Obama vendos të sulmojë Sirinë

56

Barack Obama“Ne jemi Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe duhet të ndalim armët kimike. I bëj thirrje Kongresit që të marrë një vendim, të votojë për sigurinë kombëtare. Nuk mund t’u kthejmë krahët këtyre masakrave që po kryhen. Unë jam gati për këtë sulm”. Kështu deklaroi presidenti amerikan, Barack Obama në një konferencë për shtyp për ndërhyrjen në Siri.

Obama u bëri thirrje ligjëvënësve amerikanë që të votojnë për ndërhyrjen në emër të sigurisë kombëtare amerikane dhe gjithë botës. Ai u shprehu vendosmërinë e Uashingtonit për të ndërhyrë ushtarakisht edhe pa marrë dritën jeshile nga Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Obama tha se SHBA duhet të ndërhyjnë, por shtoi se është tejet i rëndësishëm një autorizim i Kongresit amerikan që mblidhet më 9 shtator.

“Cili është qëllimi i sistemit ndërkombëtar të rregullave që kemi ndërtuar nëse lejojmë një sulm kimik që vret fëmijë? Një sulm që dënohet nga 98 përqind e vendeve të botës? Duke i folur Kongresit dhe gjithë botës, dua të them që ajo cfarë është bërë me armët kimike nuk duhet të hetohet, por duhet të zgjidhet. Do t’u kërkoj të gjithëve që të jenë në krahun tonë. E di që lufta është shumë e rëndë, sidomos për ne që sapo kemi mbaruar një luftë në Irak dhe Afganistan, por ne nuk do çojmë trupat tanë për të hapur një luftë tjetër, por do të jemi në krah të popullit sirian”, tha Obama.

Por edhe nëse vendos në këtë moment për ndërhyrjen ushtarake të Amerikës në Siri, ligjërisht Barack Obama nuk mund ta realizojë atë me një kërcitje gishtash.

Sipas Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara, Presidenti është edhe Komandanti i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, por fuqinë për të shpallur luftë dhe për të miratuar fondet e nevojshme për të, e ka Kongresi.

Përveç kësaj, një ligj 40-vjeçar lidhur me autoritetin për shpalljen e luftës, kërkon që kreu i shtetit ta njoftojë Kongresin brenda 48-orësh për kryerjen e ndërhyrjes së armatosur dhe forcat e armatosura nuk mund të qëndrojnë në luftë për më tepër se 60 ditë, pa miratimin e Kongresit.