Samaras: Demokracia i ka mjetet për t’u mbrojtur nga sfidat

16

greqi-flamurKryeministri grek Antonis Samaras thekson nevojën e ekzistencës së unitetit të popullit dhe të forcave politike në luftën kundër nazizmit dhe për mbrojtjen e legjitimitetit demokratik.

Në një deklaratë për gazetën “To Vima”, Samaras shprehet i vendosur për t’u përballur me veprimtarinë kriminale të neonazisteve, në mbrojtje të Kushtetutës dhe të demokracisë.

“Demokracia nuk është e pambrojtur. Ajo i ka mjetet për t’u mbrojtur përballë sfidave dhe do t’i përdorë të gjitha në mënyrën më efikase”, nënvizon kryeministri, duke shtuar se uniteti i popullit është kusht i domosdoshëm.

“E përpjeta që po kalojmë për të dalë nga kriza, do të përfundojë së shpejti. Mirëpo tatëpjeta e përçarjes, po të tolerojmë dhunën dhe tensionin, shpie në katastrofën e vendit dhe këtë nuk do ta lejojmë kurrë”, përfundon kryeministri grek.

Ndërkohë opinioni grek vazhdon të shokohet nga dëshmitë e disa anëtarëve anonimë të Agimit të Artë, që militojnë në radhët e partisë ose janë larguar të zhgënjyer. Shtypi boton çdo ditë dëshmi dhe video, ku bëhet fjalë për brigada ushtarake me rreth 3000 njerëz, të cilët stërviten për sulme ndaj antifashistëve dhe të huajve.

Tashmë Gjykata Supreme ka marrë përsipër hetimin e dosjes së veprave kriminale të Agimit të Artë, që do të përcaktojë nëse ekziston edhe akti i krijimit të organizatës kriminale, ndërsa është vendosur prerja e financimit shtetëror për këtë parti.