Agimi i Artë bllokon kufirin me Shqipërinë

agimi_506529234Përfaqësues të “Agimit të Artë’ u tubuan paraditen e sotme në pikën kufitare të Kapshticës (në pjesën e tokës greke) në një protestë të pazakontë, e cila zgjati më shumë seç ishte parashikuar (1 orë).

Lajmi u konfirmua për News24, nga drejtori i kufirit, Ylber Zyberi. Forca të shumta policore monitoruan situatën në të dy anët e kufirit, për të shmangur një incident të mundshëm, ndërkohë që pati përforcim të kufirit.

Drejtori i kufirit Ylber Zyberi bëri me dije se për shkak të protestës u bllokua puna në pikën kufitare të Kapshticës, dhe asnjë qytetar shqiptar nuk u lejua për të kaluar në tokën greke, me qëllim shmangien e një përplasjeje të mundshme.

Drejtori i kufitar shqiptar kontaktoi me homologët grek, të cilën nuk i dhanë arsye pse u zhvillua protesta e paparaljmëruar, ndërkohë nuk u shënuan incidente.

Grabitet për të dytën herë çifti i moshuar nga Dukati

grabitjeDy të moshuar nga fshati Dukat i Vlorës janë grabitur dhe goditur nga persona ende të pa identifikuar, natën e mbrëmshme. Kjo ka qenë hera e dytë që grabitësit hyjnë në shtëpinë e çiftit.

Të moshuarit quhen Laçe Hibroj, 80 vjeç dhe Selvie Hibroj, 77 vjeçe. Ata kanë qënë vetëm në shtëpi kur hajdutët u kanë hyrë në banesë nga dritarja e banjës dhe u kanë vjedhur 60 mijë lekë.

Sipas policisë së Vlorës dy vitet e fundit numri i grabitjeve në banesa është rritur shumë, dyshimet shkojnë për një grup të organizuar. Blutë e qytetit bregdetar po punojnë intensivisht për zbardhjen e ngjarjes.

Ekzekutohet 47-vjecari, ish-i dënuar për vrasje

vrasjeNjë vrasje me armë zjarri ka ndodhur mëngjesin e sotëm në qendër të qytetit të Fushë Krujës. Mësohet se një 47-vjecar është qëlluar me armë zjarri, teksa po hynte në dyqan.

Sipas policisë viktima është Lulzim Shera nga fshati Nikël dhe punonte si shpërndarës i bukës në dyqane. Menjëherë pas ngjarjes ka mbërritur dhe policia e cila ka bërë të mundur identifikimin e autorit, emri i të cilit nuk bëhet i ditur, teksa është vënë në ndjekje te tij.

Ndërkaq vijojnë hetimet për të zbardhur shkakun, ndërkohë që paraprakisht nuk përjashtohet mundësia që vrasja e tij të ketë lidhje me një vrasje që ka kryer vite me parë, për të cilën viktima sapo kishte përfunduar dhe dënimin.

“The Economist”: Edi Rama, kujdes nga politikanët me emër të PS

rama pk‘Edi Rama duhet të nxitojë. Senatorët e PS-së nuk do ta presin gjatë’. Paralajmërimi, kryeministrit të ardhshëm i vjen nga prestigjiozja “The Economist”. Në një artikull kushtuar Shqipërisë, revista britanike shkruan se emrat e mëdhenj të PS-së kanë mbetur të pakënaqur nga krijimi i Qeverisë së re, pasi prisnin që të vlerësoheshin me vende pune pas zgjedhjeve.

Sipas revistës, ata për momentin do ta mbështesin Ramën, ashtu siç do të bëjë edhe kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta. Një bashkëkryeministër e quan “The Economist”, ndërsa shton: “Nëse ndonjë nga palët do të tregojë dobësi, thikat do të rishfaqen”. Artikulli citon ministrin e ardhshëm, Erion Veliaj, të theksojë nevojën për çrrënjosjen e evazionit fiskal. Sipas tij, taksa e sheshtë do të zëvendësohet me një sistem të drejtë taksash, por Veliaj në prononcimin e tij nuk përmend fjalën “progresive”. “The Economist” pohon se disa prej premtimeve elektorale të socialistëve do të jenë të vështira për t’u mbajtur. 300 mijë vendet e punës të premtuara në fushatë citohen në shkrim. Ekspertë të huaj të pyetur nga revista, shtojnë se Shqipëria ka mundësi të shumta, por ka gjithashtu një vizion të kufizuar. Ajo që revista britanike pohon me siguri është fakti se, pavarësisht nga kriza ekono-mike ndërkombëtare, Shqipëria arriti të mos bjerë në recesion.

“Një nga vendet e pakta evropiane që nuk kanë përjetuar recesion vitet e fundit”, thekson “The Economist”. Kreu i PS-së, Edi Rama dhe kreu i LSI-së, Ilir Meta, bënë koalicion të përbashkët një muaj para zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit. Meta doli nga qeverisja pak para fillimit të fushatës elektorale, ndërkohë që në zgjedhje koalicioni i majtë fitoi thellë ndaj koalicionit të djathtë. Së bashku, Rama dhe Meta do të qeverisin për 4 vitet të ardhshme, duke përcaktuar dhe formulën e bashkëqeverisjes së tyre. LSI përfaqësohet me pesë portofole në kabinetin e ri qeveritar, i cili pritet të votëbesohet në parlamentin e ri në datën 9 shtator, datë kur do të hapet dhe legjislatura e re parlamentare.

Bashkimi i Metës me Ramën fillimisht u kundërshtua nga disa prej eksponentëve të PS-së, por më pas, kur fitorja ishte e madhe në shkallë vendi, këta zëra u shuan dhe secili prej tyre pret të marrë pjesën e tortës së pushtetit. Meta bashkëqeverisi me demokratët mandatin e kaluar, por pas largimit të saj, e djathta kaloi në opozitë. Madje pas humbjes së thellë, lideri historik i së djathtës, Sali Berisha dha dorëheqjen nga postet partiake, duke i lënë vendin kreut të ri Lulzim Basha.

Obama vendos të sulmojë Sirinë

Barack Obama“Ne jemi Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe duhet të ndalim armët kimike. I bëj thirrje Kongresit që të marrë një vendim, të votojë për sigurinë kombëtare. Nuk mund t’u kthejmë krahët këtyre masakrave që po kryhen. Unë jam gati për këtë sulm”. Kështu deklaroi presidenti amerikan, Barack Obama në një konferencë për shtyp për ndërhyrjen në Siri.

Obama u bëri thirrje ligjëvënësve amerikanë që të votojnë për ndërhyrjen në emër të sigurisë kombëtare amerikane dhe gjithë botës. Ai u shprehu vendosmërinë e Uashingtonit për të ndërhyrë ushtarakisht edhe pa marrë dritën jeshile nga Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Obama tha se SHBA duhet të ndërhyjnë, por shtoi se është tejet i rëndësishëm një autorizim i Kongresit amerikan që mblidhet më 9 shtator.

“Cili është qëllimi i sistemit ndërkombëtar të rregullave që kemi ndërtuar nëse lejojmë një sulm kimik që vret fëmijë? Një sulm që dënohet nga 98 përqind e vendeve të botës? Duke i folur Kongresit dhe gjithë botës, dua të them që ajo cfarë është bërë me armët kimike nuk duhet të hetohet, por duhet të zgjidhet. Do t’u kërkoj të gjithëve që të jenë në krahun tonë. E di që lufta është shumë e rëndë, sidomos për ne që sapo kemi mbaruar një luftë në Irak dhe Afganistan, por ne nuk do çojmë trupat tanë për të hapur një luftë tjetër, por do të jemi në krah të popullit sirian”, tha Obama.

Por edhe nëse vendos në këtë moment për ndërhyrjen ushtarake të Amerikës në Siri, ligjërisht Barack Obama nuk mund ta realizojë atë me një kërcitje gishtash.

Sipas Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara, Presidenti është edhe Komandanti i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, por fuqinë për të shpallur luftë dhe për të miratuar fondet e nevojshme për të, e ka Kongresi.

Përveç kësaj, një ligj 40-vjeçar lidhur me autoritetin për shpalljen e luftës, kërkon që kreu i shtetit ta njoftojë Kongresin brenda 48-orësh për kryerjen e ndërhyrjes së armatosur dhe forcat e armatosura nuk mund të qëndrojnë në luftë për më tepër se 60 ditë, pa miratimin e Kongresit.

Partizani dhe Flamurtari nisin me fitore

Flamurtari-Partizani e ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme rikthimin e tij në futbollin elitar shqiptar.

“Të kuqtë” fituan pastër 0-2 në transfertën e vështirë të Krujës ndaj Kastriotit vendas. Golat u shënuan nga Hyshmeri në minutën e 26 dhe Demiri në minutën e 50 të takimit.

Ndërkohë, në Shkodër, Flamurtari me të rinj mposhti 0-1 Vllazninë vendase duke dhënë sinjalin e parë që ky sezon do të jetë i vështirë për shkodranët, ndërsa në Durrës, Teuta bëri mrekullinë në minutat e fundit të takimit duke përmbysur 2-1 golin e shënuar nga Kuli në minutën e 44 të takimit për Bylisin.

Nëser luhen dy takimet e tjera, Tirana-Laçi në orën 17:00, ndërsa në orën 19:00 kampionët e Skënderbeut nisin mbrojtjen e titullit kampion në takimin kundër Besës së Kavajës. Të hënë luhet ndeshja mbyllëse e javës së parë, Lushnja-Kukësi.

Afati për toponimet,emigrantët do kalojnë deri në fund të shtatorit

KakavijeTë gjithë shtetasit shqiptarë që kanë probleme me toponimet në pasaportat e tyre do të mund të marrin frymë lirisht të paktën edhe për një muaj. Ka qenë ky një njoftim zyrtar i palës greke, i cili bën me dije se kalimi i qytetarëve të vendit tonë drejt shtetit grek do të jetë i lirë deri në fund të muajit shtator.

Problemet e toponimeve kanë sjellë jo pak pengesa në pikat kufitare të vendit tonë si në Kakvijë dhe Kapshticë, ku me dhjetëra shtetas nuk janë lejuar të kalojnë doganën, ose në rastin më të keq në pasaportat e tryre janë kryer dhe shënime të cilat i kanë nxjerrë të pavlefshme pasaportat e shtetasve shqiptarë, ku në rastet më të shumta ato kanë qenë biomentrike.

Pak ditë më parë në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës u kryen me dhjetëra kthime nga ana e plicisë greke, ndërsa lejoheshin të kalonin vetëm ata persona, kryesisht fëmijë që kishin vendlindje kryeqytetin grek, Athinën.

Pavarësisht se jemi pjesë e zonën Shengen, problemi mbi toponimet është faktor jo pak i vogël që jo vetëm vetëm vështirëson, por dhe bllokon lëvizjen e shtetasve shqiptarë të cilët për vite me radhë kanë hasur pengesa dhe persekutime pranë sporteleve të doganës greke në çdo qytet të jugut të Shqipërisë ku ato ndodhen.

Berisha pro ndërhyrjes në Siri: Po mbrohen kasapët

berisha sadE ndërsa vetëm dy ditë më parë Këshilli i Sigurimit i OKB dështoi në miratimin e rezolutës të paraqitur nga Britania për mbrojtjen e popullësisë civile në Siri, Kryeministri Sali Berisha propozon tejkalimin e kësaj vetoje. Në një reagim në rrjetin social facebook, Berisha shprehet se deri sa te perdoret veto ne Keshillin e Sigurimit per te mbrojtur regjime kasapesh ndaj kombeve te tyre, rruga e vetme per te mbrojtur OKB-ne dhe Karten e saj universale eshte tejkalimi i vetos se KS, ndeshkimi shembullor i atyre qe kryejne krime kunder njerezimit.

“Te dashur miq, deri sa te perdoret veto ne Keshillin e Sigurimit per te mbrojtur regjime kasapesh ndaj kombeve te tyre, rruga e vetme per te mbrojtur OKB-ne dhe Karten e saj universale eshte tejkalimi i vetos se KS, ndeshkimi shembullor i atyre qe kryejne krime kunder njerezimit, genocide me arme te shfarosjes ne mase apo mjete te tjera. Siç faktojne prova shume te qarta, diktatori sirian al-Asad, ka perdorur gazin nervin dhe ka helmuar per vdekje mbi 1400 femije, gra, burra, civile te pambrojtur ne lagjet e Damaskut. Ne mungese te ndeshkimit te tij, OKB me Keshillin e Sigurimit te saj do te shnderrohej ne mburoje boterore te regjimeve mizore diktatoriale” deklaron Kryeministri.

Në vijim të komentit të tij, Berisha shprehes se”ne besojme se SHBA, si vendi me pergjegjesi kryesore per paqen dhe sigurine ne bote, por edhe vendet e tjera te lira, kane te drejte dhe duhet te vendosin vlerat universale te misheruara ne Kushtetutat e tyre dhe Karten universale te OKB-se mbi veton arbitrare te KS dhe t’i japin vendosmerisht ndeshkimin e merituar regjimit te Sadamit te ri qe perdori gazin kunder qytetareve te vet”.

Në mbledhjen e së mërkurës si asnjëherë tjetër Kina dhe Rusia kanë reaguar me bojkotim dhe largim nga salla e Këshillit të Sigurimit të OKB-së në shenjë proteste kundër rezolutës së përpiluar nga Britania e Madhe. Rezoluta në fjalë i sygjeronte pesë anëtarëve të përhershëm të Këshillit të

Sigurimit për të autorizuar marrjen e masave të nevojshme për të mbrojtur civilët në Siri. E thënë ndryshe ky takim ishte një thirrje për ndërhyrje ushtarake, pas raportimeve se në Siri janë përdorur armë kimike. Takimi u mbyll pa ndonje plan votimi mbi kete rezolute te kerkuar nga Londra, ndersa ambasadoret e Rusise dhe Kines, braktisen mbledhjen me dyer te mbyllura vetem 75 minuta pasi kishte nisur ajo.

Skandali me fëmijët e zhdukur në Greqi, u shitën për 500 euro

femije lypesShumë e rëndë është ajo që ka ndodhur me 502 fëmijët romë nga Shqipëria, të cilët janë zhdukur nga institucioni shtetëror bamirës, “Agia Varvara” në Greqi, në vitin 1998 dhe për fatin e të cilëve askush nuk thotë gjë.

Deputetja e SYRIZA-s Maria Janakaki  e ngriti çështjen në Parlamentin grek, tregon se interesimi i saj për këtë çështje bie në vesh të shurdhër. “Sa herë që jam përpjekur për të marrë përgjigje nga institucioni kam ndeshur në një mur të lartë. Më kanë thënë se f500ëmijët kapërcyen gardhin dhe ikën”, thotë ajo.

Teksa Ministri i Drejtësisë , Transparencës dhe të Drejtat e Njeriut, Haralambos Athanasiu urdhëroi një hetim të ri nga e para për skandalin, është vendosur prokurori i ri për çështjen. Ai duhet të hetojë sesi për 15 vjet , jo një e dy, por plot 502 fëmijë janë zhdukur nga institucioni ” Agia Varvara”.

Gjithçka e ka fillesën në vitin 1998, kur ministri i atëhershëm i Rendit Publik urdhëroi të ndalohet biznesi i shfrytëzimit të fëmijëve, pas një aksidenti me makinë në Selanik me dy fëmijë shqiptarë të rrugës.

Gjatë aksionit, policia mblodhi nga rruga 615 fëmijë shqiptarë, të cilët u dërguan në qendrën për mbrojtjen e të miturve “Agia Varvara”, qendër që varet nga Ministria e Punës , Çështjeve Sociale dhe Mirëqënies.

Disa prej këtyre fëmijëve u riatdhesuan në Shqipëri, ku dhe kanë gjetur familjet e tyre. Rreth 60 prej tyre u morrën nga familje kujdestare apo shkuan në jetimore në Greqi.

Veçse për 502 fëmijë të tjerë, fati vazhdoi të jetë ndoshta edhe më i vështirë , pasi në rrethana misterioze u zhdukën nga institucioni dhe askush nuk i kërkoi.

Në vitin 2002 organizata “Terres des Hommes” filloi hetime për fëmijët e rrugës nga Shqipëria dhe tha se fëmijët iu ishin shitur trafikantëve nga disa punonjës të institucionit, me çmimin 500 € secili.

Sipas organizatës, shumë prej fëmijëve të zhdukur nga Fondacioni , u blenë nga kontrabandistët për 500 €, për shfrytëzim ekonomik, për të lypur, për prostitucion apo për shitje të organeve. Mediat greke flasin për një bashkëpunim të mafias shqiptare dhe asaj greke, që përfitojnë nga shitja dhe shfrytëzimi i fëmijëve.

Një hetim i Avokatit të Popullit në Greqi në mars 2004, doli në përfundimin se nuk ka pasur tregti me fëmijët.

Në vitin 2007 papritur kërkimi ndaloi, megjithatë prokurorët gjetën probleme serioze në funksionimin e institucionit, pritjen e fëmijëve në të, ku bashkangjitën edhe përgjegjësitë e Ministrive të Rendit Publik dhe asaj të Punës, për trajtimin e çështjes.

Në qershor 2012 çështja u ripublikua nga Komiteti për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijëve të OKB-së.

Para disa ditësh u ngrit në Parlament nga deputetja e SYRIZA-s dhe për pasojë ministri i Drejtësisë kërkoi rihapje të dosjes.

*Marre nga Bweb

Siria, Obama do ndërhyrje

Barack ObamaDuke deklaruar se ndihet “i lodhur nga lufta”, por i vendosur për ta vënë Sirinë para përgjegjësisë për përdorimin e armëve kimike, presidenti Barack Obama tha gjatë së premtes se është duke marrë në konsideratë një kundërpërgjigje të kufizuar, ndaj asaj që inteligjenca amerikane e vlerësoi me “besueshmëri të lartë” si sulmi sirian që vrau mbi 1400 persona.

Obama tha për reporterët se ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar, por la të kuptohej për një ndërhyrje ushtarake, që sipas burimeve dhe ekspertëve që do të detyronte përdorimin e raketave “cruise” të lëshuara nga anijet e Marinës amerikane drejt objektivave të ushtrisë siriane, por jo në ndonjë depo të armëve kimike.

“Nuk ëshë në interesin e sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara, të injorohen shkelje të qarta” – të asaj që ai e

quajti “normë ndërkombëtare” që ndalon përdorimin e armëve kimike, – tha Obama gjatë një takimi me krerët e vendeve baltike, Lituanisë, Letonisë dhe Estonisë.

Ai e quajti sulmin sirian një “sfidë ndaj botës”, që kërcënon aleatët amerikanë në rajon, Izraelin, Turqinë dhe Jordaninë, ndërkohë që shton edhe rrezikun që këto lloj armësh të bien në duart e terroristëve.

Më herët, Sekretari i Shtetit, John Kerry, publikoi detajet e një raporti të nxjerrë nga lista e dokumenteve sekrete të inteligjencës amerikane, në përpjekje për të fituar mbështetje brenda dhe jashtë, për një kundërpërgjigje ushtarake kundër qeverisë së presidentit Bashar al-Assad.

Gjithsesi, aleatët e NATO-s kërkojnë autorizimin nga OKB të ndonjë përgjigjeje ushtarake, diçka që si Kerry edhe Obama e kanë pothuajse të pamundur, për shkak të kundërshtimit të anëtarit të përhershëm të Këshillit të Sigurisë, Rusisë, një aleat i vjetër i Sirisë.

“Do të preferoja që komuniteti ndërkombëtar të kishte vepruar tashmë”, tha Obama, duke theksuar “paaftësinë e Këshillit të Sigurisë për të lëvizur përballë shkeljes së qartë të normave ndërkombëtare”.

Ai shprehu frustrimin e tij me mungesën e mbështetjes ndërkombëtare, duke thënë se “shumë njerëz mendojnë se diçka duhet bërë, por askush nuk kërkon ta bëjë atë”.

“Është e rëndësishme për ne të pranojmë se, kur vriten mbi 1000 persona, përfshi qindra fëmijë të pafajshëm, përmes përdorimit të një arme, që 98-99% e njerëzimit thotë se nuk duhet përdorur në luftë, dhe kur nuk ndërmerret ndonjë veprim, atëherë ne po u dërgojmë një sinjal atyre se normat ndërkombëtare nuk ka ndonjë peshë specifike”, tha Obama. “Madje, ky përbën një rrezik për sigurinë tonë kombëtare”.

Në Washington, dyshime mbi vërtetësinë e inteligjencës amerikane dhe faktit nëse kombi po i drejtohet një tjetër lufte afatgjatë bazuar mbi informacione të rreme, siç ndodhi në Irak, janë ngritur nga të dyja partitë në Kongres.

“Ju siguroj se askush prej jush nuk është më shumë i lodhur nga luftrat se sa unë”, tha Obama, duke shtuar se ai nuk po merr në konsideratë asnjë mundësi për “futjen e trupave në terren” apo për një luftë afatgjatë në Siri.