Ndahet nga jeta aktori korçar Minella Borova

72

minella-BorovaËshtë ndarë nga jeta aktori korçar Minella Borova. Ai ndërroi jetë në Buenos Aires, Argjentinë, ku edhe jetoi për disa vjet. Ai lindi më 22 shkurt 1947, në qytetin e Korçës.

Minella është spikatur me role e tij kinematografike në mjaft filma të ndryshëm si ai i Lirimit në dramën “Njollat e murrme” (1969) të Minush Jeros me regji të Mihal Luarasit, me të cilin fitoi edhe çmim si “Aktor i ri”. Ndër rolet më të realizuar të tij janë: Leka te “Të pamposhturit” e M. Jeros, Martini te “Mosha e bardhë” e Dritëro Agolli, Stenli Kor tek “Engjëjt e skëterrës” e George Bellak dhe Pol Kanten, mësuesi te “Plumbat e shkronjave” të Naum Priftit, hetuesi te “Qyteti i akuzuar” i Teodor Laços, Vehapi te “Tri ditët e kiametit” e Luan Qafezezit; Raqi te “Mësuesi i letërsisë” i Ruzhdi Pulahës, etj. Në vitin 2007, pas një ndërprejeje rreth 15-vjeçare, luajti rolin e protagonistit në dramën “Duke pritur Hënën” e Karlos Maria Alsina.

Minella kreu studimet e larta për aktor në Institutin e Lartë të Arteve në vitin 1969. Më pas punoi ne teatrin “A.Z Cajupi” të Korçës, punoi si pedagog i “Mjeshtërisë së aktorit” në Institutin e Lartë të Arteve dhe si specialist i teatrit në Ministrinë e Kulturës.  Në vitin 1993 emigroi per gati 15 vjet në Argjentinë, për t’u rikthyer sërish në vitin 2006, ku edhe nisi punë si specialist i teatrit në Qendrën Ndërkombëtare të Kulturës “Pjetër Arbnori”.