De Biasi: Ja lista anti-Armeni

54

kombetarja38Nga 23 lojtarët që ishin planifikuar për ndeshjen miqësore me Armeninë, që do të luhet më 14 gusht në “Qemal Stafa”, do të mungojë Samir Ujkani, për shkak të problemeve fizike. Sa i përket testit me Armeninë, trajneri i kombëtares shqiptare, Xhani De Biazi, tha se do të të bëjë disa eksperimente në funksion të dy takimeve eliminatore të fillim shtatorit, me Slloveninë dhe Islandën.

“Ndeshja me Armeninë më shërben për të parë gjendjen fizike të lojtarëve të ndryshëm. Në këtë moment mund të bëjmë ndonjë eksperiment, siç ndodh në ndeshjet miqësore. Kjo miqësore është një test i rëndësishëm, sepse Armenia është një skuadër e mirë. Nëse nuk futemi në fushë me mentalitetin e duhur, rrezikojmë të bëjmë figurë të keqe“ – ka deklaruar De Biazi.

Në listën e futbollistëve të grumbulluar për këtë miqësore nuk janë përfshirë disa emra të rëndësishëm, ndër të cilët Bogdani dhe Salihi, por De Biazi e ka një shpjegim për mungesën e tyre: “Preferoj t’u jap mundësinë lojtarëve që po kalojnë formë të mirë fizike në këto momente dhe që ndoshta janë më përpara me përgatitjet. Nuk mendoj që një udhëtim i gjatë nga Kina do t’i bënte mirë Salihit, por edhe Bogdanin nuk e kam grumbulluar, pasi në këto momente duhet të gjejë skuadër. Do të takohem me të pas tre javësh dhe do të shohim çfarë do të ndodhë. Unë po mendoj për Armeninë, por në kokën time janë edhe dy ndeshjet shumë të rëndësishme eliminatore në fillim të shtatorit. “

Shkëlzen Gashi i Grasshopersit dhe Ermir Lenjani i Saint Gallen janë dy prurjet e reja në kombëtare, për të cilët De Biazi rezervoi këtë koment:

“Gashin e kam ndjekur prej 13-14 muajsh, por në fillim nuk shfaqi dëshirën madhe për të luajtur me Shqipërinë, duke qenë se është aktivizuar me U-21 të Zvicrës. Rezultat e kombëtares, si dhe serioziteti me të cilën po punohet, e bindën për të veshur fanellën e kombëtares. Për Lenjanin vlen i njëjti diskutim. E kemi vëzhguar që në fillim. Besoj se është moment për t’i parë në fushë.“

Një temë e nxehtë diskutimi muajt e fundit ka qenë edhe rinovimi i kontratës së De Biazit. Tekniku italian sqaroi se pas miqësores me Armeninë mund të ulet në tryezë me presidendin Armand Duka për të folur për këtë çështje. (Eduard.Ilnica/BalkanWeb)

Futbollistët e grumbulluar për miqësoren me Armeninë

Portierë:

Etrit Berisha

Samir Ujkani

Orges Shehi

Mbrojtës:

Armend Dallku

Mërgim Mavraj

Admir Teli

Renato Arapi

Lorik Cana

Andi Lila

Mesfushorë:

Amir Abrashi

Ansi Agolli

Migjen Basha

Vullnet Basha

Shkëlzen Gashi

Jurgen Gjasula

Ermir Lenjani

Ergys Kaçe

Valdet Rama

Odise Roshi

Sulmues:

Armando Vajushi

Sabjen Lilaj

Ahmed Januzi

Edmond Kapllani