Sequi: Statusi, i arritshëm në dhjetor

56

EttoreSequi1Ambasadori i BE-së, Ettore Sequi deklaron në një intervistë për Top Channel se statusi i vendit kandidat për Shqipërinë është i arritshëm në muajin dhejtor. Duke vlerësuar zgjedhjet e 23 qershorit, Sequi apelon për një tranzicion sa më të butë të pushtetit dhe thotë se kompromisi duhet të jetë pjesë e jetës politike shqiptare.

TCH: Ambasador Sequi, a i plotësuan kriteret dhe standartet e kërkuara nga BE zgjedhjet e 23 qershorit?

Sequi: Fillimisht më lejoni të përgëzoj koalicionin fitues. Ne si BE e kemi mirëpritur përfshirjen në axhëndën e tyre nga koalicionet politike të çështjeve që lidhen më integrimin. Kjo është diçka e re dhe shumë e mirë. Siç edhe e kemi thënë më parë, zgjedhjet për BE-në janë një test i rëndësishëm për funksionimin e institucioneve shqiptare. Ne do të bëjmë vlerësimin final për zgjedhjet bazuar në raportin e ODIHR-it. BE kontribuoi shumë financiarisht për misionin e vëzhgimit të ODIHR-it. Bazuar në raportin paraprak të këtij misioni, duket se opinionet dhe mesazhet tona u mirëkuptuan duke u marrë në konsideratë. Zgjedhjet ishin konkurruese, fatkeqësisht pati një rast dhune për të cilin ne dhamë një deklaratë, por proçesi i votimit u zhvillua në mënyrë krejt të rregullt. Çfarë merr rëndësi tani për ne lidhet me përmbylljen e proçesit dhe tranzicionit në një mënyrë të butë. Është koha për ta përmbyllur këtë proçes. Do të doja të nënvizoja faktin se për qeverinë e re lind nevoja për të vijuar reformat e nevojshme për integrimin evropian. Kjo është pritshmëria jonë. I kam mirëpritur fjalët e thëna nga zoti Rama, të cilat janë shumë të rëndësishme për ne. E para gjithëpërfshirja, gjë e cila sipas Ramës duhet të dominojë mbi përjashtimin dhe së dyti kompromisi, që duhet të jetë pjesë e jetës politike shqiptare. Dhe në fund dëshiroj të them se, siç edhe komisionari Fyle ka deklaruar, në 8 vitet e fundit për Shqipërinë ka qënë një periudhë reformash të rëndësishme gjatë qeverisë Berisha drejt rrugëtimit evropian.

TCH: Tre ligjet e njohura si ligjet e integrimit janë votuar nga Parlamenti dhe do të zbatohen nga qeveria e arshme në muajin shtator. Zgjedhjet konfirmuan një rotacion të pushtetit. Të gjitha këto zhvillime a do të mund të përkthehen pozitivisht në marrjen e statusit të vendit kandidat?

Sequi: Më lejoni të them në mënyrë imediate se marrja e statusit të vendit kandidat është definitivisht e arritshme. Aprovimi i tre ligjeve ishte një hap i rëndësishëm, ne e kemi thënë këtë. Në anën tjetër, konkluzionet e Këshillit të Ministrave në dhjetor thoshin se duhet të zhvillonit zgjedhje sipas standarteve evropiane dhe ndërkombëtare, të cilat ishin vendimtare për vijimin e proçesit të integrimit. Kemi thënë gjithashtu se lufta ndaj korrupsionin është një tjetër aspekt i rëndësishëm. I tërë progresi do të vlerësohet nga ne në tetor, kur do të prezantojmë progres-raportin dhe në dhjetor gjërat do të jenë shumë më të qarta në mbledhjen e këshillit, nga ku vendeve anëtare do t’u kërkohet të ndjekin rekomandimet tona. Çfarë dua të them është tejet e qartë. Definitivisht, marrja e statusit është e arritshme.

TCH: Si e shikoni të ardhmen e Shqipërisë drejt rrugëtimit në familjen europiane?

Sequi: Faleminderit për pyetjen, që është me shumë rëndësi. Ekziston një frymë inspirimi prej të cilës Shqipëria mund të përfitojë. Më 1 korrik Kroacia do të jetë vendi i 28-të që i bashkohet Unionit. Unë shpresoj shumë se kjo do të shërbejë si një inspirim pozitiv edhe për vendin tuaj. Vërej shumë sfida që kërkojnë veprime të menjëhershme për t’i dhënë një impakt të ri axhendës evropiane. E kam thënë shumë herë se liderët shqiptarë i kanë potencialet për të tejkaluar atë që deri më tani shpeshherë ishte kultura e konfrontimit. Kjo frymë pozitive që ne kemi parë një ditë pas përfundimit të zgjedhjeve duhet të vijojë. Kjo është ekzaktësisht ajo që Shqipëria ka nevojë dhe shqiptarët meritojnë. Ne jemi shumë konfident në të ardhmen evropiane të Shqipërisë. Fjalët e zotit Rama në atë fjalim elokuent na kanë inkurajuar ne, kur ai foli për gjithpërfshirje, një admistratë të qëndrueshme, për median, që janë padyshim sfida dhe një inspirim i mirë për veprimet që do të pasojnë. Bazuar në zhvillimet e fundit dhe fjalimet e liderëve poltikë ditët e fudit, të cilat janë të rëndësishme për të ardhmen, janë pikëtrisht ajo pjesë e mentalitetit evropian që mendoj se është duke u kthyer në një aset për shoqërinë, liderët dhe intelektualët.

TCH: Ambasador Sequi, faleminderit për kohën tuaj.

/ Top Channel/ Intervistoi Muhamed Veliu/