KLSH, kallëzim penal në Prokurori për 20 punonjës

60

leskaj-bujar20-300x171Kontrolli i Lartë i Shtetit ka bërë sot publike, rezultatet e auditimit për Bashkinë Kavajë, Bashkinë Kuçovë, Komunën Gjinar të Qarkut Elbasan, për Komunën Levan të Qarkut Fier, duke njoftuar se ka dorëzuar në Prokurori 4 kallëzime penale për 20 punonjës dhe ish-punonjës të këtyre Komunave dhe Bashkive.

Gjatë auditimit të kryer në Bashkinë Kavajë, të përfunduar në fund të muajit mars 2013, KLSH ka konstatuar mjaft parregullsi dhe shkelje të akteve ligjore dhe nënligjore në fuqi, si në drejtim të administrimit të vlerave materiale e monetare, në kryerjen e pagesave dhe në procedurat e prokurimit publik, me pasojë dëm ekonomik në vlerën 24,753,713 lekë.

Për pasojë, KLSH njofton se ka bërë kallëzim penal në organet e prokurorisë për 6 persona punonjës të Bashkisë Kavajë, në cilësinë e Kryetarit dhe anëtarëve të komisionit të vlerësimit të ofertave, për konsumim të veprës penale “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike. KLSH ka rekomanduar gjithashtu marrjen e 8 masave organizative; dhënien e masave administrative gjoba të niveleve të ndryshme,  si dhe fillimin e procedurave për dhënien e masës “Largim nga shërbimi civil” për 6 punonjës të Bashkisë, si Kryetari i komisionit të vlerësimit të ofertave dhe 5 anëtarë të tij; “Zgjidhje të kontratës së punës” për Kryeinspektorin e Inspektoriatit Ndërtimor Urbanistik të Bashkisë Kavajë, etj.

Gjatë auditimit të kryer në Bashkinë Kuçovë të përfunduar në 15/ditorin e parë të muajit mars 2013, KLSH ka konstatuar mjaft të meta e mangësi në zbatimin e legjislacionit si në drejtim të administrimit material e monetar ashtu dhe në drejtim të prokurimeve publike dhe kontrollit të territorit të cilat kanë sjellë për pasojë një dëm ekonomik për buxhetin e Bashkisë në shumën  5,823,874 lekë, nga të cilat 2,803,111 lekë në fushën e prokurimeve dhe zbatimin e kontratave për punë publike, 1,538,918 lekë në fushën e administrimit material e financiar dhe 1,481,845 lekë në fushën e urbanistikës.

Lidhur me këto shkelje KLSH ka bërë kallëzim penal në organet e prokurorisë për “Shpërdorim detyre, për Drejtorin e Ndërmarrjes Komunale dhe Përgjegjësen e Financës, si dhe Drejtorin e Shërbimeve të Transportit të Bashkisë Kuçovë.

Për përmirësimin e gjendjes, KLSH ka rekomanduar 8 masa organizative; 12 masa për shpërblim dëmi në shumën 5,823,874 lekë dhe 27 masa disiplinore, nga të cilat 1 masë “Largim nga shërbimi civil” për Drejtorin e Shërbimeve të Transportit; 3 masa “Zgjidhje të kontratës së punës” për Drejtorin Ndërmarrjes Komunale, Përgjegjësen e Financës dhe Specialistin e Investimeve, 18 masa “Vërejtje me paralajmërim”, dhe 5 masa “Vërejtje me shkrim”.

Gjatë auditimit në Komunën Gjinar, Qarku Elbasan, të përfunduar në ditët e para të muajit prill 2013, KLSH ka konstatuar shkelje të akteve ligjore dhe nënligjore në fushën e prokurimit publik. Më konkretisht, anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, në shqyrtimin e ofertave, shpalljen e fituesit dhe lidhjen e kontratës në tenderin  elektronik me objekt: “Ndërtim ujësjellësi Garxhe-Pashtresh-Xibër-Kafer-Valesh-Gjinar-Elbasan”, kanë shkelur barazinë e pjesëmarrësve në tender, pasi kanë skualifikuar një operator ekonomik privat me vlerë më të ulët në shumën 11,839,512 lekë, në kundërshtim me legjislacionin e prokurimeve publike në fuqi dhe me kërkesat e veçanta të kualifikimit të miratuara nga autoriteti kontraktor.

Për këtë, KLSH ka bërë kallëzim penal në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Elbasan për 4 punonjës të kësaj komune në cilësinë e Kryetarit të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave dhe anëtarit të këtij  Komisioni, përkatësisht të Shefit të Sektorit të Financës, Përgjegjësit të Sektorit të Urbanistikës dhe Përgjegjësit të Sektorit të Ndihmë Ekonomike, si dhe të Kryetarit të Komunës në cilësinë e Titullarit të Autoritetit kontraktor, pasi me veprimet e tyre i kanë shkaktuar buxhetit të komunës një dëm ekonomik në vlerën 11,839,512 lekë.

Gjatë auditimit në Komunën Levan, Qarku Fier, të përfunduar në ditët e para të muajit prill 2013, KLSH ka konstatuar parregullsi dhe shkelje të akteve ligjore e nënligjore duke i shkaktuar buxhetit të Komunës një dëm ekonomik në vlerën 8,868,913 lekë.

KLSH ka depozituar kallëzim penal në organet e prokurorisë për 7 persona, përkatësisht ish-Kryetarin e Komunës në cilësinë e Kryetarit të Bordit të Dhënies me Qira të Tokave Bujqësore të Pandara për 22 raste të dhënies me qira të tokave bujqësore të pandara dhe miratimin e dhënies të 17 leje ndërtimi për objekte biznesi në tokë arë; ish Sekretarin e KRRT të Komunës,; ish-Përgjegjësin e Zyrës së Menaxhimit dhe Mbrojtjes së Tokës, Inspektorin e Zyrës së Shërbimeve dhe tre  anëtarë të Bordit, lidhur me marrjen e vendimeve për dhënien me qira të tokës bujqësore të pandarë.

Po ashtu KLSH ka rekomanduar 11 masa organizative; 6 masa për shpërblim dëmi në vlerën 8,868,913 lekë dhe 8 masa disiplinore për punonjës të Komunës, nga të cilat: 1 masë “Zgjidhje e kontratës së punës” për Inspektorin e Zyrës së Shërbimeve dhe 7 masa “Vërejtje me paralajmërim për  zgjidhej të kontratës së punës”, për Përgjegjësin e Zyrës së Financës, Përgjegjësin e Zyrës së Taksave dhe Tarifave Vendore, juristin e Komunës etj.