Një helikopter është rrëzuar në zonë malore të fshatit Terpan të Beratit.
Nga informacionet e para mësohet se është plagosur piloti i cili është me shtetësi italiane.
Piloti është dërguar në spitalin e Beratit dhe ka dëmtime në gjymtyrë. Ende nuk dihen shkaqet e aksidentit.
Mitrovicë, serbët bllokojnë rrugën
Rreth 50 serbë kanë bllokuar të martën rreth orës 7:15 minuta një korsi të autostradës Mitrovicë – Leposaviç.
Lajmin e bëri të ditur Kosovapress.Sipas këtyre burimeve, ata kanë vendosur një automjet në njërin shirit në këtë zonë për të bllokuar qarkullimin në këtë drejtim, ndërsa janë duke vëzhguar me vëmendje qarkullimin përmes shiritit tjetër të rrugës për të penguar doganierët e Kosovës dhe të EULEX-it në drejtim të Jarinjës. Burimet në fjalë bëjnë të ditur se numri i të tubuarve është në rritje.
Mësohet, po ashtu, se motivi i kësaj bllokade nga ana e serbëve është bllokimi i një dite më parë të të gjitha mallrave serbe nga Serbia në Kosovë, nga ana e autoriteteve kosovare.
Shkodër, i plas predha në dorë, plagoset rëndë
Një 23-vjeçar nga Shkodra ka mbetur i plagosur rëndë si pasojë e shpërthimit të një predhe. Ngjarja ka ndodhur në vendin e quajtur “Laku i Dardhave”, në Komunën Vig Mnele, ndërsa 23-vjeçari i identifikuar si Gëzim Prenga, po punonte për të përfituar bakër nga një predhë topi e Kalibrit 75 mm.
Për pasojë predha ka shpërthyer duke i shkaktuar dëmtime të mëdha në trup. Pas ndihmës së parë të dhënë në Spitalin Rajonal Shkodër, ky shtetas është dërguar në Spitalin Ushtarak në Tiranë, ku ndodhet në gjendje të rëndë për jetën.
“Më datën 12. 08. 2013, rreth orës 15.50 në vendin e quajtur “Laku i Dardhave”, Komuna Vig Mnele, e rrethit Shkodër, tek Poligoni i Demontimeve të predhave të Ushtrisë Shqiptare, shtetasi Gëzim Prenga, vjeç 23, lindur në Fshatin Gojan, Pukë dhe banues në Bashkinë Laç Vau – Dejës, rrethi Shkodër, ndërsa po punonte për të përfituar bakër nga predhat me qëllim për ta shitur për skrap, befas një predhë topi e Kalibrit 75 mm ka shpërthyer duke i shkaktuar trauma të rënda në gjithë trupin. Pas ndihmës së parë të dhënë në Spitalin Rajonal Shkodër, ky shtetas është dërguar për të marrë mjekim më të specializuar në Spitalin Ushtarak Tiranë. Shtetasi Gëzim Prenga ndodhet në gjendje të rëndë për jetën. U kryen veprimet hetimore e proceduriale dhe materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër për veprime të mëtejshme”,- thuhet në deklaratën e policisë.
Vdes princi Friso i Holandës
Princi Friso i Holandës, vëllai i vogël i mbretit Willem-Aleksander, vdiq sot si pasojë e një aksidenti me ski, që ndodhi në Austri, në vitin 2012, bënë të ditur burime zyrtare vendase.
“Mbreti shpreh keqardhjen duke njoftuar se princi Johan Friso Bernhard Christiaan David vdiq sot në moshën 44-vjeçare në pallatin ‘Huis ten Bosch’, në Hagë”, sipas një komunikate.
“Princi Friso vdiq nga komplikacionet për shkak të dëmtimeve në tru si pasojë e aksidentit me ski, që ndodhi më 17 shkurt të vitit 2012, në Lech, Austri”, theksuan burimet zyrtare vendase.
Princi qëndroi 18 muaj në koma.
Fier, protestë kundër ‘Agimit të Artë’
Dhjetëra persona kanë protestuar sot në qytetin e Fierit, kundër thirrjeve antishqiptare të “Agimit të Artë” në Himarë. Protestuesit veshën dy qen me flamurin grek duke i mbajtur të lidhur me zinxhir, në shenjë proteste ndaj “Agimit të Artë” që zotohet të “çlirojë” Himarën. Policia e Fierit ka shoqëruar në komisariat 10 persona, me pretendimin se protesta ka qenë e paligjshme.
Në 3-vjetorin e vdekjes së Aristotel Gumës, në varrin e tij përfaqësuesi i “Agimit të Artë” përshëndeti në emër të kryetarit të partisë neonaziste greke, Nikos Mihaloliakos dhe deputetit Kristos Papas, që qeveria shqiptare e ka shpallur “person non grata”, por që siç tha ai, me shpirt ndodhet në Himarë.
Sipas përfaqësuesit të neonazistëve grekë, Aristoteli u sakrifikua për idealin e lirisë dhe gjuhës. Sakrifica tragjike tregoi se ai me të drejtë ai quhet grek kurse vrasësit e tij, quhen “tiranë”.
Ai vazhdoi duke thënë se “Është e shkruar që gratë e Himarës të lindin heronj dhe që kjo tokë të pranojë në gjirin e vet trima. Si njerëz na vjen shume keq për humbjen e një djali të ri, ndërsa si grekë mbajmë thellë në zemër kujtimin e tij. Keqbërësit që i morën jetën, nuk do munden të dëmtojnë emrin e tij që do mbetet i pavdekshëm. Ai humbi jetën e tij për të fituar lavdinë e përjetshme”.
Në përfundim përfaqësuesi i partisë së ekstremit të djathtë grek deklaroi: “Agimi i artë nuk erdhi në Himarë për të mbajtur zi, por përulet para varrit të këtij trimi dhe betohet se do të vazhdojë luftën deri në ditën e çlirimit. Rroftë kombi!”
Aksion në hyrje të Lazaratit, policia bllokon punëtorët
Pas pamjeve të transmetuara në televizionin “News24”, që tregonin “dyndjen” e punëtorëve drejt Lazaratit, Policia e Gjirokastrës ka nisur një aksion prej orës 6:00 të mëngjesit, për bllokimin e punëtorëve, makinave me pleh dhe boteve me ujë që hyjnë në Lazarat për kultivimin e kanabisit.
Mësohet se deri tani policia ka arritur të bllokojë 5 kamionë me pleh dhe ujë, ndërsa ka shoqëruar në komisariat 58 shtetas që udhëtonin në drejtim të Lazaratit, të cilët mendohet se punojnë për kultivimin e kanabisit. Ndërkohë aksioni i policisë vijon ende.
“Prej orës 06.00 të mëngjesit të sotëm, efektivët e policisë së Komisariatit të Policisë Gjirokastër në bashkëpunim me efektivët e Komisariatit të Policisë Rrugore Gjirokastër kanë nisur aksionin për bllokimin e boteve me ujë e pleh që hyjnë në Lazarat për të kultivuar kanabis. Gjithashtu edhe për të bllokuar punëtorët që hyjnë në Lazarat që nga informacionet tona që disponojmë këta shtetas punojnë për të kultivuar kanabis. Operacioni vijon ende”,- bëri të ditur Policia e Gjirokastrës.
I njohur si bastioni më i “nxehtë” i kultivimit të drogës, Lazarati, i cili ka sfiduar shtetin në kultivimin e bimëve narkotike, është kthyer në një ndërmarrje gjigante punësimi për mijëra banorë të fshatrave dhe qyteteve të qarkut. Çdo mëngjes, prej orës 6:00 deri në orën 7:00, dhjetëra furgonë të Lazaratit presin punëtorët në hyrje të Gjirokastrës, në vendin e quajtur “Ura e Lumit” apo edhe në stacione të autobusëve. Për këta banorë, puna në Lazarat është një punë luksi, duke marrë parasysh faktin se aty nuk ka ‘vizë’ për të hyrë askush tjetër. Ky vit në Lazarat ka thyer edhe rekordin e mbjelljes së lëndës narkotike, duke u shtuar qindra plantacione e madje për herë të parë lazaratasit kanë sjellë edhe farën e re të kanabisit, me afat kohor rritjen në dyzet ditë. Vlera e saj arrin në 2500 euro për farë, e siguruar nga banorët në Holandë apo Zvicër. Kjo farë u sjell banorëve dy herë fitime marramendëse, pasi karshi saj, banorët mbjellin edhe bimën normale të kanabisit, që e ka ciklin 4-5 muaj.
Punëtorët e ‘uritur’ për të punuar në këtë fshat paguhen me shifra të cilat u japin në fund të muajit një rrogë të majme, pagesa e të cilëve arrin në 1500–2000 lekë të reja në ditë. Edhe pse policia nisi një fushatë të gjerë për goditjen me çdo kusht të kultivimit të lëndëve narkotike, kjo nuk e pengon aspak fshatin Lazarat të thyejë rregullat e të dalë mbi ligjin. Të njohur me punësimin dhe pagesat në këtë fshat, dhjetëra furgonë vijnë çdo mëngjes nga Tepelena apo edhe Përmeti, të cilët, sapo zbresin, priten nga furgonët transportues drejt fshatit-shtet.
De Biasi: Ja lista anti-Armeni
Nga 23 lojtarët që ishin planifikuar për ndeshjen miqësore me Armeninë, që do të luhet më 14 gusht në “Qemal Stafa”, do të mungojë Samir Ujkani, për shkak të problemeve fizike. Sa i përket testit me Armeninë, trajneri i kombëtares shqiptare, Xhani De Biazi, tha se do të të bëjë disa eksperimente në funksion të dy takimeve eliminatore të fillim shtatorit, me Slloveninë dhe Islandën.
“Ndeshja me Armeninë më shërben për të parë gjendjen fizike të lojtarëve të ndryshëm. Në këtë moment mund të bëjmë ndonjë eksperiment, siç ndodh në ndeshjet miqësore. Kjo miqësore është një test i rëndësishëm, sepse Armenia është një skuadër e mirë. Nëse nuk futemi në fushë me mentalitetin e duhur, rrezikojmë të bëjmë figurë të keqe“ – ka deklaruar De Biazi.
Në listën e futbollistëve të grumbulluar për këtë miqësore nuk janë përfshirë disa emra të rëndësishëm, ndër të cilët Bogdani dhe Salihi, por De Biazi e ka një shpjegim për mungesën e tyre: “Preferoj t’u jap mundësinë lojtarëve që po kalojnë formë të mirë fizike në këto momente dhe që ndoshta janë më përpara me përgatitjet. Nuk mendoj që një udhëtim i gjatë nga Kina do t’i bënte mirë Salihit, por edhe Bogdanin nuk e kam grumbulluar, pasi në këto momente duhet të gjejë skuadër. Do të takohem me të pas tre javësh dhe do të shohim çfarë do të ndodhë. Unë po mendoj për Armeninë, por në kokën time janë edhe dy ndeshjet shumë të rëndësishme eliminatore në fillim të shtatorit. “
Shkëlzen Gashi i Grasshopersit dhe Ermir Lenjani i Saint Gallen janë dy prurjet e reja në kombëtare, për të cilët De Biazi rezervoi këtë koment:
“Gashin e kam ndjekur prej 13-14 muajsh, por në fillim nuk shfaqi dëshirën madhe për të luajtur me Shqipërinë, duke qenë se është aktivizuar me U-21 të Zvicrës. Rezultat e kombëtares, si dhe serioziteti me të cilën po punohet, e bindën për të veshur fanellën e kombëtares. Për Lenjanin vlen i njëjti diskutim. E kemi vëzhguar që në fillim. Besoj se është moment për t’i parë në fushë.“
Një temë e nxehtë diskutimi muajt e fundit ka qenë edhe rinovimi i kontratës së De Biazit. Tekniku italian sqaroi se pas miqësores me Armeninë mund të ulet në tryezë me presidendin Armand Duka për të folur për këtë çështje. (Eduard.Ilnica/BalkanWeb)
Futbollistët e grumbulluar për miqësoren me Armeninë
Portierë:
Etrit Berisha
Samir Ujkani
Orges Shehi
Mbrojtës:
Armend Dallku
Mërgim Mavraj
Admir Teli
Renato Arapi
Lorik Cana
Andi Lila
Mesfushorë:
Amir Abrashi
Ansi Agolli
Migjen Basha
Vullnet Basha
Shkëlzen Gashi
Jurgen Gjasula
Ermir Lenjani
Ergys Kaçe
Valdet Rama
Odise Roshi
Sulmues:
Armando Vajushi
Sabjen Lilaj
Ahmed Januzi
Edmond Kapllani
Dyndje drejt lazaratit, punë në kohë krize
Në kohën kur kriza ekonomike ka krijuar numrin më të lartë të papunësisë së shënuar në vite, duket se punësimi nuk është luks për fshatin e njohur si bastioni i drogës, Lazarati. Çdo ditë qindra punëtorë dynden me furgona drejt këtij fshati, që u ofron atyre një rrogë të majme, që në fakt nuk mund ta sigurosh në asnjë lloj pune apo biznesi tjetër në këtë zonë.
Tashmë Lazarati është bërë i njohur edhe për qytete të tjera të qarkut të Gjirokastrës, si objekt i fitimit të shumave të konsiderueshme.
Në orët e para të mëngjesit, furgoni nga Tepelena, por edhe nga Përmeti zbarkojnë në vendin e quajtur “Ura e lumit” në hyrje të Gjirokastrës duke sjellë dhjetëra banorë të këtyre qyteteve, të cilët më pas transportohen drejt Lazaratit.
Këtë vit fshati ka arritur kulmin e prodhimtarisë madje duke sjellë edhe farën e lëndës më të shtrenjtë të bimës narkotike në Lazarat, që kultivohet brenda tre muajve, duke qenë gati për treg.
Kërkesa për kultivim të drogës në Shqipëri do të vijojë ende, përderisa Lazarati nuk është bërë asnjëherë pjesë e aksioneve të policisë për të minimizuar kultivimin e drogës. Risi është edhe fakti që kultivuesit e lëndës narkotike, për të mbrojtur sa më mirë drogën kanë vënë mjete logjistike për të monitoruar personat që hyjnë në fshat. Për këtë gjë janë edhe punonjësit, të cilët janë të heshtur kundrejt punës që bëjnë.
Agimi i Artë betohet te varri i Aristotel Gumës: Do luftojmë deri në çlirim
Në varrin e Aristotel Gumës përfaqësuesi i Agimit të Artë përshëndeti në emër të kryetarit të partisë neonaziste greke, Nikos Mihaloliakos dhe deputetit Kristos Papas, që qeveria shqiptare e ka shpallur “person non grata”, por që sic tha ai, me shpirt ndodhet në Himarë.
Sipas përfaqësuesit të neonazistëve grekë, Aristoteli u sakrifikua për idealin e lirisë dhe gjuhës. Sakrifica tragjike tregoi se ai me të drejtë ai quhet grek kurse vrasësit e tij, quhen “tiranë”.
Ai vazhdoi duke thënë se “Është e shkruar që gratë e Himarës të lindin heronj dhe që kjo tokë të pranojë në gjirin e vet trima. Si njerëz na vjen shume keq për humbjen e një djali të ri, ndërsa si grekë mbajmë thellë në zemër kujtimin e tij. Keqbërësit që i morrën jetën, nuk do munden të dëmtojnë emrin e tij që do mbetet i pavdekshëm. Ai humbi jetën e tij për të fituar lavdinë e përjetshme”.
Në përfundim përfaqësuesi i partisë së ekstremit të djathtë grek deklaroi: “Agimi i artë nuk erdhi në Himarë për të mbajtur zi, por përulet para varrit të këtij trimi dhe betohet se do të vazhdojë luftën deri në ditën e clirimit. Rroftë kombi!”









