cilat kandidatura do të hyjnë në garë, përveç atyre të përfolura në shtyp, si kandidatura e Ballës,  i cili ka  ‘përkrahjen’ e Berishës dhe kandidatura e Sokol Olldashit, e cila duket më pak favorite në këtë garë përballë Ballës.

Ndërkohë nuk dihet se si do të perceptohet kandidatura e Aleksandër Biberaj, brenda strukturave të PD-së, për faktin se ai ka aderuar dhe garuar për FRD-në.